Mes Kërtis Jarvin dhe Aleksandër Dugin, dy filozofët e prerjes radikale

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Në prurjet e mëdha dhe shpeshherë të pakuptueshme të mendimit filozofik, ndodh që herë të duket sikur nuk njeh asnjë prej rrymave, e më pas kupton se shumica e tyre janë kopje të njëra-tjetrës. Në këtë kaos, është e vështirë të evidentosh detajin që bën dallimin.

Të paktën që prej filozofëve të parë në Greqinë e Lashtë, për aq sa njohim, gjithçka që thonë filozofët është një grumbull fjalësh, të cilat ndryshojnë renditjen si në një makineri që luan me sintaksën. Sepse, në 6000 vjet civilizim – nga të cilat rreth 3500 janë më të dokumentuara – tollovia e fjalëve është mbështjellë si një lëmsh me fije leshi dhe është shmbështjellë dhjetëra mijëra herë.

Kështu mbërritëm në mijëvjeçarin e tretë.

Por nëse gërmon pak më thellë, apo të rekomandon dikush, sheh se ka ende gjëra për t’u thënë, edhe pse më së shumti duken si diçka që e ke dëgjuar dhe më parë, thjesht në një formë tjetër – ose më të thjeshtë, ose më arkaike. Tani gjithçka është thjesht koklavitur dhe modernizuar.

Ajo që më ka rënë në sy më së shumti, mes mendimtarëve apo filozofëve të viteve të fundit – pra atyre që janë kryesisht prodhim i fundit të mijëvjeçarit të kaluar dhe fillimit të këtij mijëvjeçari – janë dy autorë: Aleksandër Dugini, rus, dhe Kërtis Jarvin, amerikan.

Për të parin – Aleksandër Duginin, i lindur më 1962 – thuhet se teoritë e tij qëndrojnë ose mbi tryezën e Putinit, ose në mendjen e tij, po aq sa, 100 vite më parë, Niçja qëndronte mbi tavolinën e Adolf Hitlerit.

Kërtis Jarvin është i njohur, së bashku me filozofin Nik Land, për themelimin e lëvizjes filozofike anti-barazi dhe antidemokratike, të njohur si Lëvizja e Iluminizmit të Errët ose neo-reaksionarizmi.

Edhe ky i dyti, – Kërtis Jarvin, i lindur më 1973 – thuhet se ka simpatinë e Trampit, ndaj dhe ai e ka ftuar me ceremoninë e inaugurimit si president.

Në vija të përgjithshme, këta dy mendimtarë e filozofë bashkëkohorë bien dakord se demokracia liberale është e dështuar, por kanë vizione të ndryshme për sistemin që duhet ta zëvendësojë: njëri promovon një autoritarizëm euroaziatik dhe spiritualist, ndërsa tjetri propozon një monarki teknokratike dhe kapitaliste, ku shteti drejtohet si një kompani.

Ndoshta hegjemonia dhe rivaliteti mes dy superfuqive vazhdojnë të prodhojnë jo vetëm testata bërthamore, por edhe mendim filozofik, mbi të cilin mbështeten platforma partish apo platforma individësh me pushtet.

 

Aleksandër Dugin

Ai është një filozof, politolog dhe ideolog rus i njohur për teoritë e tij mbi gjeopolitikën. Mendimi i tij filozofik është kompleks dhe shpesh polemik, duke ndikuar në qarqe politike dhe intelektuale, veçanërisht në Rusi.

Dugini promovon një ideologji të quajtur “Eurasianizëm”, e cila kundërshton hegjemoninë perëndimore dhe sidomos liberalizmin perëndimor. Ai beson se Rusia dhe vendet e tjera euroaziatike duhet të bashkohen në një bllok kundër ndikimit të SHBA-së dhe NATO-s. Në këtë kontekst, ai përqafon një botë multipolare, ku nuk dominon vetëm një fuqi globale, por disa civilizime të mëdha.

Dugini është ndikuar nga filozofë tradicionalistë si Rene Genon dhe Julius Evola, të cilët theksojnë një kthim te vlerat tradicionale dhe shpirtërore kundër modernizmit dhe materializmit. Ai argumenton se civilizimi perëndimor është në dekadencë për shkak të laicizmit dhe individualizmit ekstrem. Për këtë arsye, ai propozon një qasje mistike dhe konservatore, që mbështetet në identitetin kombëtar dhe fetar.

Në librin e tij më të njohur, “The Fourth Political Theory” apo i ardhur në shqip: “Teoria e Katërt Politike”, Dugini argumenton se tri ideologjitë kryesore të shekullit XX – liberalizmi, komunizmi dhe fashizmi – kanë dështuar. Ai propozon një teori të re politike që synon të kapërcejë këto ideologji duke përzier elemente të ndryshme nga traditat kombëtare dhe religjioze.

Lexo edhe :  Drama e Anila Prendushit dhe “varri” që i hapi vetes prej dashurisë

Dugini e sheh Rusinë si qendrën e një civilizimi të veçantë euroaziatik, i cili duhet të sfidojë dominimin e Perëndimit. Ai mbështet një shtet të fuqishëm, autoritar dhe të udhëhequr nga një elitë shpirtërore, duke e cilësuar demokracinë liberale si një sistem të korruptuar dhe dekadent.

