Avioni linjës “Blue Panorama” i nisur nga Roma drejt Tiranës, rreth orës 19:30, nuk ka arritur të ulet në Rinas për shkak të mjegullës së dendur.
Avioni ka bërë disa rrotullime sipër detit Adriatik, por më pas në pamundësi për tu ulur është kthyen në Brindisi rreth orës 23:00.
Probleme me mjegullën nuk ka pasur vetëm avioni i “Blue Panorama” por edhe disa të tjerë për të cilët Autoriteti Aviacionit Civil njofton se fluturimet do të kryhen brenda ditës së sotme.
Njoftimi i Autoritetit Aviacionit Civil:
Njoftim i rëndësishëm për të gjithë pasagjerët e prekur nga vonesat/anullimet e fluturimeve të datës 19 janar 2020, për shkak të motit të keq.
Njoftohen të gjithë pasagjerët e prekur nga vonesat/anullimet e fluturimeve të djeshme për/nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, se për shkak të mjegullës së dendur, kompanitë ajrore Air Albania, Alitalia, Austrian Airlines, Albawings, Air Serbia, Blue Panorama, Pegasus dhe Wizz Air, do t’i kryejnë të gjitha fluturimet e vonuara/anulluara brenda ditës së sotme, por me vonesa.
Pasagjerët duhet të presin udhëzimet nga kompanitë ajrore dhe të zbatojnë oraret që do të marrin prej tyre, përpara se të nisen për në aeroport.
AAC informon publikun se ngjarje të tilla të lidhura me kushtet të pazakonta të motit janë të pranueshme në industrinë e aviacionit, ku kryesore për pasagjerin mbetet siguria në operim.
Fluturim të mbarë dhe të sigurt!/Fjala.al