Agim Mato, ky pluhur i artë poetik mbi brigjet e Sarandës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Josif Papagjoni

 

Agim Mato, poeti i detit, i frangofiqve mbirë mbi shkëmbinj, i guaskave dhe gjallesave ujore, i bokërimave të “qiejve”, i hapësirave blu lart e poshtë, dhe i trishtimit, dhe i thellësive të zemrës, edhe i lules, dhe i dashurisë, ky bard i rrallë që Saranda nxori ndër vite, u nda nën lëngatë nga jeta. Lajmin ma dha heret nje nga miqte e tij te perhershem, Pandeli Koçi.

Unë e kam nisur udhën me Gimen herët, qysh në fëmijëri. Ishim diku afër në Sarandën tonë të vogël, na ndante Muri i trashë i Onhezmit, që shpesh bëhej “kufiri” i betejave me shpata e gurë mes nesh si fëmijë të dy lagjeve “armike”. Pasi grindeshim, me “Urraaaa”, përqafoheshim, dhe luanim në dëlirësinë dhe pafajësinë tonë. Dhe kur nisëm shkollën në fillim te godina e vjeter rrëzë stadiumit të lojërave me dorë e më pas të shkolla e re “Adem Sheme”, e mbaj mend me çantën e tij prej rrobe të trashë, që e mbanim të gjithë mbi shpinat e njoma, në varfërinë tonë “dinjitoze”. Pastaj kujtoj vitet e gjimnazit, ku Gimja kishte veçanërisht miqësi me Xhemal Maton dhe Markon, që e mbajti gjithë jetën. Unë kisha në klasë vëllain e tij, Parimin. Gimit nuk iu dha e drejta e studimit, paçka se talentin e mbante brenda në gjoksin dhe zemrën e tij të madhe. Ai u dashurua me shoqen tonë të klasës, Yllkën, që unë e kisha edhe gjitone dhe kam pasur e kam kaq shumë respekt. Dhe pastaj nisën vitet e ëndrrave derdhur në vargje e letër. Ai u bë bardi i vargut poetik, që ndër vite i rriti flatrat. Dhe per te gjithe ne ishte poeti sa i ëmbël, sa fluturak e sa ëndërrimtar, aq dhe i mbushur plot përvuajtje, mendime, filozofi jete. Mbi shpinë fati i hodhi gurë e mallikme, sepse vinte nga familje e persekutuar. Por ai, me urtësinë dhe heshtjen e tij si prej banori të Olimpit të njëhershëm, i duroi dhimbjet nga fuqia e gurëve që i binin mbi shpinë. Ne të tjerët nuk na ranë aq shumë gurë. Por Agimi e tejkaloi mallkimin përmes taletit, poezisë. Trysninë e përbindëshave të njëhershëm që ia ndalonin këngën si Orfeut qëmoti dhe e brengosnin me pa të drejtë, e detyroi poetin t’i ngjante asaj guaskës së zbrazur, flakur mes guralecëve të yjeve, si spirancë anijesh e këputur nga zinxhirët:

“I mbyllur shpirti,/ E mbyllur kënga,/ Rrethi i një laku më shtrëngonte në fyt,/ Dhe, oh, me sa kujdes i hidhja këmbët/ të mos shkelja/ aty ku më prisnin greminat”.

