KQZ ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës, duke thënë se mospërputhja mes fletëve të votimit dhe zarfeve nuk lidhet me ndërhyrje apo manipulime, por me gabime në mënyrën e dërgimit të votës. Të gjitha këto raste janë të dokumentuara me procesverbal, ndërsa opozita konteston procesin me votën e diasporës duke hedhur akuza për manipulime masive. Kandidatët e listave të hapura në rivalitet se kush do të futet në Parlament.
Pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe nisjes së numërimit të votave të ardhura nga diaspora, në disa qarqe janë vënë re mospërputhje mes numrit të fletëve të votimit dhe numrit të zarfeve. Ky fakt është përdorur nga opozita për të ngritur dyshime për manipulim të mundshëm, duke pretenduar që në procesin e administrimit të votës së emigrantëve është ndërhyrë në mënyrë të paligjshme. Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë një sqarim të plotë dhe zyrtar mbi këtë çështje, duke rrëzuar çdo pretendim për manipulim. Sipas KQZ-së, këto mospërputhje nuk lidhen aspak me tentativa për deformim të votës, por me gabime teknike nga ana e vetë emigrantëve, të cilët nuk kanë ndjekur saktë udhëzimet për dërgimin e votës. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka bërë të ditur se janë dy rastet më të shpeshta që kanë shkaktuar këtë situatë: e para, kur emigrantët kanë dërguar fletën e votimit vetëm brenda zarfit A, duke mos përfshirë zarfin B që është i nevojshëm për skanimin elektronik. Sipas tij, janë 2,696 raste të tilla, të cilat janë administruar si vota të parregullta, por janë dokumentuar dhe numëruar. E dyta, është kur disa anëtarë të një familjeje kanë futur të gjitha fletët e votimit në një zarf të vetëm B, duke sjellë më shumë fletë votimi se zarfe në sistemin e skanimit. Celibashi ka theksuar se në asnjë rast nuk bëhet fjalë për ndërhyrje të paligjshme apo manipulim të rezultatit. Të gjitha këto raste janë të dokumentuara me procesverbale përkatëse, ndërsa në faqen zyrtare të KQZ-së është vendosur një shënim sqarues për çdo qark, ku tregohet qartë dallimi mes zarfeve të skanuara dhe atyre të numëruara manualisht. Në të dhënat e publikuara deri pasditen e djeshme, rezulton se janë numëruar 194,621 zarfa nga 195,140 të skanuar. Diferenca lidhet me zarfet që nuk mund të skanohen automatikisht, si dhe me rastet e votave të futura në kutitë e posaçme që verifikohen me dorë dhe krahasohen me manifestin e dërgesës nga kompania postare. Në përfundim, çdo dyshim i hedhur mbi manipulimin e votës së diasporës bie poshtë përballë fakteve dhe transparencës së garantuar nga KQZ. Jo manipulim, por thjesht gabime njerëzore në një proces të ri për shumë emigrantë që votuan për herë të parë nga jashtë vendit.
Lufta brenda llojit
Partia Socialiste ka arritur të konsolidojë pozitat në zgjedhjet e 11 majit, duke u renditur e para me 83 mandate, ndërkohë që Partia Demokratike mbetet në kuotën e 50 mandateve. Partia Socialdemokrate dhe lëvizja “Mundësia” kanë siguruar nga 2 mandate, ndërsa Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë kanë fituar nga 1 mandat secila. Pas përfundimit të numërimit të fletëve për subjektet zgjedhore në 9 qarqe, betejat më të forta janë zhvendosur në listën e hapur, ku po zhvillohet gara për kandidatët individualë në 6 qarqe, me fokus të veçantë në Tiranë. Në Tiranë, gjatë numërimit të votave të diasporës së Greqisë në ambientet e Parkut Olimpik, deputetja Olta Xhaçka ka arritur të kalojë kolegen e saj brenda PS-së, Blerina Gjylameti, në një garë të ngushtë për mandatin që i takon kuotës gjinore në listën e hapur. Xhaçka, me mbështetjen e 43 mijë votave të diasporës greke, mban tani një avantazh të lehtë, por të pa certifikuar zyrtarisht. Gjylameti kishte qenë përpara me vetëm 19 vota, por pozitat janë përmbysur pas përfshirjes së kutive të diasporës. Edhe brenda PS-së në Tiranë, Ornaldo Rakipi ka krijuar një diferencë prej rreth 200 votash ndaj Xhemal Qefalias, duke e vendosur veten më pranë mandatit. Sipas të dhënave nga KQZ, janë numëruar 198 mijë zarfe të ardhura nga diaspora, ku Partia Socialiste ka marrë 60.83% të votave, krahasuar me 23.73% të Partisë Demokratike. Diferenca mes tyre në vota të emigrantëve ka kaluar mbi 73 mijë. Në total kombëtar, PS ka mbi 853 mijë vota dhe një diferencë prej më shumë se 323 mijë ndaj PD-së, që qëndron me rreth 529 mijë vota. Në Kukës, gara për listën e hapur brenda PD-së u mbyll me përmbysjen e Shkëlqim Shehut nga deputeti Isuf Çela. Në Lezhë, PD ruajti mandatin e katërt me Kastriot Pirolin, ndërsa në PS gara më e fortë është mes Admir Kadelit dhe Marjeta Nelit, ku kjo e fundit ka një epërsi me qindra vota. Ndërkohë në Tiranë, gara në PD konsiderohet e mbyllur, me Jorida Tabakun që kryeson ndjeshëm përballë Ilir Alimehmetit me afro 3 mijë vota avantazh. Po kështu, ministrja Anila Denaj është konfirmuar si përfaqësuese e kuotës gjinore përmes listës së hapur në PS. Në Korçë, deputetja Besa Spaho përpiqet të mbrojë mandatin nga kolegia e saj socialiste Eslemvera Zake, në një tjetër përballje të ngushtë brenda listës së hapur. Rezultatet përfundimtare dhe renditja zyrtare priten të konfirmohen në ditët në vijim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi përpunohen të gjitha votat preferenciale dhe bëhen verifikimet përfundimtare.