Nga ARTUR AJAZI
Gjithë fushata e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 për opozitën, është rrotulluar në tre faktorë, primaret, premtimet, Civita, dhe së fundi çeku 6 milion dollarë. Po ta kundrosh me kujdes Sali Berishën, ai në çdo dalje elektorale premton, premton, dhe nuk harron të jetë i kujdesshëm për pyetjet që i bëhen lidhur me primaret skandaloze, pagesën e LaCivita, dhe çekun 6 milion dollarë. Berisha nuk ka sqaruar deri sot asnjë prej dilemave dhe skandaleve që kanë të bëjnë me përjashtimet pas primareve (të cilat janë shkaku që mërziti bazën dhe do ti sjellin atij humbjen) premtimeve të bujshme me “rritje rrogash, pensionesh dhe subvensionesh”, dhe së fundi “qershia mbi tortë”, lobimi me 6 milion dollarë nga një “dashamirës” i PD. Madje ky i fundit, mbetet skandali më i padëgjuar në politikën shqiptare dhe jo vetëm. Të lobosh me 6 milion dollarë në SHBA për të hequr “non-grata”, e të deklarosh se “unë jam i pakorruptueshëm”, apo dhe tu kërkosh votën shqiptarëve se “me mua në qeverisj,e ju do të jetoni më mirë”, kjo është absurde. Në fushatë, politikani shkon “me duart e pastra”, me program bindës, pa fshehur asgjë lidhur me ndonjë aferë apo skandal financiar. Ky që Berisha i bëri vehtes (por dhe partisë tij) mbetet “vetëvrasja politike”, e cila do ta shpjerë PD-në drejt humbjeve të tjera.
E ndersa ai thërret, akuzon dhe drejton gishtin drejt kryeministrit Rama, e ministrave sepse “janë pasuruar duke zhvatur paratë e shqiptarëve”, padyshim e ka detyrim moral dhe politik, të sqarojë burimin e 6 milion dollarëve, që qenkan dhënë për heqjen e “non-gratës”. Partia Demokratike, ndoshta kishte “shansin e artë”, që pas 12 vitesh në opozitë, të ishte konkurente dinjitoze, dhe pse jo, të rrezikonte fitoren e Partisë Socialiste, në rast se do të kishte lidership të ri. Por edhe në rast se nuk do të prezantohej në fushatë me “xhaketat e vjetra” dhe milionerët e saj. Kjo fushatë, ishte thjesht një ekspeditë rehabilituese ndaj figurës së Berishës. Dhe si të mos mjaftonte kjo, zoti Berisha akoma nuk ka bërë transperencën e milionave që ka firmosur me La Civita-n. Pra, nuk është një, dy, apo tre, “bëma” që e bëjnë humbjen e PD në 11 Maj, të padiskutueshme, por janë me dhjetra. Të mos harrojmë reagimet që vijnë nga baza e asaj partie, që lidhen me habinë e madhe, të milionave që shpenzohen për lobime, avoketër, këshilltarësh amerikanë, apo gjyqeve me tarifa të shtrenjta në SHBA dhe Britani për liderin e tyre historik. PD e ka të pamundur të ndahet nga e djeshmja, të ndahet nga e liga dhe e vjetra. Ajo do të mbetet ndoshta përherë, partia e Berishës, si shkaku kryesor i humbjeve elektorale dhe shkatërrimit të vlerave mbi të cilat ajo u formua nga studentët, dhe u rrëmbye nga ish-komunistët.