Agim Mato si poet shkoi përtej qytetit të tij, Sarandës. Ka një emër në poezinë shqipe, nisur me tre vëllimet e tij poetike para vitit 1990: “Jug”, “Në pragun e shtëpive tona”, “Buka e fjalëve” dhe më tutje me të tjerë si: “Jashtë eklipsit”, “Fundo”, “Lundrimet”. Vëllimi i fundit, “Pluhuri i artë i përjetësive”. Poeti është gjithëpo ai, me imazhet dhe mbresat e detit, me brigjet si dhe gjithë leksikun zoomorf dhe fitomorf që lidhet me to, nga njëra anë dhe me përjetimet për çka ngjet aty thellë, në shpirtin e tij, nga fëmijëria vrapacake dhe naive tek rinia dhe flukset dashurore, më tutje me shqetësimin e kohës, turbullirën dhe dhëmbët e hekurt të diktaturës, nën një pafajësi sa rebele aq dhe të trishtë. Në rininë time dhe më tutje kisha qejf të bisedoja me Agimin për letërsinë e veçmas për poezinë. E kishte fituar qysh atëherë në fundvitet ’60 më librin “Jug” statusin e poetit të lakuar, që shkruante “ndryshe”, përtej robërisë së rimës dhe klisheve të ngulura, duke kërkuar hapësira intime të një bote që këndellej e habitej nga stërkalat, guaskat, pulëbardhat, fiqtë e detit, dallgët, anijet dhe njerëzit dhe jo nga heronjtë dhe heroizmat butaforikë të kohës e poezisë së vendosur në rresht. Këtë qasje nuk e largoi kurrnjëherë edhe në librat e tjerë, duke dëshmuar lidhjen e brendshme me qytetin e tij. Asokohe e shihja shpesh që dilte vetëm buzë detit, i mjaftonte vetvetja, meditimet dhe përjetimet e tij poetike. E dija se kishte një “biografi” të keqe, andaj dhe nuk hapej lehtë. Por një ditë, duke ecur shëtitores, ai u hap me shume nga ç’duhej. Folëm çapraz për letërsine, lirine krijuese dhe ashtu, pa kuptuar, shkuam të një tjeter LIRI. Dhe kur e kuptuam se e tepruam, e qepëm në mirebesim. Ishin fundvitet 80 dhe goja na qe hapur per dreq… E mbaj mend atë ditë. U kthyem pa folur nje fjale. Qe nje pakt i habitshem mes nesh. E mbaj mend shume mire ate darke buze detit. Ndofta foli deti, jo ne… Pas vitit 1990 i mbeti besnik po librit, po poezisë, madje ngriti edhe një biznes botimesh nën emrin domethënës “Milosao” si dhe një medie elektronike që i shërbeu iluminimit të qytetit dhe banorëve të tij. Si kredo poetike e vëllimit të tij të fundit “Pluhuri i artë i përjetësisë”, për të cilin shkrova dhe botova edhe një artikull, përveç detit të pranishëm gjithkund, përveç fëmijërisë me vrapin e pafaj të ëndrrave e lodrave, afërmendsh edhe të Sarandës, dalloja vlerën dhe epërinë poetike të tij. Dhe pikërisht me poezinë “Sa herë më është dashur”, ai sikur bën sintezën e jetës, karakterit e mendjes së tij të bukur. Dhe në këtë ikje drejt amëshimit, dua Agim i dashur, mik i shtrenjtë, i aq shumë bisedave, i aq shumë kujtimeve, që ta shushurijmë së toku me një zë vargun tënd brilant, ashtu si në një psalm mbarëqytetës, dhe ndofta ta shushurijmë së toku si fjalë qielli e si pluhur i artë poetik, siç ti e thua, mbi banesën tënde të përjetshme:

Lexo edhe :  Ca pak orë luftë për të “pushtuar” Athinën me degë ulliri

“Sa herë më është dashur të bëj betime,/ kam vënë në be kokën e nënë sime;/ kam vënë në be pa u trembur këtë truall,/ këtë bukë që me lot e kam gatuar;/ këtë këngë që e mbartja mbi supe si Sizifi,/ e ma shembnin në humnera dhe e ngrija sërishmi./ Më është dashur të bëj be për dritën e syve të mi,/ për nderin që të parët më janë bërë fli./ Për hapat që ime bijë sapo ka hedhur,/ për vatrën ku zjarri i vatrës rri i ndezur./ Më është dashur… edhe be të rëndë kam bërë,/ se rëndë më/ ka peshuar fjala e dhënë./ Dhe nëse do të vdes pa e mbajtur fjalën,/ si në baladë do të shihni të ringjallem…”.

Të fundit

Jo më Vlora, po Shkodra: Lëvizja reale e tektonikës së politikës

Nga Ylli Pata Shkodra është një qark që prej vitesh ka ardhur avash avash duke ndryshuar sjelljen e saj si...

Turizmi e konsumi mbajnë me rritje ekonominë shqiptare

Pritjet e Bankës së Shqipërisë për ecurinë e ekonomisë shqiptare mbeten pozitive, të ndikuara nga turizmi dhe konsumi në rritje i popullatës. Drejtori i...

Eksperti i marrëdhënieve zbulon 4 shenjat që tregojnë se një çift është drejt divorcit

Një ekspert i marrëdhënieve zbuloi katër shenjat treguese që paralajmërojnë një divorc në një martesë. Në fakt, ai i përshkruan si “më të zakonshme...

Heidit i jepet një mision sekret, ja çfarë duhet të bëjë ajo

Sherret mesa duket nuk janë aq të forta mes banorëve të mbetur në shtëpinë më të famshme në shtëpi. Prej spektaklit të së martës, në...

Sulmi ndaj kryeministrit sllovak/Karamuço:Ky rast duhet të shërbejë si një mësim i madh

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço thotë se në rastin e sulmit me armë ndaj kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, pati një thyerje të të...

Lajme të tjera

Web TV