Kryeministri Edi Rama e cilësoi tepër serioz projektin për ndërtimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit, ku është i përfshirë edhe dhëndri i Presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner.
Rama tha se ideja e investimit në atë zonë do të avancojë dhe u shpreh se nuk ka lidhje me presidentin Donald Trump. Ai u shpreh se projekti ka marrë një miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe se do të shkojë për një miratim të dytë, sipas ligjit, dhe do të vazhdojë.
“Ajo ide ka avancuar, dhe do të avancojë deri në fund, sepse nuk ka lidhje me Donald Trump-in. Dhe përsëri, edhe sot që ai është president i SHBA, ai projekt nuk ka lidhje me Donald Trumpin. Nuk është bërë pse Donald Trump ishte kandidat për president, sepse ka filluar kur nuk e llogariste njeri si fitues të mundshëm dhe madje shumica mendonin që do shkonte dhe në burg dhe nuk do të vazhdojë pse ai është president sot. Ai është një projekt tanimë shumë serioz dhe do të vazhdojë. Ka marrë edhe një miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit si fillim, do të vijë për një miratim të dytë, sipas ligjit, dhe do të vazhdojë”, tha Rama në intervistën për A2 CNN./E.S