Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit, bënë me dije përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se kreu i shtetit Meta, gjithashtu do ti drejtohet Komisionit të Venecias në lidhjet me shkeljet e kushtetueses në procesin e zgjedhjes së dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Blushit ky proces përmbante shumë shkelje duke filluar nga zgjedhja e bërë pa garë, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese.
Postimi i plotë: “Nuk mund të frenojmë askënd, e aq më pak Kuvendin e Shqipërisë, të kërkojë këshilla miqësore apo të kundërshtojë në Komisionin e Venecias, Dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për emërimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese në plotësim të vakancës së tij.
Shteti Shqiptar ka një marrëdhënie të konsoliduar me Komisionin e Venecias dhe institucionet që vendosin t’i drejtohen këtij organi këshillimor, duhet ta ushtrojnë këtë të drejtë objektivisht dhe jo për përdorim politik.
Megjithatë nëse Kuvendi, do të vijojë me rrugën e zgjedhur dhe vërtet dëshiron të shterojë objektivisht këtë çështje, Presidenti i Republikës bën me dije se, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, si zgjedhje të bëra pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese.”
Kështu, Komisioni Hetimor zgjeroi planin hetimor duke futur dhe dekretin e Metës për Marsida Xhaferllarin si anëtare të Kushtetueses, ndërkohë Meta i kundërpërgjigjet duke e çuar po për këtë çështje, por për veprimin që bëri Kuvendi duke zgjedhur dy kandidatë radhazi nga dy listat. Meta e cilësoi si kriminal veprimin e KED për të çuar dy lista njëherësh te Presidenti dhe te Kuvendi, duke mos mbajtur radhën e veprimit si dhe kallëzoi penalisht kreun e këtij institucioni Ardian Dvorani./Fjala.al