Drejtori i Zyrës serbe për Kosovën dhe Metohinë, Petar Petkoviç, ishte të enjten në Bruksel, së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në bisedimet që u mbajtën mes Prishtinës dhe Beogradit.
Gjatë një konference për shtyp këtë të premte ai deklaroi se Vuçiç do t’i drejtohet publikut serb të dielën në orën 13:30, pas një takimi me serbët e Kosovës.
“Presidenti nuk mund të pajtohet me faktin se kemi konflikte, se nuk kemi kompromis, po punojmë ditë e natë për të gjetur një zgjidhje”, tha Petkoviç. “Presidenti të dielën do të flasë për gjithçka, dialogun, propozimet, sjelljen e Kurtit, si dhe dëshirën tonë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, jetën e qytetarëve tanë në Kosovë dhe Metohi”, tha Petkoviç.
Ai ka theksuar se Vuçiç menjëherë nga Brukseli ka caktuar një takim me përfaqësuesit politikë të Republikës së Kosovës për të dielën në orën 11:00 në Pallatin e Serbisë. Petkoviç shtoi se Vuçiç më pas do të ketë një bisedë telefonike me presidentin e Azerbajxhanit, me të cilin do të diskutojë për blerjen e energjisë elektrike në kushte të drejta. Më pas, siç tha ai, Vuçiç do t’i drejtohet kombit.
Ai ka theksuar se Vuçiç ka biseduar me bashkëpunëtorët e tij që nga mëngjesi i sotëm dhe vazhdon të punojë me ekipin negociator serb për gjetjen e zgjidhjeve dhe arritjen e një kompromisi. Ai thekson se janë duke u shqyrtuar të gjitha zgjidhjet e mundshme që do të jenë në interes të popullit serb në Kosovë dhe Metohi dhe që nuk do të shkelin interesat e Beogradit, por që do të shkojnë në drejtim të një zgjidhjeje kompromisi.