Partia Demokratike përmbylli dje fazën e aplikimeve si kandidatë për deputetë në Primaret e PD-së. Si do të procedohet me zgjedhjet nga anëtarësia dhe dora e kryetarit që selekton se kush do të ketë një vend të sigurt në listat e mbyllura.
Më shumë se 300 anëtarë të Partisë Demokratike kanë dorëzuar dokumentacionin për të marrë pjesë në primaret për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Vetëm në Tiranë janë regjistruar mbi 100 kandidatë, të cilët synojnë të garojnë për një, dy ose tre vende në Parlament. Ky proces pritet të jetë mjaft i ashpër, duke marrë parasysh faktin se përfaqësimi i PD-së në Kuvend është i kufizuar dhe vetëm një numër i vogël kandidatësh do të mund të sigurojnë një vend në listën përfundimtare. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Partia Demokratike siguroi 15 mandate, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim (tashmë Partia e Lirisë) arriti të marrë dy. Në këtë kontekst, kandidatët që hyjnë në primare do të përballen me një garë të fortë, pasi lista përfundimtare do të përfshijë jo vetëm ata që marrin më shumë vota, por edhe emra të cilët do të përzgjidhen në listën e mbyllur nga udhëheqja e partisë. Pra kandaitët e Primareve do të punojnë për të nxjerrë deputetë listën e sigurt. Partia Demokratike ka mbyllur tashmë procesin e regjistrimit për primaret dhe ka nisur shqyrtimi i dokumentacionit të kandidatëve. Sipas rregullave të brendshme, çdo kandidat duhet të kalojë përmes filtrit të Komisionit Zgjedhor të PD-së, i cili shqyrton rregullsinë e dokumentacionit dhe përcakton nëse kandidatët plotësojnë kriteret e nevojshme. Pas kësaj faze, ata që kualifikohen do t’i nënshtrohen votimit nga anëtarësia e partisë, e cila do të përcaktojë mbështetjen për secilin kandidat. Procesi do të kulmojë me përzgjedhjen e listës përfundimtare, ku kandidatët me më shumë vota do të përfshihen në listën e hapur, ndërsa figura të rëndësishme të PD-së do të jenë pjesë e listës së mbyllur. Në Tiranë, lista përfundimtare e kandidatëve pritet të përbëhet nga 37 emra në listën e hapur dhe 12 në listën e mbyllur. Pesë drejtues politikë të Partisë Demokratike do të përfshihen automatikisht në listën e mbyllur, duke siguruar vendin e tyre në Parlament. Në këtë listë do të jenë edhe liderët e dy partive aleate, kryetari i PD-së Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta. Kjo do të thotë se nga 15 mandatet që PD mori në vitin 2021, 12 prej tyre janë tashmë të rezervuara për kandidatët e përzgjedhur nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ndërsa vetëm tre mandate do të jenë të hapura për fituesit e primareve. Në zgjedhjet e 11 majit, votuesit do të kenë mundësinë të votojnë për logon e Partisë Demokratike, si dhe për kandidatët e listës së hapur. Nëse PD arrin të sigurojë më shumë mandate sesa në zgjedhjet e kaluara, atëherë ato do t’i takojnë kandidatëve të primareve që do të kenë marrë më shumë vota nga elektorati. Për shembull, nëse PD fiton një mandat më shumë se 12 të rezervuarit, ai do t’i kalojë kandidatit që ka siguruar numrin më të lartë të votave në listën e hapur. Mos harrojmë që të gjithë deputetët që sot janë në Kuvendin e Shqipërisë janë në listën e primarëve, me përjashtim atyre të të përkëdhelurve të kryetarit që do jua jap mandatin, ndoshta pa bërë edhe një ditë fushatë…
Dorëheqja e Bushatit nga primaret
Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike Helidon Bushati ka njoftuar tërheqjen nga gara për një mandat të ri në zgjedhjet e 11 majit. Përmes një postimi në Facebook, ai ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e primareve dhe si rrjedhojë nuk do të kandidojë për një vend në listën e deputetëve. Sipas tij, ky nuk është një vendim thjesht personal, por një akt përgjegjësie politike dhe morale. “Partia Demokratike është përballë sfidave të mëdha. Kjo forcë politike ia doli të kapërcejë momente të vështira që e vunë deri në provën e ekzistencës. Sot demokratët janë të bashkuar dhe po bëhen gati për zgjedhjet jetike për vendin, ato të 11 majit. Përveçse për angazhim, koha është edhe për reflektim. Së shpejti, Partia Demokratike do të hyjë në një proces të rëndësishëm, atë të primareve. Personalisht, kam zgjedhur të mos marr pjesë në primare dhe si rrjedhojë heq dorë nga aspirata për të qenë kandidat për deputet”, është shprehur Bushati. Sipas tij, ky nuk është vetëm një vednim personal, por edhe përgjegjësi politike. “Ky nuk është thjesht një vendim personal, është një akt përgjegjësie politike dhe morale. Gjithsesi, ky vendim nuk do të thotë tërheqje nga rrugëtimi ynë i përbashkët. Përkundrazi, do të jem aty ku kam qenë gjithmonë, pranë Partisë Demokratike dhe demokratëve. Koherent në bindjet e mia, i palëkundur në vlerat për të cilat kemi luftuar dhe plotësisht i angazhuar për ringritjen dhe fitoren që synojmë të gjithë për Partinë Demokratike dhe liderin e saj Sali Berisha. Jam i bindur, më shumë se kurrë, se modernizimi dhe përbashkimi janë çelësi i fitores. Ja kemi borxh fëmijëve tanë, ja kemi borxh historisë! Së bashku drejt fitores!”, ka shkruar Bushati.