Ushqimi falas në shkollat 9 vjeçare në Tiranë do të zbatohet në plot 119 shkolla nga shtatori i 2025-ës. Kështu u shpreh nënkryetari i bashkisë Tiranë Andi Seferi për Report Tv.
“Është një inciativë që do të fillojë për herë të parë në shkollat publike në Tiranë, duke e bërë si shkollat në Europë. Është në kuadër të një procesi të madh duke iu kushtuar vëmendje të veçantë kopshteve, çerdheve dhe shkollave” , theksoi Seferi duke nëvizuar se që nga viti 2017 të gjitha shkollat janë përfshirë në projektin ‘Shkolla Qendër Komunitare’.
Sipas tij projekti synon që të sigurojë shëndetin, mirëqënien, të garantojë aftësitë intelektuale, fizike dhe sociale dhe të ofrojë hapësira të mbrojtura për fëmijët.
“Do të përfitojnë tridhjetë e një mijë e dyqind nxënës nga ky projekt. Do të jetë me dakordësinë e prindërve për konsumimin e vaktit. Menuja do të jetë bërë nga specialistë dhe do të shpërndahet çdo ditë në shkollë”, shtoi Seferi.
Lidhur me organizimin e këtij projekti bashkia Tiranë ka bashkëpunuar me disa ministri, përfshirë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Bujqësisë.
Sa i përket zgjatjes së orës në shkollë, po punohet si do të vijojë ky proces me nxsënësit në shkollë deri në orën 16:00.
“Do të shikohet në vijim, qoftë zgjatja e orareve dhe shpërndarja e rregullsisë të gjithë shkollave”, përfundoi Seferi./k.k