Kushtetuesja zbardh vendimin për Elton Qynon: Materialet u sekuestruan pa asnjë indicie

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e 22 prillit 2025 për rastin e gazetarit Elton Qyno, të cilit i dha të drejtë me një vendim unanim (8 me 0) ku vendosi shfuqizimin e vendimeve të gjykatave për sekuestrot e materialeve të Qynos dhe në fund asgjësimin e tyre.

Gjykata thekson se e drejta për të mbrojtur një burim të gazetarit, si pjesë e lirisë së shtypit, është një nga elementet thelbësore të funksionimit të sistemit demokratik pluralist, megjithatë ajo mund të kufizohet vetëm me ligj për interes publik mbizotërues ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve në raport të drejtë me gjendjen që e dikton kufizimin dhe pa asgjësuar thelbin e lirisë së shtypit.

Kjo nënkupton që kufizimi i kësaj të drejte justifikohet vetëm nëse nuk ekzistojnë mjete alternative për të arritur të njëjtin qëllim, pra që identifikimi i burimit është mjeti i vetëm ose i fundit, në kuptimin qëtë gjitha mjetet e tjera të mundshme janë shteruar dhe se interesi legjitim për zbulimin e burimit të informacionit është më i rëndësishëm se sa interesi publik për ruajtjen e konfidencialitetit.

Gjykata thekson se kur zbatohen kufizimet e mësipërme ligjore, argumentet në favor të ruajtjes së sekretit hetimor ose të urdhërimit të gazetarit për të treguar burimet e tij duhet të parashtrohen nga prokuroria dhe gjykatat e zakonshme në mënyrë sa më bindëse që është e mundur, duke treguar njëherazi që ekspozimi i burimit të gazetarit është mjeti jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i fundit në dispozicion për të vërtetuar veprën penale dhe për të garantuar efektivitetin e procedimit penal. Me fjalë të tjera, ato duhet të arsyetojnë përpjekjet e kryera për marrjen e të dhënave nga burime të tjera prove dhe pamundësinë e sigurimit të të dhënave të synuara nga burime të tjera, duke treguar në këtë mënyrë se ekspozimi i burimit të gazetarit është mjeti i vetëm për ato të dhëna, të cilat janë të domosdoshme për efektivitetin e procedimit penal, pasi interesi për përfundimin me sukses të tij dhe vënia përpara përgjegjësisë penale është më i lartë në raport me mbrojtjen e burimit të gazetarit, si pjesë e lirisë së shprehjes. Po kështu, gjykatat e zakonshme duhet të dallojnë rastin kur prokuroria po zhvillon hetime që lidhen me një sjellje të supozuar penale të gazetarit nga rasti i hetimeve të cilat kanë si qëllim kryesor marrjen e informacionit lidhur me burimin e gazetarit dhe vetë gazetari nuk ka kryer ndonjë vepër penale. Në këtë rast të fundit, garancitë për ndërhyrje në të drejtën e mbrojtjes së burimit janë më të forta dhe nevoja për arsyetimin bindës të gjykatave është më e lartë.

Gjykata vëren se kërkuesi është thirrur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në datën 13.12.2023 për t’u pyetur për burimin e informacionit të materialeve që ai kishte publikuar në cilësinë e gazetarit në një media online. Pas refuzimit të kërkuesit për të identifikuar burimin e informacionit, brenda së njëjtës ditë, GJKKO-ja e Shkallës së Parë ka dhënë vendimin për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike, të cilat gjendeshin në pajisjet kompjuterike të sekuestruara si prova materiale gjatë kontrollit të banesës dhe të vendit të punës së kërkuesit, kontroll i lejuar gjithashtu me vendimine po asaj date të së njëjtës gjykatë. Kërkuesi nuk ishte subjekti ndaj të cilit kishte filluar procedimi penal, pra sekuestrimi i të dhënave kompjuterike kishte për qëllim vetëm identifikimin e burimit. Ashtu siç pohon kërkuesi, parashtrim që nuk është kundërshtuar nga subjekti i interesuar, në të dhënat kompjuterike gjendeshin burimet e informacionit të kërkuesit, që shfrytëzoheshin nga ai në ushtrimin e detyrës së gazetarit. Vendimi gjyqësor për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike u vleftësua i ligjshëm edhe nga gjykatat më të larta, të cilat në arsyetimin e tyre kanë pohuar se kontrolli i vendeve (banesë dhe zyrë) dhe sekuestrimi i të dhënave kompjuterike ndërhynte në lirinë e shprehjes së kërkuesit. Sipas tyre, sekuestrimi i të dhënave kompjuterike në pajisjet e sekuestruara si prova materiale gjatë kontrollit ka synuar zbulimin e burimit të informacionit të kërkuesit, në cilësinë e gazetarit dhe më pas gjykimin e personave përgjegjës si autorë të veprave penale të zbulimit të të dhënave sekrete dhe shpalljes së tyre në kundërshtimme ligjin.

