Megjithëse duhet të vuajë dënimin me 15 vite e 5 muaj burg për trafik droge, Moisi Habilaj, i cili e kishte bazën e operacioneve mes Katanias, Lentinit dhe provincës së Raguzës, nuk do të shkojë pas hekurave të paktën për momentin.
Që nga fillimi i janarit 2021, trafikanti i drogës i ka humbur gjurmët dhe nuk është më i kapshëm. Një arratisje – e zbuluar nga MeridioNews – e mbështjellë në mister, me disa aspekte jo shumë të qarta dhe për të cilat policia nuk është shprehur asnjëherë në mënyrë zyrtare.
Habilaj, pasi u dënua në shkallën e parë dhe kishte kaluar gati një mijë ditë në burg, për shkak se iu nënshtrua masave të parandalimit që nga blici i 2017-ës, iu nënshtrua arrestit të shtëpisë. Kërkesa e avokatëve të tij ishte vendimtare. Kështu në verën e vitit 2020, 44-vjeçari u transferua, pa byzylyk elektronik, në shtëpinë e vëllait të tij Gazmend pa rekorde kriminale në San Michele di Ganzaria, në Calatino.
Datat që duhet të rrethohen me të kuqe në kalendar janë dy. Ajo e datës 17 dhjetor 2020, kur në procesin e Apelit mbërrin konfirmimi i dënimit me 15 vjet e 5 muaj dhe ajo e 30 dhjetorit 2020. Te kjo e fundit Habilaj merret nga policia dhe dërgohet në komisariatin e Caltagirone. Disa orë ballë për ballë me agjentët, nuk dihet pse, dhe më pas kthimi në shtëpinë e San Michele di Ganzaria, ku burrit i ishte bashkuar tashmë gruaja e tij që kishte ardhur nga Shqipëria. Kalojnë disa ditë, gruaja niset për në Ballkan dhe trafikanti zhduket në ajër, duke filluar arratisjen. Që atëherë heshtje absolute.