Pas zgjedhjeve të 11 majit, edhe një herë kuptuam atë që e kishim kuptuar me vite: Sali Berisha dhe Flamur Noka janë Don Kishoti dhe Sanço Panço i politikës shqiptare. Dështimi i tyre ishte lehtësisht i parashikueshëm, sepse nuk janë thjesht humbës, por qesharakë.
Ata kanë vite që luftojnë kundër “mullinjve të erës”, duke bindur veten se janë opozita e vërtetë shqiptare dhe se vetëm ata mund ta shpëtojnë Shqipërinë. Berisha bën si idealist i madh, por gjithë Tirana e di se Kulla e Malit, me çmim 10,000 euro metri katror, është kalaja e tij familjare. Rekord në politikën shqiptare, kur e mendon, që një njeri të pasurohet vit pas viti pa pushtet në dorë.
Një parti politike është aset kombëtar, por Berisha mendon ndryshe. Sipas tij, PD është pronë personale. Ashtu si Don Kishoti, doktori shpiku armiq imagjinarë dhe u shfaq si misionari që do të mposhtë Perëndimin. I dizenjuar “non grata” nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, ai premtoi se do të mposhtte dy perandori duke marrë për kalë një gërdallë. A nuk bëri kështu edhe Don Kishoti? Po, pikërisht kështu. Një gërdallë. Gërdalla është kupola aktuale e demokratëve.
Emrat kryesore të përzgjedhur nga Berisha për zgjedhjet e 11 majit u refuzuan nga populli. PD pësoi goditjen më të rëndë të këtij mijëvjeçari, por Berisha nuk zë mend. Ai nuk e lëshon kolltukun, edhe pse kolltuku ka zënë ndryshk. E lan dhe e shpëlan kolltukun me vajin e militantëve, të cilët janë mësuar të qajnë prej shumë palë zgjedhjesh.
“Krim elektoral! Masakër zgjedhore! Droga, krimi, droga, krimi! Protestë! Luftë! T’u vërsulemi!” Këto janë fjalët që dëgjojmë prej Berishës që nga viti 1992. Shqiptarët janë lodhur tashmë dhe nuk duan ta shohin më me sy, por ai do të jetë gjithmonë aty.
Socialistët e thonë hapur: “Lum Rama që ka Berishën!” Këtë e thotë edhe pjesa gri e elektoratit. Vetëm 400-450 mijë njerëz nuk e thonë. Janë militantët. Janë simpatizantët kokëfortë, të cilët mendojnë se Shqipëria shpëton vetëm me Berishën.
Në Shqipëri, ndërkohë, kanë filluar talljet në rrjet. Berisha po krahasohet me yllin e Real Madrid, Kylian Mbappe. Jo për aftësitë, moshën apo pamjen, sepse nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, por për të përbashkëtën e tyre: disfatën. Mbappe shkoi në Madrid si hero për të fituar trofe, por po e mbyll vitin pa fituar asgjë. Për fatin e tij të mirë, Mbappe ka simpatinë e miliona tifozëve dhe është i ri. Ai ka plot shanse për sukses, sidomos në një skuadër të shkëlqyer si Los Blancos. Çështja është se Berisha nuk ka as moshën, as skuadrën dhe as aftësinë.
Pyetja që shtrojmë është e thjeshtë. Shqiptarët pritën vdekjen e Enver Hoxhës për të ardhur dita e pluralizmit. A do të presin vdekjen e Berishës për të shpëtuar opozitën? Kjo është prova e radhës për opozitarët. Nëse Berisha nuk shkulet nga kolltuku i kryetarit të partisë, a do të durojnë demokratët 16 vite në opozitë? Nëse po, atëherë në Shqipëri do ta fshijmë fjalën “meme” dhe do ta zëvendësojmë me fjalën “berishizëm”.