Në këto rrethana, Gjykata çmon se thirrja e kërkuesit për të treguar burimin e informacionit dhe sekuestrimi i të dhënave kompjuterike nga pajisjet e sekuestruara gjatë kontrollit të vendeve kanë kufizuar lirinë e shtypit, në aspektin e identifikimit të burimeve që ai kishte për shkak të profesionit të gazetarit, ndaj, në vijim, do të analizojë nëse kufizimi është vendosur vetëm me ligj, për një interes publik dhe në mënyrë proporcionale.

Lexo edhe :  Drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme: Kemi 35% të mungesave në organikë

Gjykata evidenton se në datat 10.12.2023 dhe 11.12.2023 kërkuesi ka publikuar artikuj, në të cilat pasqyroheshin të dhëna që u përkisnin akteve të hetimit paraprak të prokurorisë.Në datën 11.12.2023, prokuroria regjistroi procedimin penal dhe të nesërmen, më 13.12.2023, ora 11:00, kërkuesi është thirrur në Prokurorinë e Posaçme ku fillimisht ka nënshkruar një deklaratë për ruajtjen e sekretit dhe ndalimin e publikimeve të akteve sekrete ose të dhënave që përmbanin këto akte që i përkasin procedimit penal nr. 75/2022, detyrim të cilin ai e ka pohuar në seancën plenare se e ka respektuar dhe që nuk është kundërshtuar nga subjekti i interesuar. Ndërkohë, po në datën 13.12.2023, ora 15:15, GJKKO-ja e Shkallës së Parë ka miratuar kërkesën e prokurorit për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike, vendim i cili është ekzekutuar në orën 20:20 (në prani të kërkuesit) në banesë dhe në orën 22:30 në vendin e punës. Ndërkohë, nga të dhënat bashkëlidhur ankimit kushtetues individual, rezulton se kërkuesi ka qëndruar në Prokurorinë e Posaçme deri rreth orës 18:00. Ndërsa me urdhrin e datës 14.12.2023 Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar kërkuesin për ruajtjen e sekretit, ndalimin e publikimit të akteve dhe përmbajtjes së tyre nëpërmjet shtypit dhe informacionit masiv për sa i përket procedimit penal nr. 75/2022 dhe se në rast moszbatimi ai do të mbante përgjegjësi penale, sipas nenit 295/a, paragrafët 4 dhe 5, të KP-së.

Pa pritur efektet e urdhrit për ruajtjen e sekretit dhe ndalimin e publikimit të akteve, dhe pa pasur ndonjë indicie që ky urdhër nuk do të zbatohej nga kërkuesi në cilësinë e gazetarit, prokuroria brenda pak orësh ka paraqitur në gjykatë kërkesat për kontrolle dhe sekuestrim të sendeve dhe provave materiale, kërkesa të cilat janë pranuar.

