Një operacion antidrogë i policisë së Gjirokastrës, i koduar “Sopoti” zbuloi lëndë narkotike, armë dhe municione, duke vënë në pranga një person në Lazarat,
Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se në lagjen “Përroi Selime”, Lazarat, një person dispononte armë zjarri, lëndë narkotike organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Sopoti”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë Shkëlqim Basha, 54 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër.
Gjatë kontrollit në banesën e Bashës, në një vend të përshtatur në bodrumin e shtëpisë, shërbimet e policisë gjetën të fshehura një armë zjarri kallashnikov, një pushkë, 4 krehëra, 900 fishekë, një sasi prej 15.5 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, në trajtë pluhuri dhe mbetje bimore, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar u konstatuan dhe disa bimë të kultivuara në oborrin e banesës së tij.
Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Gjirokastër për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”./Bl.Ba/Fjala.al