Zgjedhjet 2021/ Cili nga këta të 4-t  do të largohet nga politika?!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Zgjedhjet e vitit 2021 nuk do të jenë të zakonshme, ato do të luajnë një rol të rëndësishëm në fatin e disa prej politikanëve më të rëndësishëm të arenës politike sot.  Ilir Meta, Edi Rama, Lulzim Basha dhe Erion Veliaj po vënë bastin e karrierës së tyre politike në këto zgjedhje. Kush do të fitojë dhe çfarë? Si në një lojë shahu, lëvizjet e tyre politike kanë nisur shumë herët, dhe vjeshta e këtij viti do të jetë kulmimi i përplasjeve.  Në një analizë parashikuese për fatin e liderëve të politikës dhe zgjedhjet e ardhshme, flasin për gazetën “Fjala” analistët Roland Qafoku, Lorenc Vangjeli, Plator Nesturi dhe Leonard Karaj.

Nga Blerina Gjoka

“Politika është po aq e emocionuese dhe e rrezikshme sa lufta, vetëm se në luftë rrezikon të vritesh një herë, ndërsa në politikë shumë herë”, do ta perifrazonte politikën një ndër politikanët më me ndikim në shekullin 20, Winston Churchil. A do të jenë zgjedhjet e ardhshme të vitit 2021 po aq emocionuese dhe të rrezikshme për politikanët shqiptarë, për të paktën 4 prej tyre që luajnë sot në skenën politike fatin e të ardhmes së tyre në politikë? Gjasat duken se po. Lufta ka nisur herët, por jo të gjitha kartat janë hedhur në tryezë. Presidenti Ilir Meta, do të ishte e natyrshme që ta shihte detyrën më të lartë shtetërore që njeh Kushtetuta e vendit si stadin final të karrierës së tij politike, pasi ka provuar emocionet e politikës që në moshë të re, kur ishte ende student, për t’u bërë kryeministër vetëm 29 vjeç. Ai ka provuar emocione dhe rreziqe dhe është vrarë për t’u ringritur përsëri, duke tentuar të marrë në zotërim partinë më të madhe në vend, atë Socialiste, për të pranuar disfatën duke dalë jashtë saj. E sërish për t’u rikthyer me një parti të re, që nuk arriti dot të “vriste” partinë mëmë, por u bë një pol i tretë, i rëndësishëm në skenë, duke e kthyer Metën në “kingmaker” të të paktën dy qeverisjeve 2009-2013 dhe 2013-2017. Pasi ia la drejtimin e partisë bashkëshortes, ai sot nuk po e shijon dot rehatin e kolltukut presidencial, por është përfshirë në politikë fuqishëm, duke e pozicionuar veten kundër qeverisjes atuale dhe kryeministrit Edi Rama, madje duke dhënë dhe sinjale force me thirrjen e një demonstrate popullore në fillimmarsin e këtij viti. Zgjedhjet e ardhshme, ku ai nuk do të jetë as kandidat dhe as në fushatë, nuk do të thotë se janë pa rëndësi për të, përkundrazi, janë një moment i rëndësishëm për të ardhmen e tij politike, që rinis dhe një herë pas mandatit presidencial i cili përfundon më 2022.

Përballë tij është Edi Rama, një ish-mik e bashkëpunëtor i tij, sot kundërshtar i fortë politik. Rama iu fut politikës pa e dashur atë dhe duke mos e konsideruar veten politikan, kur në vitin 1998 erdhi si një artist bohem nga Parisi, për t’i dhënë ngjyra politikës gri të Tiranës. Por pas tri mandatesh si kryetar i bashkisë më të madhe në vend, ai kuptoi se politika ishte pasioni i tij i ri, dhe luftoi fort për të marrë atë që Meta e kishte dashur aq fort dikur, pikërisht Partinë Socialiste. Sot si kryetar i saj dhe për herë të dytë radhazi kryeministër, nuk duket se është lodhur me të, por kërkon të qëndrojë të paktën dhe një mandat në qeverisje. Vështirësitë që ka hasur në mandatin e fundit nuk i atribuohen aq shumë luftës opozitare të kundërshtarëve, sa dy fatkeqësive të njëpasnjëshme që kanë lëkundur fort ekonominë dhe besimin e publikut. Tërmeti tragjik i nëntorit 2019 dhe pandemia COVID-19 e kanë bërë të vështirë narracionin e tij politik për të kërkuar besimin për herë të tretë. Një mandat i tretë për të do të ishte vërtet një thyerje e tabusë të të paktën 30 viteve demokraci, kur asnjë kryeministër nuk e ka arritur dot.

