Shqipëria është gati të presë më 16 maj Samitin e Komunitetit Politik Europian, ku do të mbledhë në zemër të kryeqytetit dhjetëra liderë nga e gjithë Europa. Takimi i nivelit të lartë do të zhvillohet në sheshin ‘Skëndërbej’ ku është ngritur një strukturë e posaçme për mikpritjen e liderave.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një mesazh simbolik në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti dhe nga ana tjetër Rama i drejtohet dhe bustit të ‘Skëndërbeut’ në statusin e tij.
“Më 16 maj të gjithë ata do të mblidhen nga të katër anët e Europës në sheshin tënd o Mbret dhe ne, stërnipërit e tu do të jemi të gjithë krenarë për emrin e Shqipërisë tonë, që do të shqiptohet në të gjitha gjuhët e botës,” shkruan Rama.
Samiti pritet të fokusohet në çështje kyçe, përfshirë sigurinë, energjinë dhe forcimin e bashkëpunimit politik mes vendeve europiane.
Më poshtë renditet axhenda zyrtare e Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë për ditën e premte, më 16 maj 2025:
10:00 – Mbërritje
11:00 – Ceremonia e hapjes
11:30 – Foto familjare
11:45 – Seanca e parë plenare
13:00 – Dreka zyrtare
14:30 – Tryeza tematike
15:45 – Takime dypalëshe midis Kryetarëve të Delegacioneve
17:30 – Seanca plenare mbyllëse
18:30 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryeministrin e Danimarkës (pritesi i radhës)
/e.t