Komuniteti shqiptar në Irlandë protestoi kundër refuzimit sistematik të vizave të vizitorëve për anëtarët e familjeve shqiptare.
Protesta u mbajt më 31 janar, në orën 10:30, përpara Departamentit të Drejtësisë dhe Barazisë në Dublin.
“Shumë prej nesh kontribuojmë në shoqërinë irlandeze, punojmë, paguajmë taksat, respektojmë ligjet, respektojmë komunitetet, jemi të integruar, por prindërve, vëllezërve, motrave dhe të afërmve tanë po u mohohet e drejta themelore për të na vizituar, madje edhe për ngjarje të rëndësishme jetësore. Që nga fillimi i vitit 2024, nuk është dhënë asnjë vizë vizite për familjarët e shqiptarëve që jetojnë në Irlandë, me arsye refuzimesh të paqëndrueshme dhe të pavërteta.
Zhvillimet e fundit kanë treguar qartazi një diskriminim të drejtpërdrejtë kundrejt shqiptarëve, dhe për këtë arsye komuniteti shqiptar në Irlandë organizoi një protestë paqësore tek Departamenti i Drejtësisë në Dublin
Çështjet kryesore:
- Refuzimi masiv i pashpjegueshëm i aplikimeve për vizat
- Mungesë transparence në procesin e vendimmarrjes
- Zbatim i paqëndrueshëm i kritereve të vizave
- Kohë të zgjatura pritjeje për apelim, gati 2 vjet
- Ndarje e familjeve gjatë ngjarjeve të rëndësishme si lindjet e fëmijëve
- Diskriminim i qartë kundrejt shqiptarëve duke refuzuar vizat pa asnjë arsye reale”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat./E.T