Mit Romney, një prej senatorëve kryesorë republikanë, tha të premten se Presidenti gaboi kur tha se zgjedhjet ishin të manipuluara.
“Presidenti është brenda të drejtave të tij për të kërkuar rinumërimin, për të bërë thirrje për një hetim të parregullsive të pretenduara të votimit kur ekzistojnë provat, dhe për të shteruar mjetet juridike, bërja e këtyre gjërave është në përputhje me procesin tonë zgjedhor,” tha Mitt Romney, i cili para disa kohësh pati deklaruar se nuk do votojë për Trump.
Sipas tij kjo deklaratë dëmton kauzën e lirisë dhe ndez ‘pasionet shkatërruese dhe të rrezikshme’.
“Ai gabon kur thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara, të korruptuara dhe të vjedhura, duke dëmtuar kauzën e lirisë këtu dhe në të gjithë botën, dobëson institucionet që qëndrojnë në themel të Republikës dhe ndez pa kujdes pasionet shkatërruese dhe të rrezikshme”, u shpreh ai.
Një tjetër senator republikan, Pat Toomey i Pensilvanisë , më herët tha se nuk ka prova për të mbështetur pretendimin e pabazë të Trump se demokratët po përpiqen të vjedhin zgjedhjet.
“Thjesht nuk ka asnjë provë që dikush më ka treguar për ndonjë korrupsion ose mashtrim të përhapur. Fjalimi i presidentit natën e kaluar ishte shumë shqetësues për mua, sepse ai bëri akuza shumë serioze pa ndonjë provë për ta mbështetur atë.
“Unë votova për Presidentin Trump. Unë e miratova Presidentin Trump. Unë dua që presidenti i ardhshëm të jetë personi që fiton në mënyrë legjitime në Kolegjin Zgjedhor dhe unë do të pranoj kushdo që të jetë”, tha Toomey.
Presidenti aktual, Donald Trump, i cili është ankuar prej ditësh në lidhje me fletëvotimet me postë. Ai përshkallëzoi akuzat e tij të enjten, duke thënë në Shtëpinë e Bardhë se procesi i numërimit të votave është i padrejtë dhe i korruptuar.
Pa.Va/Fjala.al