Raporti thotë se që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, gjendja e demokracisë dhe të drejtave të njeriut është përkeqësuar në 80 vende të botës. Përkeqësim ka pasur veçanërisht në demokracitë e rrezikuara dhe shtetet me qeverisje shtypëse, sipas ekspertëve të anketuar nga projekti.
“Më shumë se 60 për qind e të anketuarve parashikuan se në tre deri në pesë vjetët e ardhshëm, ndikimi i pandemisë në të drejtat politike dhe liritë qytetare në vendet e tyre do të ishte kryesisht negativ”, thuhet në raport.
Pandemia e COVID-19 e ka thelluar krizën për demokraci në të gjithë botën, duke u siguruar qeverive një mbulesë për të prishur zgjedhjet, heshtur kritikët dhe median, si dhe për të minuar përgjegjësinë e domosdoshme që kanë për të mbrojtur të drejtat e njeriut si dhe shëndetin publik, thuhet në raportin “Demokracia nën izolim”, të organizatës Freedom House.
Katër probleme kyçe gjatë pandemisë janë identifikuar nga ana e ekspertëve që kanë marrë pjesë në hulumtim dhe ato janë: mungesa e transparencës qeveritare dhe informacionit mbi koronavirusin, korrupsioni, mungesa e mbrojtjes për shtresat e ndjeshme të popullatës dhe keqpërdorimi i pushtetit nga qeveria.
“Në shkallë globale, pandemia po përshpejton rënien e nivelit të lirisë së shprehjes. Në të paktën 91 vende ndodhën kufizime në media si pjesë e përgjigjes ndaj COVID-19. Qeveritë miratuan legjislacion të ri kundër përhapjes së ‘lajmeve të rreme’ në lidhje me virusin.
Ato, gjithashtu, kufizuan mundësinë e pyetjeve të pavarura në konferencat për shtyp, pezulluan shtypjen e gazetave dhe bllokuan faqet e internetit”, thuhet në raport. Ru. Do/ Fjala.al