Alba Malltezi
E ndërsa pjesa më agresive dhe e palogjikshme e lidershipit aktual të Partisë Demokratike po përgatitet të bëjë ritet vudu të radhës: Pra të justifikohet para elektoratit të tij se humbja e thellë dhe e disata është faji i gjithë të tjerëve (Ps, media, popull, diasporë, etj.etj. ), vetë elektorati i djathtë ka dhënë shenja të qarta se kë preferon.
Të lënë në listën e hapur, (edhe pas primareve të suksesshme), pas blindimit që Berisha i bëri më agresivëve dhe besnikëve, të njohur botërisht, në listat e mbyllura (duke injoruar qëllimshëm që në primare mendimin e anëtarëve të PD-së) Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti janë votuar shumë nga të djathtët e Tiranës. Me votimin dhe besimin ndaj tyre sinjalet janë të qarta: E djathta shqiptare kërkon të ketë si përfaqësues në Parlament të djathtë të logjikshëm, të ekuilibruar, konstruktivë, me traditë, me dinjitet, tamam siç Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti perceptohen.
Të mësuar me shijet ekstreme (si ata njerëz që janë ushqyer me gjellë me shumë kripë ose me shumë sheqer), simpatizantë nëpër rrjete sociale, sigurisht edhe individë brenda partisë, bëjnë sikur nuk e vënë re këtë sinjal. Interesi i lidershipit aktual të Partisë Demokratike është që ta mbajë partinë dhe militantët të tensionuar dhe të acaruar, me qëllim që të zbehë arsyet e vërteta të humbjes madhështore që pësuan, pavarësisht milionave të shpenzuara të deklaruara, por sidomos të padeklaruara (ende të pajustifikuara para shtetit dhe drejtësisë). Prandaj këto ditë do të dëgjojmë “klithje” politike nëpër studio, portale, deklarata dhe nxitje për dhunë apo marshim.
Po vetë të djathtët ende nuk ja kanë bërë pyetjen liderëve të tyre: Sa paguhen ata që sot ulërasin nëpër studio e nëpër foltore e portale për Sali Berishën? Kush janë brenda PD-së ata që kërkonin përplasje me armë, braktisje institucionesh, dhunë e ofendime për këdo? Çfarë kanë përfituar dhe përfitojnë dhe mbi të gjitha: Përse e bëjnë? Të mbash situatën të acaruar, të mos lejosh aspak kohë për reflektim dhe kuptimin thellësisht të gabimeve (edhe pse janë shkruar nga të tjerë analistë e gazetarë politikë) është një taktikë e ripërsëritur e që po e shohim të hidhet në veprim pas të parave mbledhje partiake të PD-së. Sulmo këdo, pasi të gjithë do të merren me këtë dhe jo rezultatin e punës së tyre pa mend në kokë.
Nëse do të duan një shans të ri, mbështetësit dhe zgjedhësit e Partisë Demokratike duhet të lexojnë mirë sinjalet: Do të vazjdojnë me “talebanizmin” politik,(duket qartë sa të pavotuar janë “kamikazët” politikë e të dhunshëm) apo do të nxjerrin në sipërfaqe më të mirët? Ndryshe, nuk është as e para dhe as e fundit parti që ikën në botën tjetër, bashkë me liderin që e ka mbërthyer, duke ja lënë vendin të tjerëve opozitarë, që në këto zgjedhje janë një embrion që po çan asfaltin si ato lulet që shohim herëpashere.