Ish-lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha, i favorizuar nga rezultati i zgjedhjeve të 6 Marsit, ju ka kërkuar demokratëve të zhgënjyer nga Basha të afrohen për të forcuar Partinë Demokratike. Berisha tha se është gati të kandidojë në një garë të ndershme me vota të lira.
Ish-lideri i së djathtës, Sali Berisha, është gati të marrë Partinë Demokratike. Rezultati i 6 Marsit për Berishën është një derë e hapur për të marrë PD zyrtare që drejtohet nga Lulzim Basha. Menjëherë pas zgjedhjeve të së dielës, njerëzit të cilën zgjodhën Bashën dhe jo Berishën, filluan të largoheshin një e nga një. Kjo situatë dhe disfata e Bashës është kthyer si lojë në favor të Berishës i cili tani ka hapur derën e të zhgënjyerit të Bashës. Gjithë zërat që janë kthyer kundër Bashës, Berisha i ka ftuar të bashkohen për të rimarrë Partinë Demokratike. Në një konferencë të gjatë Berisha e shprehu hapur ambicien për të marrë nënkontroll Partinë demokratike. Ish-kryeministri i cilësoi zgjedhjet e pjesshme vendore si një rikthim të tij në skenën politike. “Besoj se në rast se 6 marsi faktoi katërcipërisht një të vërtetë, ajo është rikthimi i Sali Berishës. Rikthimi i tij me një mbështetje prej 31% të elektoratit shqiptar. Dhe dua t’ju rrëfej këtu, siç keni konstatuar unë bëra fushatën më intensive në zgjedhjet lokale. Nuk gjeni ju që unë të kem qenë kaq shumë herë në zgjedhjet lokale. U detyrova ta bëj këtë jashtë dëshirës time. Sepse çfarë ishte kjo, për ata që e njohin zgjedhjet ishte një personalizim në rrafsh të përgjithshëm. Meqenëse morën me arbitraritet Edi Rama, mori logon dhe ia dha kallpit të tij. Meqënëse zonja guvernatorë i lejoi vetes të ndërhyjë në mënyrë antidemokratike në fushatë kundër Sali Berishës, dua t’ju thoja, unë jam Sali Berisha. Ky që thotë zonja guvernatorë, dhe ky që i kanë marrë logon me të cilën ai, ajo parti ka garuar për 30 vite. Të gjitha këto i them këtu se është jashtë çdo lloji imagjinate që unë të devijoj nga ky kurs, nga vendimi im i shpallur përpara demokratëve që do garoj për kryetar të PD-së, por duke garantuar çdo personalitet që dëshiron të hyjë në garë, kushte të barabarta. Duke garantuar demokratët se do pranoj rezultatet e tyre pa asnjë koment. Ky është qëndrimi im. Rikthimi ka ndodhur në 6 mars”, tha Berisha.
Ftesa për deputetët kundër Bashës
Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje deputetëve demokratë që dolën kundër Lulzim Bashës pas daljes së rezultatit të 6 Marsit të bashkohen me të. Berisha deklaroi se qytetarët shqiptarë i dhanë përgjigjen Bashës se nuk e pranojnë opozitën fasadë të Ramës. Ai tha se ka vetëm një kusht për bashkimin e demokratëve dhe ai është vota e lirë dhe e ndershme. “Unë mendoj se zgjedhjet e 6 marsit nxorrën në dritë para shqiptarëve se “Shtëpia e Lirisë” në të cilën aleancë PD ka rolin kryesor përbën opozitën e vërtetë shqiptare. 70% e popullit shqiptar voton për “Shtëpinë e Lirisë”. Ky ishte një nga produktet më të rëndësishme të 6 marsit me të cilën në këtë ditë qytetarët shqiptarë i dhanë përgjigjen e merituar Edi Ramës. Se lojën me fasadë opozitë nuk e pranojnë por e hodhën në kosh të plehrave”, tha Berisha, duke kërkuar të afrohen të gjithë demokratët që nuk pajtohen me drejtimin e Bashës. “Gjej rastin të ftoj çdo demokrat që të lexojë mesazhin e datës 6 Mars dhe të bashkohemi si opozitë e vërtetë drejt zgjedhjeve të tjera. Kam ndjekur zhvillimet brenda selisë dhe Lul Bravës dhe bunkerit të blinduar. Vlerësoj qëndrimet e deputetëve. Sapo konstatuan qëndrimin e elektoratit shqiptar se brava opozita është false, ata shpresën qëllimet e tyre të drejta”, tha Sali Berisha gjatë konferëncës për shtyp. Ai i ka ftuar të bashkohen me PD dhe të kontribuojnë në konsolidimin e saj. “I garantoj se ligji dhe i vetmi kusht i këtij bashkimi është edhe mbetet vota e lirë. Kushdo që pranon votën e lirë si mekanizëm, bashkimi mes demokratëve është i mirëpritur të bashkohet me ne”, tha Berisha. Ish- lideri i demokratëve u pyet nga gazetarët nëse është gatshëm të krijojë një kongres pajtimi mes tij dhe Lulzim Bashës? Berisha ju përgjigj se: “Jam i gatshëm për çdo propozim që vendos në epiqendër votën e lirë të demokratëve shqiptarë. Unë bëj thirrje jo vetëm demokratëve por çdo shqiptari të kthejë vëmendjen e plotë, votën e lirë, vota e lirë është dinjitet”, tha Berisha.
Japin dorëheqjen nga postet Duma, Gjekmarkaj dhe Açka
Grida Duma vendosi të japë dorëheqjen si nënkryetare e PD-së këtë të mërkurë, pas Agron Gjekmarkajt dhe Flutura Açkës. Ajo shprehet se ky është një vendim i domosdoshëm për demokratët. Grida me fjalë të ashpra ndaj kryedemokratit Lulzim Basha tha se ai përdori një pakicë të zhgënjyerish për të goditur deputetët, më të votuarit dhe më përfaqësuesit e Partisë Demokratike. “Megjithëse personalisht nuk kam asnjë përgjegjësi në vendimmarrje dhe ia kam shkruar e lënë të dokumentuara vendimet e dëmshme, deklaroj që jap dorëheqjen si Nën/Kryetare e Partisë Demokratike, duke qenë ky vetëm një prej vendimeve të domosdoshme për demokratët. Partia Demokratike nuk mund të jetë humbëse se duhet që dështaku të fitojë e përfitojë”, tha Duma. Agron Gjekmarkaj ishte i pari që ndërmori mes demokratëve aktin politik të dorëheqjes, duke i rikthyer postet partiake që Lulzim Basha i dha. Ferdinand Xhaferraj dhe Ervin Salianji qëndrimin e mbajtur në grup e bënë publik edhe në rrjetet sociale. Revolta ndaj lidershipit demokrat ka prodhuar një lëvizje të re brenda PD për largimin e Lulzim Bashës. Zëra brenda grupit parlamentar janë me moton; Të dy larg PD, si Basha dhe Berisha. Kreu i PD-së, Lulzim Basha vijon të mos pranojë humbjen e thellë në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku jo vetëm nuk mundi të marrë asnjë bashki, por u rendit forcë e tretë me më pak vota se koalicioni i Sali Berishës me LSI-në dhe PDK-në. Zgjedhjet e 6 marsit kishin një vlerë të madhe për elektoratin demokrat, ku pritej të tregohej mbështetja e demokratëve të cilët prej muajsh tashmë janë ndarë në dy fronte, ata që mbështesin Bashën dhe ata që mbështesin Berishën.