Komandanti i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë, Gjeneral Major David Tabor, me bazë në Shtutgart të Gjermanisë deklaroi se komanda Amerikane e Forcave Speciale në Europë ka njoftuar instalimin e një shtabi pararojë në Tiranë. Ai pohoi se do të jenë në Tiranë për t’ju përgjigjur kërcënimeve.
“Aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në koordinim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje. SOCEUR është vendosur në mënyrë unike për të nxitur marrëdhëniet tona me aleatët dhe partnerët për të kundërshtuar ndikimin keqdashës, për të ndërtuar ndërveprueshmërinë, për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve në zhvillim dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur agresionin”, tha Tabor.
Vetë komanda amerikane specifikoi se ngritja e këtij shtabi u mundësua si rrjedhojë e bashkëpunimit të qeverisë shqiptare.
Kujtojmë se Shqipëria mirëpriti stërvitjen masive “Defender Europe 21” dhe ka kërkuar zyrtarisht përmes ministrit Niko Peleshi, që edhe “Defender 22” të zhvillohet sërish në vendin tonë. Në stërvitjen e vitit 2020, kjo komandë në Shtutgart dërgoi mijëra trupa drejt vendeve balltike, në kufi me Rusinë, ndërsa menjëherë pas këtij zhvillimi ish-presidenti Donald Trump vendosi zhvendosjen e 20 mijë ushtarëve amerikane nga baza gjermane në Gjermani.
Të gjithë këtë lëvizje, analistët ndërkombëtarë e shohin si spostim të ushtrisë amerikane sa më afër vendeve që janë të rrezikuar nga konfliktet, siç mund të jenë Rusia nga njëra anë me konfliktet rreth saj dhe pjesa tjetër ku përfshihen konfliktet e Lindjes së Mesme me krizën e emigrantëve dhe Turqia që rrezikon kolapsin ekonomik. Ata thonë se kanë shkuar drejt këtij përfundimi duke iu referuar jo vetëm ngjarjeve në rajon, por edhe deklaratës së gjeneralit Tabor, ku specifikohet fjalia “kërcënime në zhvillim” dhe “mposhtja e një agresioni”.