Aleksandër Dugini është një filozof i cili sfidon paradigmat perëndimore dhe promovon një qasje alternative, të bazuar në konservatorizëm kulturor, misticizëm dhe gjeopolitikë euroaziatike. Pavarësisht se është një figurë kundërthënëse, ai mbetet një nga mendimtarët më me ndikim në Rusi dhe në disa qarqe të tjera anti-liberale në botë.

Mendimet e Duginit kanë ndikuar në qarqet politike në Rusi, dhe ai shpesh përshkruhet si një nga ideologët që frymëzuan politikat ekspansioniste të Moskës, veçanërisht në Ukrainë. Megjithatë, ai është një figurë e debatueshme, dhe shumë kritikë e akuzojnë për ekstremizëm dhe për promovimin e një ideologjie neo-imperialiste.

Kërtis Jarvin

Me pseudonimin “Mencius Moldbug”, është i njohur për themelimin e lëvizjes filozofike anti-egalitariane dhe anti-demokratike të njohur si “Ndriçimi i Errët” ose lëvizja neo-reaksionare.

Jarvin argumenton se fuqia reale politike në Shtetet e Bashkuara qëndron në atë që ai e quan “Katedralja”, një bashkim joformal i universiteteve dhe medias kryesore, të cilat bashkëpunojnë për të ndikuar opinionin publik. Sipas tij, një klasë sociale që ai e quan “Brahmin” dominon shoqërinë amerikane, duke predikuar vlera progresive për masat. Yarvin dhe lëvizja e Ndriçimit të Errët pretendojnë se përkushtimi i “Katedrales” ndaj barazisë dhe drejtësisë gërryen rendin shoqëror.

Duke u mbështetur në metafora kompjuterike, Jarvin sugjeron se shoqëria ka nevojë për një “rivendosje të fortë” ose një “rinisje”, në vend të reformave graduale politike. Ai propozon një filozofi “neo-kameraliste”, bazuar në kameralizmin e Frederikut të Madh të Prusisë. Në këtë model, qeveritë demokratike të paefektshme dhe të shpërdoruara duhet të zëvendësohen me korporata sovrane me aksione, ku “aksionarët” (pronaret e mëdhenj) zgjedhin një ekzekutiv me fuqi të plotë, por që duhet të shërbejë sipas dëshirës së tyre. Ky ekzekutiv, i pakufizuar nga procedurat liberale-demokratike, mund të qeverisë në mënyrë efikase, ashtu si një CEO-monark.

Jarvin mbështet autoritarizmin nga një këndvështrim të djathtë-libertarian, duke argumentuar se ndarja e sovranitetit politik zgjeron fushën e shtetit, ndërsa qeveritë e forta me hierarki të qarta mbeten minimale dhe të fokusuara ngushtë. Ai ka shprehur mbështetje për martesat e të njëjtit seks, lirinë e fesë dhe përdorimin privat të drogës, dhe ka shkruar kundër ligjeve diskriminuese bazuar në racë ose gjini.

Idetë e Jarvin kanë ndikuar disa investitorë të shquar në Silicon Valley dhe politikanë republikanë. Strategu politik Steve Bannon ka lexuar dhe admiruar punën e tij, dhe zëvendës-presidenti JD Vance ka përmendur Yarvin si një ndikim. Në janar 2025, Yarvin mori pjesë në një gala inaugurale të Trump në Uashington, ku u raportua se ishte “një i ftuar joformal nderi” për shkak të ndikimit të tij të madh mbi të djathtën trumpiane.

 

Epilogu

Kërtis Jarvin dhe Aleksandër Dugini janë dy mendimtarë bashkëkohorë të ndryshëm, me ndikim në sferën e filozofisë politike por kanë disa pika të përbashkëta në kritikën e tyre ndaj liberalizmit dhe rendit aktual global. Të dy autorët besojnë se demokracia liberale perëndimore është një sistem i dështuar që nuk i shërben popullit, por elitave të fshehura.

Pavarësisht dallimeve, të dy janë ndër zërat më kritikë ndaj rendit global aktual dhe ofrojnë alternativa radikale për të ardhmen e politikës.

 

 

Të fundit

Ka fjetur me Mevlanin? Livia: Nuk e kam mohuar që kam ndjenja për të

E ftuar mëngjesin e sotëm në Wake Up ka qenë Livia Brunga, ish-banorja e “BBV4”, e cila u eliminua...

3 vite nga agresioni rus ndaj Ukrainës/ Rama: Të mos bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë

Kryeministri Edi Rama iu drejtua me një fjalë përmes lidhjes video Samitit në Kiev, ku liderët e BE u mblodhën për të përkujtuar 3-vjetorin...

Rritja më e turizmit në Europë gjatë 2024-ës, portali gjerman rendit Shqipërinë të parën

Portali gjerman WEB.DE ka renditur Shqipërinë të parën në listën e destinacioneve evropiane me rritjen më të shpejtë të turizmit për vitin 2024. Shqipëria zë...

Gangsterët e hetimit

Nga ARTUR  AJAZI Rasti Veliajt, na tregoi se edhe njerëzit e hetimit kanëdefektet e tyre, kanë mangësitë dhe boshllëqet e tyre nëprofesion, që ndikojnë mjaftueshëm...

Berisha me dy standarde, vetë sulmon Dumanin, por akuzon Veliajn se kërcënon Dadon!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk e kurseu as sot gjuhën e ashpër ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe veçanërisht ndaj kreut të saj...

Lajme të tjera

Web TV