Ndarja nga jeta e Kryepeshkopit Anastas Janullatos, kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ka prekur të gjithë besimtarët e komuniteteve fetare në vend dhe jo vetëm.
Jeta, vepra dhe aktiviteti i tij, pavarësisht skepticizmit dhe kritikave në disa raste që ka pasur ndër vite, ishte edhe temë e një analize të detajuar
Të ftuar të moderatorit Arbër Hitaj për të ndarë mendimin e tyre ishin juristi Kreshnik Spahiu dhe ish-deputeti demokrat, Fatbardh Kadilli.
Teksa shprehën ngushëllimet e tyre, të dy të ftuarit ndanë mendim të njëjtë se Janullatos la pas një figurë pozitive, mbajti të bashkuar Kishën Ortodokse, pavarësisht se vetë ishte me kombësi greke dhe ndihej më shumë shqiptar.
Ish-deputeti Kadilli u shpreh se shqiptarët duhet t’i përulen veprës së të njderit Janullatos, që shpesh u kritikua edhe pa e njohur mirë.
Madje juristi Spahiu u shpreh se i ndjeri Janullatos “erdhi si grek dhe iku si shqiptar”, teksa edhe amanetin e tij e ka lënë që “trupi i tij të prehet në Shqipëri”.
“Dua të ndaj ngushëllimet e mia me të gjithë besimtarët e Kishës Ortodokse dhe bashkëpunëtorët e Janullatosit. Komuniteti Ortodoks në përqindje të lartë është besimtar dhe frekuenton kishën, është humbje e madhe. Nuk mund të mohojmë që është një personalitet akademik, i anëtarësuar në disa akademi të huaja, fliste 7-8 gjuhë të huaja, që i njihte mirë ato. Pas 30 vitesh kemi një panoramë më të qartë, shumë shqiptarë kanë qenë skeptikë për të, për shkak të kombësisë së tij dhe se Kisha do humbiste identitetin shqiptar, ekzistonte frika e helenizimit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare”, u shpreh analisti në Report TV.
Dhe më tej kujtoi se shqiptarët kanë një kod njerëzor, ku nuk kritikojnë në mort. Por ai theksoi se Janullatos e ndërtoi vetë veprën e tij që ka lënë pas.
“Këtu dua të jem realist, e para se ne shqiptarët në raste mortore nuk kritikojmë personalitetet që ndahen nga jeta. Por pas kaq vitesh mund të kemi një pasqyrë më të qartë. Ai erdhi si grek dhe po ikën si shqiptar. U shqiptarizua Anastas Janullatos, e them si kompliment, nuk e kam për kritikë apo ironi. Madje ka lënë amanet që eshtrat dhe varri i tij të jetë në Shqipëri. Madje dhe thënia e tij se kur jam në Shqipëri më gjuajnë me gurë si grek dhe kur jam në Greqi më gjuajnë me gur si shqiptar. Megjithë kritikat ai në fund e ndjeu veten më shumë shqiptar sesa grek”, thotë juristi.
Më tej shtoi se kisha qëndroi e pavarur dhe e pandikuar, duke mos u përzier as në punët e brendshme dhe as në politikë:
“Pavarësisht dyshimeve që ne kemi, Kisha Autoqefale nuk ndërhyri asnjëherë në shtet, ishte e ndarë nga shteti. Vendndodhja e objekteve të tre besimeve të mëdha afër njëri-tjetrit tregon se ne shqiptarët ruajtëm një nga kultet e bashkëjetesës fetare. Kisha Autoqefale Shqiptare ka merita në shumë aspekte, si ato humanitare, rasti i tërmetit dhe të tjera. Nuk kam dëgjuar asnjëherë që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të pozicionohet gjatë kaq viteve për njërin krah politik apo për tjetrin, apo t’i përkrahë”, u shpreh juristi./ S,M