Më psikologjis pak… pritshmëritë për superfuqitë e psikologëve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

“Aaaa qënke psikologe ti…”, “jeni të rrezikshëm ju”, “ se ju lexoni mëndjen”, “ më psikologjis pak? … këto janë disa nga komentet më të shpeshta që më vijnë drejtpërdrejt apo virtualisht gjatë bisedave në tavolinë apo mediat sociale e jam e sigurtë që i shkojnë të gjithë atyre që e bëjnë këtë profesion.

Disa syresh e përdorin me humor e unë qesh me ta mbi këtë perceptim superfuqish që na bëhet rëndom, por disa e mendojnë vërtet të tillë.

Nuk ke dhe çfarë të thuash kur dëgjon të shndërruar në folje emertimin e një dege shkencore : Më psikologjis pak?
Është si të thuash më matematiko pak, më inxhinierizo pak.

Ata që e bëjnë këtë pyetje, kuptohet që kanë pak informacion lidhur me fushën e psikologjisë, çfarë studion, si i studjon dhe aplikimet e gjetjeve të saj shkencore. Te disa individë gjenerohet menjëherë mendimi se psikologu lexon mëndjen.

Psikologjia është një disiplinë shkencore që merret me studimin e mendjes, si funksionon dhe si ndikon ajo në sjelljen njerëzore. Një psikolog përgatitet sesi t’i ndihmojë njerëzit të jenë më të shëndetshëm dhe më të suksesshëm.

Ata nuk i analizojnë njerëzit, por mësojnë të përdorin metoda shkencore për të kuptuar mendimin dhe sjelljen njerëzore. Intervistat klinike, testet e ndryshme, vezhgimet dhe veteraportimet nga rastet, jane disa nga mjetet e përdorura nga psikologët për të marrë informacionin e nevojshëm. Më pas ky informacion analizohet për të konkluduar një diagnozë apo për të hartuar një plan ndërhyrës psikoterapeutik.

Teknikat e ndryshme terapeutike që përdoren për të ndihmuar në eleminimin e disa problematikave (mendime negative, sjellje të gabuara apo problematika emocionale), mund të mendohen si shkop magjik, por që në të vërtetë janë rezultat i punës shkencore të studjuesve të psikologjisë në vite, ashtu sikurse inxhinierët përdorin formulat për zgjidhjen e një problemi ndërtimi.

E parë në këtë këndvështrim, superfuqitë e një profesioni shndërrohen në pluhur hiri nga shkëlqimi i paramenduar.

Më vjen keq t’ju konfirmoj, ashtu si dhe kolegët e mi, se ne psikologët nuk mund të lexojmë mendjen e askujt. Nuk kemi fuqira magjike të parashikojmë çfarë ka dikush në plan për të bërë nëqoftë se vet ai nuk na e thotë.

Një psikolog mund të parashikojë ndodhjen e një përkeqesimi mendor, emocinal apo sjellor por ashtu sikurse një ekonomist që parashikon humbjet financiare të një biznesi përmes të dhënave që analizon në tavolinën e tij dhe një psikolog mund ta bëjë këtë parashikim duke studjuar e analizuar të dhënat që merr për rastin.

Lexo edhe :  Faktori kryesor që bashkon Shqipërinë, Kosovën dhe Shkupin

Dikush nga ju mund të ngrejë pretendimin se Psikologjia nuk është shkencë ekzakte, por si mund të jetë e tillë kur kemi të bëjmë me trurin njerëzor?

Lidhur me disa perceptime të gabuara që i atribuohen profesionit të psikologut është dhe fakti se disa individë mendojnë se “ duhet të kesh një çrregullim ose diagnozë për të parë një psikolog”.

Duhet kuptuar se psikologu mund të ndihmojë jo vetëm për sjelljet anormale ekstreme e gjëndjet e rënduara të humorit, por edhe me trajtimin e simptomave shqetësuese si të stresit, vështirësive dhe problemeve të tjera të jetës që nuk plotësojnë domosdoshmërisht kriteret për një diagnozë të një gjendjeje/çrregullimi specifik të shëndetit mendor.

Në vendet e zhvilluara perëndimore ekziston një edukatë tjetër nga e jona lidhur me mirqënien e shëndetit mendor e fizik. Ata janë mësuar të frekuentojnë mjekun dhe psikologun rregullisht, me qëllim parandalimin
e zhvillimit të një sëmundjeje apo çrregullimi.

Një pjesë e madhe e tyre paraqiten çdo ditë për probleme të ndryshme që përjetohen, duke i parë specialistët e shëndetit mendor, specifikisht psikologun, si një mënyrë për të marrë mbështetje nga dikush i paanshëm dhe jogjykues për t’u ndihmuar në periudha të vështira.

Dhe për ta mbyllur, nuk janë “të çmendur” ata që na takojnë ne psikologëve.

Përdorimi vend e pavend nga disa i fjalës “i çmendur” në lidhje me të gjitha çështjet e shëndetit mendor shkaton një stigmatizim që frenon disa njerëz të kërkojnë ndihmë edhe kur kanë nevojë. Mendoni pak më thellë para se të thoni“ vetëm të çmendurit shkojnë tek psikologu”.

Mendoni për pak momente personat me të cilët jetoni, punoni, dashuroni. Mendoni për personin që ulet pranë jush në tavolinë, mendoni për ata që shihni rrugës për në punë, apo ata që përshëndesni çdo mëngjes, apo kolegun me të cilin punon çdo ditë – të gjithë këta mund të frekuentojnë psikologun dhe ju as nuk mund ta dini.

Çdokush mund të vizitojë një psikolog dhe, jo, nuk është i çmendur dhe nuk të çmend.

Përkundrazi, ata që të çmendin thonë : “më psikologjis pak?”.

“Jeta nuk ka kuptim pa ndërvarësi. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe sa më shpejt ta mësojmë këtë, aq më mirë për të gjithë ne.” -Erik Erikson

Përgatiti Rudina Koromani
Psikologe Klinike

Të fundit

Diaspora, regjistrim dhe votim edhe me dokumente të skaduara

Të gjithë emigrantët mund të votojnë në zgjedhjet e 11 majit edhe pse mund të kenë një dokumentet e...

Çmimet e ushqimeve të importuara u ulen me 7% më 2024, por nuk u reflektuan! Ja faktorët

Një kilogram ushqim i importuar vitin e kaluar ka kushtuar 7% më lirë se në vitin 2023 sipas të dhënave zyrtare nga tregtia e...

Shqipëria, destinacioni i ngjashëm me Maldivet me ujërat më të pastra në Evropë

Është e vështirë të mos pëlqesh të udhëtosh për pushime, por, sipas blogerëve të udhëtimeve, ekziston një vend që mund të dëshironi ta vizitoni...

Gjunjëzimi i PD para ‘Kandidatit për Kryeministër’

Mero Baze Në fillim, kur kriza shpërtheu dhe PD u nda mes Berishës dhe Bashës, Berisha i lejoi të vetët më të moderuar, të thoshin se të...

Lajme të tjera

Web TV