Fuqia e simulacrum-it prej politikës sonë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ben Andoni

Për t’u futur në argumentin tonë duhet të sjellim për publikun se çfarë identifikon termi simulakrum (simulacrum): Termi e ka origjinën nga fjala latine “simulare” dhe do të thotë “të ngjasosh” ose “të simulosh”. Në terminologjinë e përditshme bashkëkohore, një simulakrum i referohet një imazhi ose përfaqësimi i dikujt apo diçkaje. Kuptimi shtrihet përtej imitimit të thjeshtë, duke përfshirë një spektër të gjerë interpretimesh në fusha të ndryshme si filozofia, arti dhe studimet mediatike, referuar literaturës.

Po ta nisim nga arti dhe letërsia, simulakrat (shumës) mund të shihen si kopje ose imitime që sfidojnë autenticitetin dhe origjinalitetin e veprës origjinale. Artistët dhe shkrimtarët përdorin simulakrat për t’u thelluar drejt temave të identitetit, perceptimeve të realitetit dhe ndjesive personale, jo rrallë duke mëdyshuar për vlerën e origjinalit kundrejt kopjes.

Në filozofi gjërat janë më të thukëta. Filozofi francez Jean Baudrillard (shqiptohet Boudrija:r) në veprën e tij e përcakton konceptin e simulacrum-it si një lloj entiteti që e zëvendëson realitetin me përfaqësimin. Ai argumenton se në një botë të ngopur me produktet e medias dhe shkëmbimet e ndryshme simbolike, kufiri midis realitetit dhe përfaqësimit mjegullohet.

Simulacra-t kështu shndërrohen në hiperreale që do të thotë se koncepti është më real se vetë realiteti që përfaqëson, duke krijuar një lloj mjedisi, ku dallimi midis së vërtetës dhe false, reales dhe imagjinatës, bëhet i padallueshëm. Rrjetet sociale sot janë ndihmëse të këtij fenomeni kaq të kudogjendshëm dhe tejet të dashura si burim i parë i politikës.

Kjo është ajo që na dhuron sot politika shqiptare me të gjithë shfaqjen e vet, ku narrativa shkon direkt për integrimin në BE, kali i betejës së Mavive të Ramës dhe “shqetësimit” për “zezonën” ku gjendet Shqipëria dhe mungesën e fjalës së lirë (?), domenet që do ta mbajnë “Feniksin” Berisha drejt mëtimit për mandatin e tretë si kryeministër. Të shesësh pra, imagjinaren si reale: Kjo është Shqipëria e sotme.

Hartimi i listave në orët e fundit zbuloi fenomenin që shqiptarët e njohin mirë dhe që lidhet me përdorimin e tyre nga politika. Në lista, sidomos tek ata të PD-së, u përfshinë ata që kanë krijuar sforcuar imazhin e besnikëve të patundur në vend të personalitetit të personazheve të kërkuar nga realiteti. Imazhi i sajuar i listave që tregojnë PD-në dhe opozitën e ardhshme është “realiteti” i një Partie Demokratike dhe opozite që nuk ekziston më në atë ide dhe formë që mendojnë e kërkojnë shqiptarët.

Kjo parti imagjinare është thelbi i projeksionit të Berishës, në vend të asaj që presin në bazë për t’u kthyer në pushtet. Pak më ndryshe tek PS-ja, ku kulti i Ramës tashmë bën që projeksioni real i partisë, realizuar prej tij, të krijohet me neo-socialistët që i shërbejnë më shumë vizionit të sajuar të kryetarit sesa ideologjisë së partisë, lidhur me përkrahjen e shtresave në nevojë. Paradoksi është se Shqipëria mbetet bashkë me Kosovën (të dy drejtohen prej kohësh prej qeverish të majta), si vendet më të varfra të rajonit.

Berisha dhe Rama, madje rasti i dytë është më i qenësishëm, janë pompuar nga media dhe sidomos në 20 vitet e fundit, ku janë protagonistë në rrjetet sociale kanë projektuar realitete imagjinare shumë larg të vërtetës. Kryeministri Rama vazhdon e ushqen imagjinaren dhe e përqendron vëmendjen falë daljeve maratonike në tv dhe pastaj individuale me podcastin e tij; kurse Berisha duke e mbajtur median e ndërvarur në argumentet e veta “scoop” dhe me ngjitjen e panatyrshme pas saj.

Lexo edhe :  Vuçiç përplas kokën te dinastia “Tramp”, çështja “Monika” del si as-i nën mëngë

Me tabletin e pandarë nga dora, jo thjesht për statistika po për të krijuar një virtualitet, ku krimi dhe e keqja e ka mynxyrosur vendin, përballë Ramës, Shqipëria e të cilit ngjan supersonike dhe tejet moçalit Berisha.  Rama& Berisha janë më shumë showman në një shfaqje pa aktorë, krijuar prej tyre, sesa shtetarët realë për të cilët ka nevojë vendi ynë.

