“Numri i të vdekurve nga rritja e papritur e niveleve të ujit mbetet i pasigurt”, shpjegoi Rob Kelly, kreu i autoriteteve lokale në qarkun Kerr, i vendosur në Teksasin qendror, në një konferencë për shtyp.
Përmbytjet kanë vrarë disa banorë në Texas, njoftuan sot autoritetet lokale duke përmendur gjithashtu persona të zhdukur, përfshirë fëmijë.
”Lidhur me fëmijët që ndjekin një kamp veror në qark, ne e dimë se ka disa të zhdukur. Por sa… nuk jemi të sigurt”, shtoi ai.
Rob Kelly theksoi natyrën e papritur të përmbytjeve në një rajon që është mësuar me këtë lloj ngjarjeje.
“Kemi përmbytje gjatë gjithë kohës. Kjo është lugina më e rrezikshme e lumit në Shtetet e Bashkuara”, tha ai, duke iu referuar lumit Guadalupe, i cili rrjedh nëpër zonë, por “nuk kishim arsye të besonim se do të ndodhte diçka e ngjashme me atë që ndodhi këtu”.
Sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), niveli i lumit Guadalupe u rrit gjatë natës, nga dy metra në më shumë se nëntë metra, pas reshjeve të shiut.
Shërbimi meteorologjik lëshoi një paralajmërim për përmbytje duke i nxitur banorët të shmangin udhëtimet dhe ata që jetojnë pranë lumit Guadalupe të zhvendosen “në vende më të larta”. Në mesin e qershorit, të paktën 10 persona vdiqën në përmbytje në San Antonio, pas shirave të rrëmbyeshëm./kb