Partitë e reja qenë shumë të zëshme gjatë muajve të fundit dhe u prit që ato të bënin befasinë e madhe në zgjedhjet e 11 majit. Nuk ndodhi pikërisht kështu, por secila prej tyre fitoi minimalisht një vend në parlament dhe ky është vetëm fillimi i rrugëtimit të tyre në politikë.
Le të bëjmë një bilanc të shkurtër për të kuptuar se cili personazh fitoi më shumë këto zgjedhje, Adriatik Lapaj, Agron Shehaj apo Arlind Qori.
Shehaj fitoi betejën e Tiranës – Partia Mundësia e Agron Shehajt u tregua më efikase, duke u përqendruar kryesisht në qarkun Tiranë. Kjo parti deri tani ka 23,500 vota, të mjaftueshme për të marrë dy mandate. Shehaj vendosi një rekord të lavdërueshëm, sepse asnjë parti e re më parë nuk e kishte arritur këtë rezultat. Ai fitoi betejën e qarkut Tiranë, duke parakaluar në numër votash edhe Tomë Doshin, jo vetëm Lapajn dhe Qorin.
Lapaj fitoi betejën e qarqeve – Ndryshe nga Shehaj, Lapaj i partisë Shqipëria Bëhet bëri fushatë në çdo qark të Shqipërisë. Gjithsej, ai rezulton forcë e tretë në Lezhë, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër. Pra, nga 12 qarqe gjithsej, ai e fitoi betejën me Shehajn dhe Qorin në 8 qarqe. Ajo që nuk parashikohej ishte rezultati i tij në Tiranë, ku ka fituar një mandat.
Bilanci total – Partia Mundësia e drejtuar nga Agron Shehaj është partia e re më e votuar në qarkun Tiranë dhe partia e re me më shumë mandate (2, nëse e ruan të dytin në Tiranë). Partia Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt është e treta në rang kombëtar. Sipas projeksioneve, po merr gjithsej mbi 65 mijë vota. Lapaj është i riu më i votuar në 8 nga 12 qarqet e Shqipërisë. Nëse merr mandatin në qarkun Fier (rreth 400 vota larg për momentin), atëherë ai maksimalizon shifrat e tij duke barazuar Shehajn për numër mandatesh. Arlind Qori, ndërkohë, më modest në fushatë dhe skuadër, mori një mandat në qarkun Tiranë, rezultat i kënaqshëm, edhe pse jo befasues.
Përfundimi, me një fjali: Shehaj është alternativa e re më e votuar e metropolit, kurse Lapaj alternativa e re më e votuar në Shqipëri. (m.p.)