Në argumentin tonë për simulakrën, duhet të kemi parasysh se kjo nuk është thjesht një përvojë shqiptare. Presidenti amerikan Regan dhe i tanishmi Tramp krijuan një precedent me këtë fenomen, duke kaluar vrullshëm: i pari nga kinematografia, kurse i dyti nga argëtimi në politikë.

Shtuar me guvernatorin Shvarceneger dhe presidentin aktual të Ukrainës, Zelenski, për të mos vazhduar me partinë e Grillos në Itali e të tjerë, mënyra sesi janë imponuar ka krijuar një prirje ku të famshëm nga fusha të ndryshme e perceptojnë politikën si një lloj show për ambiciet e tyre.

Dhe, jo thjesht në kuptimin e drejtpërdrejtë. Në Shqipëri, socialistët i ke vazhdimisht të identifikuar me njerëz të show dhe medias pranë, ashtu si PD-ja nga ana e saj, me pjesën tjetër, ku artistët mëtojnë të plotësojnë atë që nuk bën politika: virtualitetin ta shndërrojnë në politikë.

Simulakrum kalon realisht në katër etapa, të cilat Baudrillard i shtjellon në argumentin e vet: e para si pasqyrim i një realiteti themelor. Së dyti maskimin dhe shtrembërimin e realitetit themelor. Së treti maskimi për mungesën e një realiteti bazë. Dhe, së fundi, ajo që del s’ka lidhje me asnjë realitet sido që të jetë: është simulakra e tij e pastër.

Sot, politika dhe show i saj i mbush shqiptarëve kinse atë zbrazëti pafund prej mungesës së arsyes dhe ideve të pakta por edhe mënyrës së përfaqësimit, por më shumë se të gjithave pritshmërive tona prej demokracisë.

Për një pjesë të madhe të popullsisë që mbush kutitë e votimit dhe voton pa u menduar, politika është pjesa imagjinare e përfaqësimit të saj identitar. Më keq, se para ’90, politikanët i kanë bërë shqiptarët e zakonshëm të identifikohen dhe jetojnë vetëm përmes politikës imagjinare. Ashtu si inercia e kohës dhe politika i ka bërë deridiku misionet e saj: Shqipëri po hap kapitull pas kapitulli për integrimin evropian. Shqipëria është integruar në NATO.

Shqipëria ka bërë liberalizimin e vizave. Ashtu, si mund të thuhet që politika ka pjesën e saj përgjegjëse për honin e frikshëm moral, mungesën e motiveve dhe shterjen shpirtëror që e ka kapluar shoqërinë tonë. Në këtë amulli, tërheqja populiste e Rama&Berishës dhe derivateve të tyre bën që të thirren në ndihmë veç retorikave imagjinare të liderëve dhe figura që përfaqësojnë imazhe ose “impakte” publike por jo kompetenca politike të standartizuara. Madje, edhe vetë përdorimi i rrjeteve sociale që po kthehet në elementin e parë të komunikimit, po na i shndërron politikanët në një lloj simulacrum-i, ku çdo profil është thjesht një përfaqësim i politikanit që nuk ekziston.

Ndaj sot nuk e kupton më argëtimin apo zezonën që japin respektivisht politikanët e PS&PD me politikën që afrojnë, duke na e bërë, siç thoshte Baudrillard simulacra-ën si formën sesi është i ndërtuar sot peizazhi politik bashkëkohor./   S,M

Të fundit

Para apo pas ngrënies, kur është koha e duhur për të pirë ujë

Trupi i njeriut humbet ujë çdo moment, madje edhe nëpërmjet frymës. Rrjedhimisht, pirja e ujit është e një rëndësie...

Konfirmohet sezoni i dytë i “Ferma VIP”, cilët janë konkurrentët?

“Ferma Vip” do të hapë dyert sërish për një sezon të dytë plot aventura dhe sfida. Vetë faqja zyrtare e reality show-t në Instagram ka...

Erdogan, Imamoglu dhe “demokracia” turke

Arrestimi i Ekrem Imamoglu, një "grusht shteti politik" dhe "sulltanati" i Rexhep Tajip Erdogan në Turqinë moderne. “Po goditet vullneti i popullit”, “jemi përballë një...

Ky është lumi më i ndotur në Europë

Një studim i Universitetit të Yorkut në Mbretërinë e Bashkuar, që ka analizuar 258 lumenj në mbarë botën dhe ka treguar se një në...

Cilët janë sektorët më të targetuar nga sulmet kibernetike?

Kjo është Java Globale e Parasë. Këtë vit, slogani është “Ndiq me mençuri, begati në ardhmëri”. Në fokus është mbrojtja nga keqbërësit dhe vjedhja...

Lajme të tjera

Web TV