Katër vite pas shpalljes “non grata” të kreut të PD-së Sali Berisha, nga SHBA duket se vijnë sinjale positive për t’i hequr gradualisht sanksionin. Berisha la shumë të paqartë nësë i është hequr ndalesa hyrëse në SHBA, por entuziazmi erdhi pas një shkrimi të botuar nga gazetari Marc Caputo, i cili publikoi “qëndrimin e DASH”, që do t’i hiqet ndalesa u udhëtimit, duke e konsideruar një vendim politik “non gratën”, të marrë nga administrata Biden.
Fiks katër vite pasi u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Sali Berisha ka sinjalizuar për një ndryshim të mundshëm në qëndrimin e SHBA ndaj tij. Më 19 maj 2021, Sekretari i atëhershëm i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se Berishës dhe familjes së tij i ndalohej hyrja në Shtetet e Bashkuara, me akuzën për korrupsion madhor dhe minimin e demokracisë. Dje, në majin e vitit 2025, debati është rihapur, me vetë Berishën që flet për një “dënim të vendimit politik” të administratës së mëparshme amerikane. Në një dalje për mediat, kreu i Partisë Demokratike deklaroi se: “Departamenti Amerikan i Shtetit, i drejtuar nga Sekretari i ri Marco Rubio, ka dënuar vendimin politik të marrë më parë nga administrata Biden”. Sinjalin e parë e ka dhënë gazetari amerikan Marc Caputo që punon për agjencinë “Axios”, një media me tepër influencuese sesa me lexueshméri të lartë. Ai është një reporter i njohur, i atashuar pranë Shtëpisë së Bardhë, dhe me këtë cilësi i ka bërë një pyetje Departamentit Amerikan të Shtetit, nëse kreu i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha mund të vizitojë Shtetet e Bashkuara. Në një koment në rrjetin “X” ai thotë: “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA” – shkruan gazetari që publikon edhe përgjigjen e DASH. Pikërisht këtu është interesante të lexohet me lupë teksti. Aty nuk flitet për heqje të sanksionit, por për raste përjashtuese. “Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare”, i është përgjigjur DASH Marc Caputos. Pra duket sikur vendimi për të anulljmuar dekretin e Blknkenit ende nuk është marrë, por ka një qasje që politikisht ai të zhvlerësohet. Dhe kjo duket qartë në pjesën e dytë të deklaratës të lëshuar nga DASH. Sepse aty theksohet se vendimi i Blinken la qenë politik, se ai është marrë ́në mënhrë të dhshimtë dbe se ainm ka dëmtuar marëdhëniet mes dy popujve. “Ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it” – thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguar për gazetarin, ku togfjalshi “nuk do të lejojmë”, parathotë atë që do të ndodhë në të ardhmen. Duke e konsideruar këtë si një zhvillim me rëndësi rajonale dhe ndërkombëtare, Berisha falënderoi personalisht Sekretarin Rubio dhe ish-presidentin Donald Trump për qëndrimin e tyre të ri. “Ky vendim është një dënim i atij vendimi politik. DASH ka deklaruar se nuk përkrah qëndrimet politizuese të administratës së mëparshme. Kjo është një përgjigje shumë e fuqishme për përpjekjet e Edi Ramës, Xhorxh Sorosit dhe Blinken për të asgjësuar opozitën konservatore në Shqipëri,” tha Berisha. Megjithatë, nëse ndalesa zyrtare ndaj tij dhe familjes është hequr apo jo, Berisha shmangu një përgjigje të prerë. “Non grata është konsideruar vendim politik. Është dënuar ai vendim. Kjo është e qartë. Por nuk ka një përgjigje të re formale nga DASH. Ajo që ka ndryshuar është qëndrimi politik,” u shpreh ai. I pyetur nëse ka marrë njoftim zyrtar nga Departamenti i Shtetit për ndryshimin e këtij vendimi, Berisha tha se “nuk kam marrë asnjë përgjigje” dhe sqaroi se nuk ka kërkuar vizë për në SHBA që prej vitit 2013, kur la detyrën e Kryeministrit. “Unë nuk kam bërë asnjë kërkesë për vizë që prej vitit 2013. Dhe nuk kam plan të udhëtoj këto ditë, sepse jemi në kulmin e fushatës. Por sigurisht, në një moment të përshtatshëm, do të shkoja. Ky vendim është i rëndësishëm, është një vlerësim i madh për demokratët që nuk u tërhoqën nga e vërteta,” theksoi ai. Deklarata e Berishës vjen pas një njoftimi të lëshuar nga Partia Demokratike, e cila la të kuptohet se ndalesa hyrëse për kreun e saj mund të mos jetë më në fuqi. Megjithatë, asnjë dokument zyrtar nga autoritetet amerikane nuk është publikuar deri më tani, ndërsa asnjë burim nga Departamenti i Shtetit nuk ka konfirmuar ndryshimin e statusit të Berishës. Kjo situatë lë të hapur shumë pikëpyetje: A ka ndryshuar realisht qëndrimi zyrtar i SHBA? A është ky thjesht një interpretim politik i një deklarate apo një sinjal konkret për heqjen e sanksioneve ndaj Berishës? Dhe, mbi të gjitha, a përfshin ky zhvillim edhe anëtarët e familjes së tij, të cilët njësoj si ai, ishin përfshirë në vendimin e vitit 2021? Përgjigjet mbeten për t’u parë, ndërsa një gjë është e sigurt: katër vite pas shpalljes “non grata”, Sali Berisha duket më i vendosur se kurrë për të shpallur një triumf moral ndaj një prej aleatëve më të mëdhenj të Shqipërisë. Dhe kjo, në prag të një tjetër beteje elektorale.