“Në këtë vend e ha po punove shumë”/ Veliaj: Prokurori më akuzon se takova dy agjentë!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka reaguar sërish nga burgu, duke iu përgjigjur akuzave të ngritura nga prokurori i SPAK, Ols Dado.

Reagimi

Mirëdita miq!
Përpara se t’ju uroj një fundjavë të mbarë, më lejoni t’ju argëtoj pak sot, me dy akuza të tjera, sa komike për nga thelbi, aq edhe tragjike për nga fakti se janë përdorur për të futur në burg pa gjyq një të zgjedhur nga populli.

Vetingu 20 vjeçar, i paprecedentë për askënd dhe ilegal fundekrye, gjeneroi një rrëmbim të pashembullt telefonash nga dhjetëra qytetarë, të cilët i kam njohur në 20 vjet jetë në Tiranë dhe punë për Tiranën. Ky besoj është i vetmi vend demokratik ku telefonat rrëmbehen rrugëve dhe jo vetëm nuk kqyren në sytë e të zotit, vetëm për çështjen për të cilën ka një hetim, po iu thithen të tëra të dhënat personale, ndërkohë që fizikisht mbahen edhe ata në paraburgim pa afat.

Telefon pas telefoni dhe gjurmim pas gjurmimi, Ols Dado më akuzon se kam takuar dy agjentë të huaj, Jesus Hernandez dhe Marco Casamonti, në fakt dy arkitektë me reputacion ndërkombëtar, që Nesti Kafka duhet ta kishte për nder t’u jepte dorën. Dhe sipas Kafkës tim, i paskam takuar për “punë sponsorizimesh”, se taktika e tij është “kap thërrime dhe hiqu si dyqan buke”.

Po more, i kam takuar të dy star-arkitektët, me kënaqësi të madhe madje – por, jo për t’ju dhënë ndonjë favor të pamerituar që t’ju marr ndonjë favor personal mbrapsht, po për t’ju dhënë respekt e për t’ju marrë kontribut FALAS për Tiranën.

Jesus Hernandez ka projektuar muzeun “Marubi” në Shkodër, një kryevepër. Po ashtu sheshin e Shirokës, qilimin e gurtë që mori çmim ndërkombëtar. Pasi shpronësuam “Sarajet”, mes betejash e netësh për ta mbrojtur monumentin e kulturës nga pronarë që donin ta digjnin, i kam kërkuar si “sponsorizim” një koncept-ide se si mund ta kthenim atë godinë në një Muze Etnografik të Tiranës. Gjithmonë kam besuar se edhe arkitektët e huaj, që fitojnë nga pjesa e tyre e punës në Tiranë, duhet t’i japin edhe diçka nga vetja qytetit, po edhe ata asnjëherë nuk kanë thënë jo. Njësoj veprova edhe me Elisabetta Terragni-n, ku pas “Shtëpisë së Gjetheve” – një tjetër sukses – i kërkova të “sponsorizonte” me projekt-ide “Shtëpinë Kadare – Agolli”, të cilat sot kanë dalë si xhevahire te Pallati i Maks Velos.

Lexo edhe :  Shuhen shpresat e Metës, në burg para e pas zgjedhjeve

Marco Casamonti-t, projektuesit të stadiumit “Arena Kombëtare”, i kam kërkuar të “sponsorizojë” një pavion për Tiranën në Bienalen e Venecias për arkitekturë. Gjë që sapo është konfirmuar nga kuratori Carlo Ratti – një tjetër arkitekt, të cilit i kam kërkuar “të sponsorizojë” Tiranën në Bienale. Pra, jo para jo, po kontribute me projekt-ide, pa pagesë nga ana e buxhetit të bashkisë.

Eshtë poshtëruese që më duhet të shpjegoj këto çudira, ku Tirana merr, nuk jep, sepse jam në burg pa gjyq edhe për këto. Në 10 vite kam kërkuar nga kushdo të sponsorizojë pemë, çerdhe, kopshte, ekipe sportive, mundësa olimpikë dhe skiatore kampione.

Unë refuzoj ta pranoj se “në këtë vend e ha po punove shumë”, apo se “të mirit ia bëjnë gropën me punët që ka bërë” dhe kurrë s’do ta pranoj që të kërkosh për qytetin, jo për vete, është korrupsion.

Pra, pse duhej Teatri i Ri, se shiko sa sulme; pse 45 shkolla të reja, se shiko sa padi; pse 110 çerdhe me sponsora, se shiko sa bela; pse 1.5 milion pemë të mbjella, se shiko sa sharje; pse gjithë këto tituj europianë për Tiranën, se shiko sa xhelozi.

“Ja, shih Lulin”, tha dikush me cinizëm, “s’bëri asnjë punë e nuk e gjeti gjë”.

Unë këtë e refuzoj!

E refuzoj mentalitetin se po punove, do sulmohesh, ndaj mos puno. Unë besoj se Shqipërinë e çon përpara puna dhe njerëzit e punës, jo përtacët, qylaxhinjtë, frikacakët, xhelozët e llapaqenët.

Këtë besoj unë dhe besoj se këtë e beson edhe shumica e mirë, idealiste, e ndershme e vendit.

Për gjithë njerëzit e punës, kokën lart dhe përqafime me mall!/E.T

Të fundit

Protesta në Butrint, fermerët hedhin midhje gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak

Industria e midhjes në liqenin e Butrintit dhe zonën e Ksamilit po përballet me sfida serioze, ndërsa fermerët lokalë...

Zgjedhjet e 11 majit/ Regjistrohen 204 mijë shqiptarë të diasporës, 250 mijë kërkesa

Edhe 3 ditë afat ka diaspora, deri më 4 mars, për tu regjistruar në sistemin e KQZ-së për të votuar për herë të parë...

Primaret në Sarandë, dorëhiqet një anëtar i PD-së, akuza për manipulime

Një anëtar i Partisë Demokratike në Sarandë, Ilir Mulla ka bërë publike dorëheqjen e tij nga partia, duke ngritur akuza të forta për manipulim...

“Gunga e Bizonit”/ Lakimi i shpinës, Mjekët: Qëndrimi mbi telefon po na deformon!

Telefoni po na deformon pa e kuptuar.  Qëndrimi me kokën përkulur mbi të  për një kohë të gjatë ka bërë që shumë persona të...

Razzie Awards 2025: Lista e plotë e “fituesve” për filmat më të këqij në kinema

Ndërsa Hollywood-i përgatitet për ndarjen e Oscar-ve, këtë të premte u shpallën Çmimet Razzie, që nderojnë më të këqinjtë në kinematografi. Filmi ‘Madame Web’ u...

Lajme të tjera

Web TV