Kryetari i “Nisma Thurje”, Endri Shabani ka reaguar lidhur me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare teksa ka komentuar bashkimin e forcave me Adriatik Lapajn.
I ftuar në Neës24, Shabani është shprehur se koalicioni mes tij dhe Lapajt, duhet të shërbejë si një shembull për të gjitha partitë e vogla, referuar këtu Agron Shehajt dhe Arlind Qorit, pasi lufta nuk është midis tyre, por me qeverinë.
“Partitë e reja morën 10 përqind të votave dhe ka një dritë në fund të tunelit. Ftoj forcat e reja që të bashkohemi. Duhet që të bëhemi bashkë si forca të reja dhe të jemi më të fortë. Unë dua që Adriatik Lapaj, Arlind Qori dhe Agron Shehaj të bëhen bashkë. Luftën nuk e kemi me partitë e reja, por me qeverinë. Ne duhet të bëhemi në një front të bashkuar. Unë dhe Adriatik Lapaj e dhamë shembullin, u bëmë bashkë”, tha Shabani.
Ndër të tjera, Endri Shabani u shpreh se Partia Demokratike nuk duhet të ankohet për rezultatin zgjedhor, pasi kur ka qenë në pushtet ka kryer të njëjtat krime zgjedhore si kryeministri Edi Rama sot. Sakaq, Shabani u shpreh keqardhës për Ilir Alimehmetin që nuk arriti të bëhej pjesë e Kuvendit.
“Duhet të bëhemi bashkë të gjithë partitë e reja në një front. Këtu gara është e pabarabartë dhe e pandershme, ne shkojmë me fletë nëpër fushatë ndërsa pala tjetër është me Range Rover me para, që blen vota. Por, Sali Berisha është i fundit që mund të ankohet për rezultatin është kreu i PD, që kjo parti i ka bërë këto gjëra. Berisha duhet të mbajë përgjegjësi, është qaraman.
Edhe Rama nuk ka pranuar rezultatet kur kanë qenë në opozitë. Më vjen keq që me votat e Ilir Alimehmetit është bërë deputet Tedi Blushi. Unë jam në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Edi Rama ka shumë mandate deputetësh dhe kjo është e rrezikshme për demokracinë.” m.p.