Katër persona fatmirësisht kanë arritur të shpëtojnë për mrekulli nga orteku që ndodhi sot në Brezovicë të Kosovës.
Nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës kanë deklaruar për Telegrafin se po vazhdon kërkimi edhe pse deri më tani nuk ka shenja se edhe persona të tjerë mund të jenë në zonën ku ka ndodhur orteku.
“Ne kemi qëlluar në Brezovicë. Për momentin nuk ka ndonjë shenjë që ka persona të tjerë që po mungojnë, por ne po vazhdojmë kërkimin për çdo rast, jemi këtu. Kanë qenë katër persona që fatmirësisht kanë shpëtuar. Jemi duke mbledhur informata sepse ka fjalë se mund të jetë edhe dikush brenda, mirëpo në bazë të kërkimeve të para nuk është askush. Orteku ka rënë jashtë pistës së skijimit”, thanë nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.
Ditë më parë ekipet e kërkim-shpëtimit kishin paralajmëruar se mund të ketë ortekë për shkak të reshjeve të borës.