Shumica e “rilindësve” të Piktorit kanë nga 3-4 emra, shumë fe, por thuajse aspak shqiptari!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Kim Mehmeti

Ka vite që shqiptaria jeton nga një e keqe deri te grindja e radhës ndërpartiake, me çka u plakëm duke pritur të arrijë e mira e premtuar nga drejtuesit tanë partiak. Kaluan pra dekada qysh se kalendari ynë kombëtar shënon vetëm dështime, gjë që nuk i bën të ndihen keq burrështetasit e “Shqipërive” tona, por që i çon të rinjtë tanë ta braktisin vendlindjen.

Ka kohë që “Shqipëritë” tona janë vende ku të pasurit bëhen gjithnjë e më të pasur e skamnorët për herë e më të varfër, ku të keqen e djeshme e mbulon e keqja më e madhe që ndodh sot dhe ku plakemi duke pritur të ndodh mrekullia e të shpëtojmë nga kjo rrugaçëri partiake.

Pra, ka kohë që shoqëritë shqiptare janë shndërruar në varreza masive të ëndrrave e shpresave se edhe ne do bëhemi popull “institucional”, popull që do të ketë derë ku të trokasë për t’i zgjidhur hallet individuale e kolektive, popull fatin e të cilit do e përcaktojnë burrështetas më ndryshe se këta hajdutët e kriminelët e sotëm, shtetar që ndërtojnë e nuk prishin shtet.

Ka vite që mes nesh shtohet numri i atyre që edhe të djeshmen komuniste e rikujtojnë me nostalgji, që e sotmja e turbullt i bën të harrojnë se dje ishin më të varfër se sot, se asokohe komunistët e “vrisnin” Zotin e njeriun në ne. Pra, ka vite që shtohet numri i atyre që gabimisht besojnë se më mirë ishte dje kur të burgoste Xhaxhi sesa sot kur të përbuzin “hajdutokratët”, se më lehtë përballej varfëria e djeshme komuniste se plaçkitja e sotme demokratike dhe se në të djeshmen socialiste kishte më pak liri, por më shumë bujari e dinjitet sesa sot kur vullnetarisht u jemi përulur atyre që na vjedhin e nënçmojnë.

Po pra, ka vite që në heshtje sodisim si shoqëritë shqiptare u bënë ara ku më lehtë mbin fara e çmendurisë dhe e urrejtjes ndërpartiake se ajo e urtësisë dhe e njerëzores. Me çka u përçamë e u copëtuam si kurrë më parë, edhe atë thuajse vetëm që më lehtë të na sundojnë injorantët tanë “mendjehapur” që sa nuk na kanë bindur se hajdutëria e krimi janë vlera demokratike.

U bënë thuajse tri dekada që kur ne presim të vijë dita kur do të dalim nga baltovina e grindjeve politike, dita kur do të çrrënjoset “rrugaçëria” partiake. Dhe në ndërkohë duke mos kërkuar ilaç për sëmundjen kolektive nga e cila vuajmë – harresën – dhe duke mos ia rikujtuar vetvetes se popuj të suksesshëm janë ato që me fanatizëm i ruajnë vlerat kolektive që e bëjnë të dallueshëm nga të tjerët, por edhe të njëjtë me gjithë popujt e civilizuar.

Lexo edhe :  Pika zero e Revolucionit!

Kaluan dekada që ne jetojmë nga një dështim në tjetrin, por pa pasur forcë të pranojmë se politikanët tanë injorantë e të papërgjegjshëm nuk janë fajtorët e vetëm pse kalendari ynë kolektiv është përplot dështime, se rrënues të së ardhmes sonë janë edhe alamet “intelektualët e pavarur”, që ndihen të privilegjuar kur në darka i fton “mbreti” partiak, “mbreti” të cilit po ia hoqe emblemën partiake dhe kollaren, nga ai mbetet vetëm rrënja katrore e një zeroje të madhe, zero e shumëzuar me paturpësinë dhe papërgjegjësinë e tij.

Ku ta dish, tani kur thuajse e kemi arritur fundin e degradimit kolektiv, ndoshta ka ardhur koha kur ndaj drejtuesve tanë xhepmbushur e kokëbosh duhet të sillemi si ndaj armës së zbrazur – t’i mbajmë sa më larg fëmijëve tanë, duke ua ndaluar me ligj marrjen me politikë. Edhe atë jo pse thuhet se pushkën e zbrazur e mbush djalli, por pse ata janë djalli vetë.

Pra, ku ta dish, mbase ka ardhur koha kur ne duhet ta pranojmë se jemi viktimë edhe e disa qarqeve perëndimore, të cilat i mbështetën burrështetasit shqiptarë që me gënjeshtra dhe dhunë e mbanin nën kontroll shqiptarinë e pakënaqur, qarqe perëndimore që kishin nevojë për burrështetas të dëgjueshëm ndaj tyre e arrogantë ndaj popullit të vet.

Po, ne vazhdojmë të plakemi duke shpresuar e duke pritur, për shembull, se dikush do të na shpëtojë e çlirojë nga “rilindësit” e Piktorit, nga ata që kanë nga tre katër emra, nga më shumë fe, por thuajse aspak shqiptari. Nga ata që nuk kanë qenë të përgjegjshëm ndaj identitetit personal, që kanë shitur dhe kanë fshehur emrin e qumështit të nënës e nga të cilët ne presim të mbrojnë atë që mbase aspak nuk e ndiejnë si të veten, atë që as shitet as blihet: identitetin dhe interesin kombëtar!

Të fundit

Shqiptarët heqin dorë nga makinat e vjetra, rritet përdorimi i modeleve të reja

Shqiptarët po tregojnë gjithnjë e më shumë interes për rinovimin e flotës së automjeteve, duke hequr dorë nga makinat...

Gripi dhe ftohja: Cilat janë ngjashmëritë dhe ndryshimet?

Kur fillon të të dhemb fyti, hunda fillon të të rrjedhë dhe kthimi në shtrat duket më joshëse se kurrë, atëherë mund të kesh…...

“Fto në podcast motrat Hoxha”, Arbana Osmani i përgjigjet ndjekëses

Moderatorja e njohur Arbana Osmani i është përgjigjur një komentuesi në Instagram i cili i sugjeroi të ftojë në podcast producentet e “Top Channel”,...

Mërtiri: Berisha nuk e ka luftën me Ramën, por me Altin Dumanin

Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga fillimi i Prokurorisë së Posaçme, 5 vjet më parë. Sjellja e politikës ndaj SPAK është bërë edhe më...

Cila është dita juaj me fat sipas shenjës së horoskopit?

Për shumicën e njerëzve dita më e mirë është e premtja dhe arsyeja është sepse fundjava fillon menjëherë pas. Megjithatë, astrologjia mund të shpjegojë...

Lajme të tjera

Web TV