Në vlerësimin e Gjykatës dhe duke mbajtur në konsideratë qëllimet legjitime të sekuestrimit të të dhënave kompjuterike, kjo mënyrë veprimi e organit procedues (prokurorisë dhe gjykatave) nuk ka qenë në përpjestim të drejtë me gjendjen që e ka diktuar atë. Kështu, për sa i takon qëllimit legjitim të parandalimit të rrjedhjes së informacionit dhe të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të bashkëpunëtorit të drejtësisë (qëllimi i sekuestros preventive), duket që prokuroria dhe gjykatat e zakonshme kanë vepruar pa pritur efektet e urdhrit të sekretit hetimor, dhe për rrjedhojë edhe pa analizuar përse ishte e nevojshme të përdorej me urgjencë mjeti i fundit, ai i sekuestrimit. Po ashtu, për sa i takon qëllimit legjitim të vërtetimit të veprave penale që po hetoheshin (sekuestro provuese), gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar se përse marrja e të dhënave të nevojshme për hetimin mund të realizohej vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit të gazetarit, si mjet i fundit dhe i vetëm, pra përse nuk ekzistonin mjete të tjera alternative për të arritur qëllimin provues të sekuestros. Gjithashtu, nga përmbajtja e këtyre vendimeve, nuk rezulton e pasqyruar as analiza e urgjencës në sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të kërkuesit. Për më tepër, vetë kërkuesi nuk rezulton të ishte subjekt i procedimit penal, siç u pohua shprehimisht nga subjekti i interesuar në seancë plenare. Me fjalë të tjera, gjykatat e zakonshme nuk kanë mbajtur në konsideratë se e drejta e mbrojtjes së burimeve të gazetarit nuk është thjesht një privilegj për t’u dhënë ose hequr në varësi të ligjshmërisë ose paligjshmërisë së burimeve të tyre, por është pjesë përbërëse e së drejtës për informacion, që duhet trajtuar me kujdesin më të madh dhe se urdhri për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike potencialisht ka pasur ndikim të dëmshëm jo vetëm për kërkuesin dhe burimet e tij, por edhe për median në tërësi.

Ndonëse nga përmbajtja e vendimeve gjyqësore të kundërshtuara rezulton se është urdhëruar ruajtja dhe sekuestrimi vetëm i atyre të dhënave të cilat lidhen me veprat penale për të cilat po hetohet, ky fakt nuk përjashton cenimin e lirisë së shprehjes së kërkuesit, si masë e fundit. Gjithashtu, Gjykata vlerëson se pavarësisht deklarimeve të subjektit të interesuar (si në parashtrime, ashtu edhe gjatë seancës plenare), për mënyrën e këqyrjes të të dhënave kompjuterike, kërkuesit nuk i janë ofruar garancitë e nevojshme kushtetuese dhe konventore, me natyrë procedurale, për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe ruajtjen e burimeve të tjera të informacionit,ose materialeve konfidenciale, të cilat nuk lidhen me hetimin në fjalë, duke sjellë, për pasojë, shkeljen e kësaj lirie.

Për sa më lart, Gjykata çmon se pretendimi i kërkuesit për cenimin e lirisë së shprehjes është i bazuar, prandaj vendimet objekt shqyrtimi duhen shfuqizuar. m.p.

Të fundit

Tërmeti me magnitudë 6.1 shkund Kretën, rrëshqitje toke dhe dëme në ndërtesa

Një tërmet me magnitudë 6.1 i shkallës Rihter, u regjistrua në orën 6.19 të mëngjesit të sotëm me orën...

“Liri për Palestinën”/ Vriten në Uashington, dy anëtarë të stafit të ambasadës izraelite

Dy punonjës të ambasadës izraelite u qëlluan për vdekje jashtë Muzeut Hebraik në Uashington. Konfirmimi vjen nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së, Kristi...

Mot i paqëndrueshëm/ Sërish reshje shiu në disa zona të vendit!

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ka njoftuar se ditën e Enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Sipas SHMU, orët e para...

Berisha ankohet tek DASH dhe BE: Më vodhën!

Partia Demokratike i ka dërguar një raport mbi zgjedhjet e 11 Majit faktorit ndërkombëtar. Në një konferencë për shtyp, Sali Berisha tha se raporti...

Lajme të tjera

Web TV