Kreu i PD shpall si zgjidhje emergjente krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja, pasi i quan farsë zgjedhjet e 11 majit. Ai ka sjellë me fakte se si prodhoheshin fletët e votimit në Elbasan duke e qujatur atë si “trenin bullgar” të manipulimit të votave.
Partia Demokratike nuk e njeh rezultatin zgjedhor të 11 majit dhe kërkon krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë, sipas saj, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka deklaruar se procesi zgjedhor ishte një farsë e orkestruar nga qeveria, nën ndikimin e krimit të organizuar dhe me metoda që, sipas tij, i përkasin një epoke tjetër. Në një deklaratë të gjatë për mediat, Berisha denoncoi zbatimin në terren të skemës së njohur si “treni bullgar”, një praktikë manipulimi që, sipas tij, është zbatuar në Elbasan dhe zona të tjera. Ai e krahasoi procesin me zgjedhjet në Zimbabve 30 vite më parë dhe shtoi se opozita nuk do të pranojë kurrë një rezultat të tillë, që nuk përfaqëson vullnetin e lirë të qytetarëve. “Ka vetëm një zgjidhje, një qeveri teknike dhe zgjedhje të reja ku shqiptarët të votojnë të lirë. Ne kemi me qindra dokumente që tregojnë se procesi u kthye në farsë”, deklaroi Berisha, duke shtuar se PD nuk do të ndalet derisa të rikthehet vota e lirë si e drejtë themelore në Shqipëri. Në krah të tij ndodheshin drejtues të degës së Elbasanit, ku sipas PD-së, janë konstatuar shkeljet më flagrante. Deputeti i zgjedhur Blendi Himçi raportoi se në një lokal të fshatit Pekisht, vëzhgues të PD-së kishin zbuluar materiale të dyshimta zgjedhore, përfshirë fletë votimi, lista dhe para në euro. I pyetur nëse Partia Demokratike do të pranojë 50 mandatet e fituara dhe do të hyjë në Kuvend në shtator, Berisha la të hapur çdo mundësi, duke mos dhënë një përgjigje të prerë. Megjithatë, ai theksoi se qëndrimi i partisë është i qartë: zgjedhjet e 11 majit nuk do të pranohen. “Zgjedhje të tilla nuk mund t’i pranojmë kurrë. Parimet e zgjedhjeve të lira janë të sanksionuara në dokumente ndërkombëtare, si dokumenti i Kopenhagenit. Nuk ka asnjë arsyetim që të pranojmë një rezultat të tillë të fabrikuar”, deklaroi ai. Berisha u shpreh se vendimet politike do të merren në vijim, duke lënë të kuptohet se PD mund të përdorë edhe instrumente të tjerë për të kundërshtuar rezultatin, përtej mospranimit publik.
Dumani dhe Antimafia
Në një tjetër linjë akuzash, Berisha sulmoi ashpër kreun e SPAK, Altin Dumani, të cilin e akuzoi se qëllimisht vonoi një operacion të Antimafias italiane, për të mos prishur, sipas tij, planin elektoral të mazhorancës. “Dumani ka mashtruar Antimafian Italiane, duke i thënë ‘pritni, mos veproni tani’. Kush i njoftoi krerët e grupeve kriminale që të zhdukeshin? Ata ishin të paralajmëruar. Këtu janë të gjithë bashkë”, tha Berisha. Ai shtoi se ka respekt për drejtësinë italiane, por se prokurorët e saj janë përdorur si fasadë nga drejtuesit shqiptarë, të cilët, sipas tij, mbrojnë interesat e mazhorancës dhe të grupeve kriminale. Kërkesa për një qeveri teknike rikthen në skenë një debat që është përsëritur në çdo krizë zgjedhore të dekadës së fundit. PD synon të pozicionohet si mbrojtëse e votës së lirë dhe e qytetarëve që, sipas saj, janë të zhgënjyer dhe të frikësuar nga mënyra si po administrohet procesi demokratik./E.T