Në një postim të fundit në Facebook, Ilir Meta, presidenti i Partisë së Lirisë, kritikoi ashpër deklaratat e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Meta e cilësoi këtë si një “tallava” të integrimit.
Meta theksoi se, ndërsa Rama mburret për hapjen e negociatave, ai po injoron faktin se ky zhvillim ishte pothuajse i paevitueshëm për shkak të arsyeve gjeopolitike, sidomos pas konflikteve që po ndodhin në Ukrainë, të cilat e detyruan BE-në të fokusohet më shumë në çështje të tilla. “Nuk do të ishte mirë të falenderonim një fatkeqësi si lufta e Ukrainës për hapjen e negociatave të vendit tonë,” shkroi Meta.
Meta e kritikoi gjithashtu Rama për bllokimin e procesit të integrimit për vite të tëra, duke përmendur se në vitin 2020 ai i bllokoi negociatat për shkak të emërimit të kryetarit të Qarkut Fier dhe pengoi zhvillimin e zgjedhjeve lokale pa opozitë. Meta argumentoi se, ndonëse Shqipëria firmosi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit në vitin 2006 – para Malit të Zi dhe Serbisë – këto dy shtete e hapën negociatën më herët, në 2012 dhe 2014, respektivisht.
“Rama mburret se i ka hapur tani negociatat, por të gjithë e dimë se këto dy vende kanë pasur vështirësi të mëdha pas luftës në Jugosllavi dhe nuk kanë pasur mbështetje të plotë nga shoqëritë e tyre për integrimin në BE, ndryshe nga Shqipëria, ku mbështetja është masive,” shtoi Meta.
Meta kritikon gjithashtu mënyrën se si Rama e ka menaxhuar procesin e integrimit, duke theksuar se qeverisja e tij është më shumë e fokusuar në mbajtjen e pushtetit të pashoq dhe pasurimin personal, sesa në përmirësimin e vendit dhe avancimin e integrimit europian. Sipas tij, Shqipëria do të arrijë të realizojë integrimin në Bashkimin Europian vetëm pas shumë dekadash, kur Rama të jetë 110 vjeç dhe të ketë bërë mandatet e tij të 20-ta në krye të qeverisë./kb