Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë pasdite në Durrës. Babë e bijë u mbytën sot në plazhin e Rrushkullit, duke i dhënë ngjarjes përmasat e një tragjedie.
Fillimisht u nxor i vdekur nga deti, babai, ndërsa vajza 9-vjeçare ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Durrësit, pasi u dërgua në gjendje të rëndë.
Burime për “Fjala” bëjnë me dije se babë e bijë ishin pushues ditorë nga Tirana. Mësohet se babai ka marrë vajzën dhe janë futur për tu larë në det, ndërsa dallgët kanë marrë 9-vjeçaren.
Më pas, në tentativë për të shpëtuar vajzën është mbytur edhe babai. 44-vjeçari, Dh.B., është nxjerrë në breg pa shenja jete, ndërsa vajza 9-vjeçare u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin Rajonal të Durrësit.
Me gjithë tentativën e bluzave të bardha vogëlushja nuk arriti të mbijetonte. Një mjek në detyrë i spitalit të Durrësit konfirmoi se vogëlushja pavarësisht ndihmës dhe përpjekjeve për ta mbajtur në jetë, ndërroi jetë.
Ajo është dërguar për në morg, teksa stafi mjekësor është tmerruar nga kjo tragjedi dhe ka shpërthyer në lot.
Lajmin e konfirmon dhe policia e shtetit me anë të një njoftimi për mediat. “Në lidhje me informacionin e më sipërm ku humbi jetën duke u larë në det shtetasi Dh.B., 44 vjeç, ju bëjmë me dije se ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës edhe shtetësja e mitur M.B., 9 vjeçe”./Bl.Ba/Fjala.al