Bashkimi Evropian ka njoftuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të enjten në ora 16:00.
Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës. Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të lehtësohet nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Për shkak të kufizimeve që lidhen me pandeminë e koronavirusit, hyrja për media në ndërtesën e Shërbimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) nuk do të jetë e mundur.
Do të jetë ky takimi i parë me praninë fizike të pjesëmarrësve në dialog, pasi të dielën që shkoj ata patën një konferencë virtuale.
Në BE tashmë konsiderojnë se dialogu ka rifilluar. Zyrtarët evropianë thonë se palët kanë rënë dakord për agjendën e dialogut, por nuk japin hollësi se cilat tema pritet të jenë në rend dite.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë më 12 korrik se dialogu nuk ka alternativë dhe se vetëm përmes dialogut mund të zgjidhën çështjet me Serbinë.
“Ne në këtë proces hyjmë për vetëm një qëllim e që është njohja reciproke dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, tha Hoti.
Kosova dhe Serbia po përpiqen të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve, e cila, siç ka thënë ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak gjatë një vizite në Prishtinë, duhet të jetë e qëndrueshme, e pranueshme për rajonin dhe BE-në, por që do të zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së u ndërpre në nëntor 2018, pasi Qeveria e Ramush Haradinaj vendosi taksën prej 100 për qind për mallra të importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Taksa u shfuqizua më pas, dhe qeveria e Avdullah Hotit hoqi masat e reciprocitetit të paraqitura nga ish-qeveria e Albin Kurtit, me qëllim të vazhdimit të dialogut./REL