Votimi nga diaspora për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 po shoqërohet me probleme serioze që, sipas Partisë Demokratike dhe vetë qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, rrezikojnë të cenojnë jo vetëm të drejtën e votës, por edhe integritetin e gjithë procesit. Pa ditë më parë edhe PS u ankua në KQZ se janë zbuluar raste të keqmenaxhimit të procesit, deri në mohim të së drejtës së votës.
Pavarësisht deklaratave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se problemet në votimin nga diaspora janë “të vogla dhe në zgjidhje”, shqetësimet po shtohen ndërsa afatet për përfundimin e këtij procesi po mbyllen shumë shpejt. Emigrantë shqiptarë kanë treguar për gazetën “Fjala” se janë lënë në pritje dhe pa asnjë informacion, pasi zarfi me të dhënat e tyre ka mbërritur, por askush nuk është rikthyer për të marrë mbrapsht votën e hedhur në mënyrë të rregullt. Kjo përbën, sipas tyre, një shkelje të asaj që ishte premtuar për korrektësi dhe komunikim të plotë gjatë gjithë procesit. Në këtë sfond, Partia Demokratike ka dalë në mënyrë të prerë kundër mënyrës se si po menaxhohet votimi nga jashtë vendit. Në një konferencë për shtyp, Jozefina Topalli, e deleguara politike e PD-së për Diasporën, dhe përfaqësuesi i partisë në KQZ, Franc Nuri, kanë publikuar një sërë problemesh që po e shoqërojnë këtë proces, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi integritetin e tij. Drejtuesja politike e diasporës në Partinë Demokratike, Jozefina Topalli, ka shprehur besimin e saj të fortë se diaspora do të japë një goditje të fuqishme keqqeverisjes së Edi Ramës, duke theksuar se kjo është edhe arsyeja që shumë shqiptarë kanë ikur nga Shqipëria. “Diaspora do të bëjë rrotacionin e madh, ndryshimin historik, në një akt të thellë drejtësie ndaj vetes dhe kombit. Shqiptarët po votojnë masivisht, dhe kjo duket nga mesazhet që ata dërgojnë. Po e themi se viti i diasporës është më shumë se një thënie, sepse ata do të bëjnë ndryshimin e thellë,” tha Topalli. Ajo shprehu disa shqetësime të ngritura nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe bëri thirrje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të veprojë menjëherë për t’u dhënë mundësi atyre që të ushtrojnë të drejtën e votës. Tre ditë më parë edhe mazhoranca ngriti shqetësim në KQZ për keqmenaxhimin e procesit zgjedhor të Diasporës, socialistët evidentuan si problem se në disa raste, kryesisht në Greqi dhe Italia kompania DHL nuk ka respektuar protokollet si dhe krijohen vështirësi në komunikimin me postën. “Mosrespektimi i protokolleve të njoftimit nga DHL përmes emailit dhe SMS-ve, sidomos në Greqi dhe Itali. Vështirësi në komunikim me DHL, ku kontaktet nuk përgjigjen ose shfaqen si “call failed”. Refuzim i marrjes së zarfeve të kthimit nga DHL, sidomos në Greqi, dhe raste kur qytetarëve u kërkohet ta dorëzojnë fizikisht në pikën postare. Kërkesa për pagesë për kthimin e zarfeve nga ana e DHL. Fletë votimi mungojnë në zarf, me raste konkrete në SHBA, Itali, Angli dhe Greqi”thuhej në shqetësimin e PS-së.
Problemet e konstatuar
Një nga problemet kryesore është vonesa në dërgimin dhe marrjen e fletëve të votimit nga kompania ndërkombëtare DHL, shpesh përtej afateve ligjore. Sipas PD-së, shumë qytetarë kanë marrë vetëm zarfin e parë, por jo vizitën e dytë të postierit për të dorëzuar votën, duke e bërë procesin të pamundur për t’u përmbyllur. Në disa raste, zarfet janë lënë në mënyrë të paautorizuar nëpër ambiente të hapura, ose janë dorëzuar te persona të tretë pa leje, duke kompromentuar parimin e votës së fshehtë. Janë raportuar gjithashtu probleme me materialet brenda zarfeve, mungesa, gabime në të dhëna, apo fletë të pavlefshme për mungesë vule zyrtare. Një tjetër shqetësim është përdorimi i të dhënave personale nga subjekte politike, si dhe përfshirja e individëve të paautorizuar në mbledhjen apo rikthimin e zarfeve në disa zona të Greqisë. Në Hania dhe qytete të tjera të Kretës, persona të ndryshëm kanë deklaruar publikisht se veprojnë në “bashkëpunim me DHL”, duke grumbulluar apo shpërndarë zarfe në mënyrë kolektive.“Organizimi kolektiv dhe ndërhyrja e paautorizuar në procesin e votimit cenon drejtpërdrejt integritetin e procesit dhe hap rrugë manipulimeve. Autoritetet duhet të ndërhyjnë menjëherë për të hetuar dhe ndjekur penalisht këto veprime të organizuara”, u shpreh juristi i PD-së në KQZ, Franc Nuri. Deri tani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dhënë një reagim zyrtar ndaj akuzave të ngritura nga PD. Ndërkohë, koha për votimin nga jashtë është gjithnjë e më e kufizuar dhe ka rrezik që shumë vota të mbeten të papërdorura apo të pavlefshme për shkak të parregullsive në zinxhirin e dorëzimit dhe kthimit të zarfeve. Opozita kërkon që institucionet të reagojnë menjëherë, të garantojnë proces të sigurt dhe të kontrolluar dhe të shmangin çdo tentativë për manipulim apo shkelje të të drejtës së votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.