Klubi i Kukësit ka shkarkuar trajnerin Shpëtim Duro pas barazimit 2-2 me Teutën pasditen e sotme në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës.
Rezultatet e dobëta të mara nga verilindorët në ndeshjet e dy javëve të fundit të Kategorisë Superiore duket se kanë çuar në shkarkimin nga detyra të teknikut Duro.
Ky lajm u bë publik pak minuta më parë nga faqja zyrtare e Kukësit në “Instagram” ku shkruan se fillimi jo i mirë i fazës së tretë të kampionatit ka bërë që klubi verilindor të shkarkojë Duron nga detyra e trajnerit.
Rikujtojmë që javën e kaluar skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro u mund me rezultatin 1-2 nga Tirana.
“Njoftim i klubit!
Shpëtim Duro nuk do të jetë më trajner i Kukësit. Klubi ka vendosur të shkarkojë teknikun për shkak të mungesës së rezultateve. Fillimi jo i mirë i fazës së tretë dhe sidomos ndeshjet ndaj Bylisit, Tiranës dhe së fundmi ndaj Teutës, ka bërë që Duro të shkarkohet! Pas 24 javësh kampionat, Kukësi renditet në vendin e dytë me 4 pikë larg kreut! Klubi falënderon Duron për gjithçka ka bërë te Kukësi dhe i uron suksese në të ardhmen!”-shkruhet në njoftimin e klubit të Kukësit./Fjala.al/