Skuadra e Tiranës ka fituar titullin kampion të Superligës, duke siguruar këtë trofe për të 25-ën herë në 100 vite ekzistence si klub. Bardheblutë janë klubi me më shumë fitore të këtij kompeticioni në vendin tonë.
Skuadra e Tiranës është shpallur kampione e Kategorisë Superiore për sezonin 2019-2020 të këtij kampionati të futbollit shqiptar. Bardheblutë e kryeqytetit mundën të rikthenin titullin kampion në shtëpi pas plot 11 vitesh mungesë. 100-vjetori i krijimit të këtij klubi solli edhe kupën e 25 të Superligës për ta, pra nga një shekull ekzistencë Tirana ose siç quhet nga tifozët e saj Tirona, ka fituar çerekun e titujve të Superligës. Duhet theksuar se ky klub numëron më shumë trofe të këtij kampionati se çdo skuadër tjetër në Shqipëri.
Ishte ndeshja e mbrëmjes të së dielës midis Vllaznisë dhe Kukësit ajo që i dha matematikisht titullin kampion skuadrës së Tiranës. Shkodranët i mundën në shtëpi, me rezultatin 1-0 verilindorët, duke i bllokuar këta të fundit në garën për trofeun më të rëndësishëm në futbollin vendas. Ishte goli i Mevlan Adilit, 3 minuta përpara mbylljes së ndeshjes, ai që i solli festën ekipit kryeqytetas dhe në të njëjtën kohë preu çdo shpresë për skuadrën e trajnerit Orges Shehi.
Sezoni 2019-2020 nuk nisi aspak mirë për skuadrën e Tiranës, e cila po regjistronte vetëm rezultate negative dhe ndërroi dy trajnerë brenda tre muajve, Ardian Memën dhe Julian Ahmatajn. Pikërisht në momentin kur u duk se kishte humbur çdo shpresë, do të ishte ai që qëndronte në hije prej vitesh, trajneri i portierëve, nigeriani Emannuel Egbo, që do të ringrinte bardheblutë.
Egbo ka qenë pjesë e klubit kryeqytetas për plot 9 vite, 3 nga të cilat si lojtar dhe 6 të tjera në postin e trajnerit të portierëve, por duke qëndruar gjithmonë në heshtje dhe larg ‘dritave’ të skenës. Do të duhej 13 dhjetori që ai të merrte drejtimin e stolit të bardhebluve, për të rikthyer trofeun dhe nderin te ky klub.
Pas muajit dhjetor në fushë zbriti një Tiranë e ndryshuar tërësisht, me besim, forcë dhe këmbëngulje për të marrë fitore nga çdo ndeshje. Rezultatet treguan potencën që prej shumë vitesh kishte qenë e fshehur në gjenet e këtij klubi. Dhe në 100-vjetorin e krijimit të vet, Tirana triumfoi përballë çdo skuadre e, mbi të gjitha, përballë rivalit të përjetshëm, Partizanit.
Ishte 2020-a që riktheu fitoren e derbit te kjo skuadër që kishte rreth 5 vite vuajtje. Bardheblutë morën dy fitore radhazi dhe një barazim ndaj të kuqve. Megjithatë, ndeshja e ngulitur fort në mendjen e tifozëve të këtij ekipi është ajo e 28 shkurtit, kur Tirana fitoi me rezultatin 5-1 ndaj Partizanit. Ishin dy penalltitë e realizuara nga Idriz Batha, autogoli i Hektor Idrizajt dhe më pas dopieta e 19-vjeçarit, Ernest Muçi, që i shpartalluan të kuqtë. Ndërsa të vetmin gol për Partizanin e realizoi braziliani William Cordeiro.
Ndërsa dolën në sheshet e bulevardet kryesore të metropolit të vendit, tifozët bardheblu festuan me këngë, brohorima e fishekëzjarre këtë trofe. Ata nuk harruan të përmendin edhe fitoren e derbit 5-1, që tashmë për ta është simbol i epërsisë së theksuar të bardhebluve ndaj kundërshtarëve të tyre.