Lexo edhe :  Rama: Prej shumë kohësh s’e ndjek Festivalin e RTSH dhe nuk besoj se do e bëj ndonjëherë

Lulzim Basha, që është kundërshtari i vërtetë i Ramës për marrjen e detyrës së kryeministrit, po luan kartën e fundit të tij për të ardhur në qeverisje pas 8 viteve në opozitë. Me një humbje të thellë në zgjedhjet e shkuara, humbje që iu atribua një marrëveshjeje politike që ai bëri me Ramën në momentet e fundit, e ka vënë Bashën në një provë të fortë, jo vetëm për të ardhmen e tij politike, por dhe të partisë që drejton,  e cila ka qeverisur dy herë vendin që pas vitit 1990. Nëse Basha do të humbte këtë moment për të ardhur në zyrën e katit të tretë të Kryeministrisë, edhe fati i tij në krye të partisë do të ishte në diskutim, ashtu si një dobësim apo përçarje e dytë e partisë.

I katërti në radhë, por jo më pak i rëndësishmi, dhe pse duket se është jashtë këtyre zgjedhjeve, pasi po gëzon mandatin e dytë si kryetar i bashkisë më të madhe në vend, Erion Veliaj, pa dyshim që nga këto zgjedhje do të shohë mundësitë për të ardhmen e tij politike. Në rast të një fitoreje bindëse të PS-së në Tiranë, ai do të merrte meritat dhe do të futej në rrugën e pasardhësit të Ramës në krye të kësaj partie. Në rast të humbjes së PS-së, Veliaj gjithsesi është socialisti më i rëndësishëm sot në pushtet dhe sërish do të profilizonte veten si kryetari i ri i kësaj partie, e cila e ka parë disa herë veten që të rilindë nga e vjetra.  Vjeshta që po troket do të jetë mejdani ku të katër këta burra do të nisin të luajnë me emocionet dhe rrezikun që sjell politika, duke bërë llogaritë në skenë dhe në prapaskenë për fatin e tyre politik./Fjala.al/Ke.Ba

Roland Qafoku: Rama kërkon një mandat të tretë për të mbetur në histori

Lorenc Vangjeli: Zgjedhjet që përcaktojnë fatin e 4 burrave

Plator Nesturi: Veliaj, si kryebashkiak i Tiranës, ka rol të rëndësishëm në fatin e PS-së

Leonard Karaj: Shqipëria drejt rotacionit, por sipas‘kushteve’ të Ramës

 

Të fundit

Dy shenjat e horoskopit që lënë tersin pas! 2025 do të jetë viti i tyre plot suksese

Të gjitha shenjat e zodiakut kanë përjetuar ulje-ngritjet e tyre në vitin 2024, por viti i ri sjell një...

WSJ: Alkooli edhe në sasi të vogla shkakton probleme serioze

Edhe pse gjithnjë e më shumë njerëz po e quajnë veten të matur dhe kureshtarë ose po provojnë zëvendësues të alkoolit të mbrojtur nga...

Futbolli në zi, ndërron jetë ish-lojtari i kombëtares

Ish-futbollisti i Torinos dhe Xhenoas, Aldo Agropi, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Në karrierën e tij si futbollist ka veshur pesë herë fanellën e...

Gerta shpërthen ndaj Livias! “Tjetri i martuar, ndërkohë ti…”

Tensionet vazhdojnë të rriten brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”, ndërsa një debat i ashpër mes Livias dhe Gertës mori një kthesë emocionuese. Gerta...

Mbrojtja në 2025, rritje e pagave për ushtarakët dhe ringritje e industrisë ushtarake

Buxheti i vitit 2025 për mbrojtjen parashikon një total prej 52,7 miliard lekësh, që përbën një rritje prej 4,6% krahasuar me vitin 2024. Ky është...

Lajme të tjera

Web TV