Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë për manipulim masiv të votës, shpërdorim fondesh publike dhe presion mbi zgjedhësit. Ai i ka bërë thirrje dhe një kërkesë KQZ-së për të mos njohur rezultatin që prodhuan zgjedhjet e 11 majit, veçanërisht votimin nga Diaspora. Plani B i Berishës për të ezauruar ligjërisht procesin pas zgjedhor me ankimime deri në Kolegjin Zgjedhor dhe pritja se çfarë qëndrimesh do të mbajë faktori ndërkombëtar, veçanarisht SHBA.
Në ditën e nëntë pas zgjedhjeve të 11 majit, ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë sërish para mediave për të deklaruar refuzimin e rezultatit zgjedhor dhe për të kërkuar mosnjohjen e tij nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Vetëm pak orë pas artikulimit të Berishës për mos njohur zgjedhjet, në Komisionin Qendror Zgjedhor është dërguar një kërkesë nga përfaqësuesi i PD-së në KQZ për të mos njohur procesin zgjedhor, duke ju referuar më shumë procesit në Diasporë. Tashmë kreu I PD-së Sali Berisha po tenton të ezaurojë planin B që mund të jetë I fundit, duke mosnjohur zgjedhjet dhe gjithashtu tentuar të informojë faktorin ndërkombëtar mpër atë që e quan “farsë zgjedhore”, të ndikuar nga shitblerja e votës dhe përdorimi në masë i administratës dhe burimeve shtëtërore, por edhe botës së krimit në favor të PS-së. Deri më tani SHBA-të nuk kanë reaguar mbi zgjedhjet në Shqipëri, kjo e kushtëzuar edhe nga mungesa e ambasadorit amerikan në vendin tonë. Megjithatë humbja e zgjedhjeve pritej të mos pranohej nga Berisha, i cili tashmë ndjen që zërat kundër tij brenda PD-së janë shtuar, por ende nuk po shfaqen.
Kundërshtimi i procesit
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në emër të Partisë Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore tha para kamerave, gjatë një konference për shtyp se procesi nuk ka qenë zgjedhor, por një “farsë e turpshme elektorale”, ku janë shkelur parimet më themelore të demokracisë dhe të drejtës për votë të lirë. Duke folur nga selia blu, kreu i Partisë Demokratike ka vijuar akuzat e drejtpërdrejta ndaj qeverisë, Edi Ramës dhe institucioneve të drejtësisë, të cilat, sipas tij, kanë heshtur përballë krimeve elektorale. “E morët vesh ju si e mbylli gojën administrata gjatë këtij procesi? Si shërbeu si shpifë e partisë? Si heshti SPAK-u i Altin Dumanit përpara dhjetëra padive për krime zgjedhore? Si u përdor drejtësia për të burgosur liderët e tre partive kryesore opozitare? Ky nuk ishte proces, por një shfaqje kriminale që mashtroi vullnetin qytetar.”, tha Berisha. Në përfundim të numërimit, Partia Demokratike humbi garën me 33 mandate ndaj mazhorancës, por Berisha vijon të artikulojë të njëjtën tezë, vjedhje sistematike të votës, sidomos të diasporës, shpërdorim i fondeve publike dhe frikësim i votuesve. “Në këto zgjedhje shteti doli lakuriq në tërë shëmtinë e tij kundër qytetarëve. U përdorën administrata, presione, dhunë, shpërndarje masive e parave për të blerë votën. Janë 500 milionë euro në prokurime dhe koncesione, 200 milionë euro në gjoba të falura, miliona euro nga kanabisi për të manipuluar rezultatin.”, tha ai. Ish-kryeministri i referohet edhe Kartës së Kopenhagenit, një dokument ndërkombëtar që përcakton standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke