Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar ditën e sotme se rritja e pagave e premtuar për mjekët edhe infermierët do të nisë nga viti tjetër. “Duke filluar nga viti tjetër rriten pagat për mjekët dhe infermierët”, tha ministrja Manastirliu, gjatë ceremonisë së dorëzimit të 10 respiratorëve të rinj nga ambasadori gjerman në Tiranë, në spitalin Covid2 “Shefqet Ndroqi”.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi nga spitali “Shefqet Ndroqi” se do të intensifikohen inspektimet në terren, në shkolla, aktivitete biznesi etj, për respektimin e masave antiCovid.
“Kjo nuk është një luftë që fitohet vetëm me rritjen e kapaciteteve, por ka shumë rëndësi sjellja e qytetarëve. Strukturat tona po vijojnë punën në terren për të monitoruar zbatimin e masave antiCovid në aktivitete biznesi, në shkolla dhe në aktivitete të tjera, pasi është shumë i rëndësishëm zbatimi i masave, për të patur një ecuri të kontrolluar të epidemisë”, tha Manastirliu.
Nga ana e tij Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, z. Peter Zingraf shprehu mbështetjen e vazhdueshme për Shqipërinë nga vendet e Bashkimit Europian. “Jam shumë i kënaqëur për ndihmën e vazhdueshme nga vendet e Bashkimit Europian që treguan edhe një herë se janë aleatë të ngushtë të Shqipërisë.
Edhe shtete të veçanta si Gjermania kanë ofruar akoma më shumë ndihmë, siç është kjo e sotmja me aparatura të teknologjisë së lartë për frontin e luftës kundër pandemisë, për të rritur nivelin e punës së stafit mjekësor”, tha ambasadori gjerman.
Plani vjeshtë-dimër i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përballimin e Covid19 parashikon rritjen e kapaciteteve spitalore, duke përfshirë edhe spitalet rajonale. Ministrja Manastirliu rikonfirmoi edhe angazhimin financiar të qeverisë shqiptare për vaksinën anti-Covid dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për respektimin e masave për kufizimin e përhapjes së Covid19./Bl.Ba/Fjala.al
https://www.facebook.com/OgertaManastirliu/videos/2795556804099036/