Mirëpo, të rikthehemi tek trofetë që ky klub ka siguruar në 100 vite ekzistencë. Tirana është themeluar më 15 gusht 1920, ndonëse duhet theksuar se paraqitjen e parë si skuadër e ka bërë më 1911 dhe që nga ai moment dominoi turneun e asaj kohe, duke u shpallur kampionia e parë e Shqipërisë.
Megjithatë, duhet theksuar se zyrtarisht bardheblutë njihen si një ekip i mirëfilltë nga viti 1920 dhe që ai moment ia kanë dalë të marrin për plot 25 herë trofeun e Kategorisë Superiore, pra një dominim i elitës së futbollit të vendit tonë në një çerekshekulli.
Vitet kur klubi bardheblu është shpallur kampion i Kategorisë Superiore janë: 1930, 1931, 1932, 1934, 1936, 1937, 1964–1965, 1965–1966, 1968, 1969–1970, 1981–1982, 1984–1985, 1987–1988, 1988–1989, 1994–1995, 1995–1996, 1996–1997, 1998–1999, 1999–2000, 2002–2003, 2003–2004, 2004–2005, 2006–2007, 2008–2009, 2019–2020. Data që kur i sheh duken vërtet që janë shumë.
Tirana është klubi më i suksesshëm dhe më i dekoruar i Shqipërisë. Bardheblutë mbajnë rekord kombëtar për trofetë e fituara në çdo kompeticion të luajtur në Shqipëri, kampionat, kupë e superkupë. Trofeu i parë në historinë e klubit ishte Kampionati Kombëtar Shqiptar, i zhvilluar në vitin 1930, ky ishte kompeticioni i parë zyrtar i mbajtur në Shqipëri. Trofeu më i fundit i fituar nga klubi është trofeu i fituesit Kategoria Superiore më 19 Korrik 2020.
Të shumta janë edhe trofetë e kompeticioneve të tjera vendase, si 16 Kupa të Shqipërisë dhe 11 Superkupa të Shqipërisë. Qershia mbi tortë e këtij sezoni për ekipin bardheblu do të ishte një dopietë trofesh, pra ai i Superligës me Kupën e Shqipërisë. Tirana është një nga finalistet e këtij kompeticioni që do të mbyllet më 2 gusht. Bardheblutë do të presin në një ndeshje që paraprakisht nuk duket aspak e lehtë, ekipin e Teutës.
Durrsakët do të bëjnë të pamundur për të çuar në shtëpi Kupën e Shqipërisë, por i njëjti qëllim shihet edhe në radhët e kryeqytetasve që do mundohen me çdo mënyrë të marrin trofeun e radhës dhe ta festojnë siç u ka hije këtë 100-vjetor.
Ndërsa në arenën e futbollit evropian, Tirana është e njohur me pjesëmarrjen e saj në Ligën e Kampioneve (14 herë) ; në Kupën UEFA (10 herë), ndërsa në Kupën e Kupave (3 herë). Tirana ka marrë pjesë 7 herë në Kupën Ballkanike, ku është shpallur 1 herë nënkampione. Bardheblutë mbajnë rekordin e paraqitjeve të një klubi shqiptar në Evropë, jo vetëm për numrin e lartë të pjesëmarrjeve (27), por dhe për sukseset e arritura përgjatë historisë 47-vjeçare të kësaj pjesëmarrjeje, ku numërojnë plot 11 ture të kaluara ne kupat e ndryshme evropiane, si asnjë skuadër tjetër shqiptare.
Sukseset më të mëdha Tirana i arriti në vitet ’80, ku u rreshtua 4 herë mes 16 ekipeve më të mira të kontinentit, nga të cilat 3 herë në Ligën e Kampionëve. Gjithashtu, bardheblutë mbajnë rekordin e të gjitha kohërave edhe për pozicionin më të lartë të një klubi futbolli shqiptar në renditjen e IFFHS-së, kur në vitin 1987 renditeshin të 31-tët në botë.
Tashmë duket se ajo Tiranë është rikthyer sërish, me të njëjtat qëllime, për të qenë më e mira e Shqipërisë dhe ndër të parat e Evropës./Nga Katerina Tafa/Fjala.al/