deklaruar se asnjë nga pikat kyçe të këtij dokumenti nuk është respektuar në 11 maj. “Në këtë proces nuk pati garë. Në vend që të kishim zgjedhje, patëm një garë fiktive mes një partie të shndërruar në shtet dhe një opozite të zhveshur nga çdo mjet mbrojtës. Ato nuk ishin zgjedhje. Ishte një farsë.”, tha ai. Sipas tij, kontrolli mbi vullnetin e zgjedhësve ishte “i gjithëformshëm, nga miklimet deri te revolja në ballë”. Ai theksoi gjithashtu se është shkelur parimi themelor i ndarjes së shtetit nga partitë politike, duke e quajtur sistemin aktual “një regjim parti-shtet që vret çdo garë të ndershme”. Përsa i përket diasporës, Berisha premton dokumente të reja që do të vërtetojnë manipulimin e votës nga jashtë vendit, ndërsa shprehet i vendosur të ndjekë betejën në dy fronte: në rrugë dhe në arenën ndërkombëtare. “Asnjë rezultat nuk mund të pranohet mbi një falsifikim monstruoz si ky. Kjo nuk është demokraci, por terror politik i institucionalizuar mbi opozitën”, tha ai. I pyetur nga gazetarët, Berisha nuk dha përgjigje për aleatët e tij që morën mandate në listat e sigurt të koalicionit, por e orientoi debatin drejt refuzimit total të rezultatit, duke kërkuar që KQZ-ja të mos e certifikojë procesin. Në përmbyllje, Berisha bëri një krahasim dramatik me diktaturën afrikane të Robert Mugabes: “Kam vëzhguar zgjedhje në Zimbabve dekada më parë. Nuk më shkonte mendja që në vitin 2025 do shihja të njëjtën farsë në Tiranë. Rama nuk bën zgjedhje. Ai organizon një farsë që i ngjan më shumë një akti kriminal sesa një procesi demokratik.”
PD-ASHM ankesë në KQZ
Franci Nuri, në cilësinë e përfaqësuesit pranë KQZ-së, i është drejtuar Komisionit Qendror Zgjedhor me një shkresë zyrtare lidhur me procesin e votimit dhe pasojat e rënda të tij mbi integritetin e zgjedhjeve të datës 11 maj 2025. Në kërkesë, Nuri parashtron të gjitha problematikat që PD ka hasur gjatë procesit të votimit në vend dhe atë në Diasporë, duke i dokumentuar ato me fakte. Përfaqsuesi ligjor i Partisë Demokratike këkron një auditim të të gjitha votave përfshirë edhe ato të Diasporës, pasi sipas tyre, vullneti i tyre është shtrembëruar. “Të mos certifikojë rezultatin për asnjë qark zgjedhor, përfshirë dhe rezultatin e votimit nga diaspora për atë qark, derisa të përfundojë një auditim i plotë dhe i pavarur mbi të gjithë procesin. Të ndërmarrë menjëherë një auditim të thelluar të gjithë procesit të votimit të diasporës, duke përfshirë: Planifikimin dhe përgatitjen paraprake të procesit; Prodhimin dhe shpërndarjen e fletëve të votimit; Dërgimin, marrjen dhe protokollimin e zarfeve; Procesin e administrimit, hapjes dhe numërimit të tyre; Si dhe çdo akt tjetër i lidhur me këtë proces, që nga regjistrimi i votuesve e deri te shpallja e rezultateve për çdo qark. Kërkojmë që ky auditim të realizohet nga ekspertë të pavarur, të paangazhuar me ndonjë institucion shtetëror apo politik, dhe që rezultatet e tij të bëhen publike në mënyrë të plotë. Pa përfunduar ky auditim dhe pa u bërë transparencë e plotë mbi procesin, shpallja e çdo rezultati për votën e diasporës dhe për rrjedhojë për çdo qark do të ishte një veprim i nxituar dhe në kundërshtim me frymën e ligjit dhe kërkesat minimale të integritetit zgjedhor”, thuhet në kërkesë drejtuar Komisionit Qendror Zgjedhor.