Presidenti Meta ka reaguar pas takimit në Presidencë ditën e sotme me Ambasadorët e BE-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar.
Në një postim në “Facebook” presidenti është shprehur se ka siguruar ambasadorët që do të dekretojë menjëherë ndryshimet e Kodit Zgjedhor për marrëveshjen konsensuale të “5 Qershorit” si dhe i ka njohur me pozicionin e tij për ndryshimet kushtetuese.
Mesazhi i Metës:
Kënaqësi të prisja sot Ambasadorët e Delegacionit të BE, të vendeve anëtare dhe të Mbretërisë së Bashkuar të aktedituar në Tiranë.
I sigurova se do të dekretoj menjëherë ndryshimet e Kodit Zgjedhor në respekt të Marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit.
Theksova rëndësinë e vazhdimit të punës së Këshillit Politik vetëm në frymën e konsensusit dhe gjithëpërfshirjes.
I njoha me pozicionin tim të qartë se çdo prekje e njëanshme e Kushtetutës do të konsiderohet si akt i papranueshëm që synon të asgjesojë shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. /Ra.My.Fjala.al/