Struktura anti-korrupsion e kryeministrisë ka ‘zbarkuar’ në Sarandë. Report Tv mëson se ditën e sotme ato kanë ushtruar një kontroll blic në Kadastrën e Sarandës, ku raportohet se janë sekuestruar afërsisht 9 dosje të dyshimta korruptive. Zonat me interes ekonomik, siç është bregdeti i Shqipërisë, kryesisht në jug të vendit janë pikat kryesore ku abuzimi me pronat ka qenë tepër i lartë, për këtë arsye edhe plazhet e Sarandës dhe të Vlorës kanë qenë në fokus të këtij operacioni.
Tre koordinatorët e urdhëruar nga kryeministri Edi Rama, Helena Lula, Enertil Canaj dhe Sokol Plaku kanë sekuestruar një sërë dosjesh, teksa kanë paralajmëruar se do të ketë ndëshkime nga nivelet më të larta drejtuese në këtë institucion deri në ndjekje penale.
Kujtojmë që pak ditë më parë, kreu i Kadastrës, Artan Lame ka paralajmëruar largimin e një sërë drejtuesish të Kadastrave në rrethe “që nuk janë në lartësinë e duhur të detyrës”, duke nisur nga Shkodra, Lezha, Kruja, Durrësi, Tirana, Korça, Saranda e Fieri, e për pasojë shpalli thirrjen për aplikime për drejtues të rinj. Kjo deklaratë e Lames është pasuar edhe më këto operacione, teksa priten të mësohen më shumë detaje në vijim.