110-vjet ekonomi shqiptare/ Drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Anastas Angjeli, Adrian Civici

1991-92 : Fillimi i vështirë i Tranzicionit

Ndryshimet radikale politike të vitit 1990-91 të shoqëruara me vendosjen e sistemit parlamentar shumëpartiak, i hapën rrugën dhe fillimit të transformimit radikal të ekonomisë shqiptare : nga një ekonomi e centralizuar me planifikim qendror – drejt një ekonomie të hapur tregu të tipit perëndimor. Dy vitet e para të tranzicionit (1991 – 92) përbëjnë periudhën më të vështirë të ekonomisë shqiptare të 50 viteve të fundit : PBB ra në 50%, rritja ekonomike arriti një shifër negative rekord prej -13%, cmimet e produkteve baze ushqimore u rritën 5-6 herë vetëm brenda vitit 1991, prodhimi industrial dhe ai bujqësor pothuajse u paralizuan, deficiti buxhetor e kaloi shifrën prej 50% te PBB, inflacioni u rrit me ritme galopante duke arritur ne 400 % në fund te vitit 91, borxhi i jashtem u rrit mbi 600 milion US$, papunësia kapi nivele mbi 50% te popullsisë se afte per pune, etj.

Në vitin 1992, qeveria shqiptare nënshkroi marrëveshjen e parë me FMN ne kuadrin e detyrimit për te aplikuar paketën e politikave liberale rigoroze te “axhustimit strukturor” duke siguruar njëkohësisht dhe një kredi te tipit stand-by.

Reformat e para u përqëndruan në : shkrirjen e sektorit kooperativist dhe ndarjen falas të tokes bujqesore në favor te popullsisë rurale ; krijimin e nje agjensie kombëtare privatizimesh, kryesisht për sferën e shërbimeve ; ristrukturimi i disa prej ndermarjeve kryesore industriale për ti pergatitur per privatizim ; inkurajimi i krijimit të ndërmarjeve të reja private ; liberalizimi i cmimeve duke perjashtuar nje « shporte » te disa ushqimeve bazë si vaji, buka, sheqeri, etj. ; c’vleftesimi i lekut dhe vendosja një perqindjeje këmbimi reale ; liberalizimi i tregetisë së jashtëme dhe vendosja e një tarife unike doganore prej 10%, etj.

Politikat dhe masat e para të fillimit të tranzicionit :

  • Aprovimi i “ligjit për tokën” në 19 korrik 1991 i cili parashikonte shkatërimin e kooperativave bujqësore (që zinin mbi 75% të fondit të tokës së punueshme në shkallë vendi në vitin 1989), shpërndarja falas e tokës për anëtarët e këtyre kooperativave në varësi të disponibilitetit të tokës dhe numrit të anëtarëve. Përjashti i cdo mundësie që ish-pronarëve ti kthehej fizikisht toka sipas pronave të para vitit 1944 dhe reformës agrare mbas luftës së dytë botërore; përjashtimi i të hujave nga mundësia e blerjes së tokës.
  • Krijimi i një agjensie kombëtare të privatizimeve që duhet të administronte gjithë procesin e privatizimeve në sektorët e shërbimeve, tregëtisë, industrisë, etj. U parashikua që vetëm gjatë vitit 1992 të dilnin për privatizim mbi 25000 objekte të vogla e të mesme tregëtare, artizanale, etj. Faza e privatizimeve të mëdha duhet të fillonte mbas vitit 1992, mbasi të përfundonte dhe transformimi i ndërmarrjeve të mëdha shtetërore në shoqëri aksionere.
  • Liberalizimi i cmimeve duhej të bëhej i plotë me përjashtim të tre produkteve bazë si buka, vaji ushqimor dhe sheqeri.
  • Futja e sistemit të konvertibilitetit të lirë të lekut dhe përcaktimi në treg i kursit të këmbimit të lekut me monedhat e tjera të huaja. Për blerjet dhe shitjet me monedhë të huaj, qeveria shqiptare vendosi ECU si monedhë njësi reference.
  • Liberalizimi i tregëtisë së jashtëme me përjashtim të një liste të vecantë produktesh që kërkonin miratim të vecantë nga Ministria e Ekonomisë. U vendos dhe një tarifë unike doganore prej 10%.
  • Në janar 1991, Shqipëria aderon në FMN dhe menjëherë përfiton një kredi stand-by, e cila i hapte rrugën dhe burimeve të tjera të financimit për ekonominë dhe zhvillimin.
  • Në prill 1991, Shqipëria bëhet anëtare e Bankës Botërore e cila ofron menjëherë ekspertizë për sektorin bankar dhe atë agro-ushqimor.
  • Në 9 tetor 1991, Shqipëria hyn në BERZH (Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim) duke facilituar së tepërmi financimet e huaj shumë të domosdoshme në këtë moment.
  • Shqipëria vendos marrëdhënie diplomatike me të gjitha vendet e BE.

Kjo periudhë u shoqërua dhe me një ndihmë masive nga komuniteti ndërkombëtar : nëpërmjet operacionit « pelikan » Italia dhuroi dhe shpërndau mbi 540 000 ton ushqime dhe shume produkte mjekesore e farmaceutike ; BE-ja planifikoi dhe filloi dergimin e mbi 400 000 ton ushqimeve, 230 million US$ nga BE-ja ne favor të përmiresimit të bilancit të pagesave dhe importeve urgjenteve ; 42 million US$ nga Banka Boterore dhe 36 million US$ nga IDA kryesisht për importet e domosdoshme dhe reduktimin e varferise në zonat rurale ; një transh të parë prej 10 million US$ nga ana e BERZH kryesisht në favor të rikonstruksionit të rrjetit të telekomunikacionit ; 83 million US$ nga qeveria amerikane në favor të produkteve ushqimore dhe asistences teknike për riorganizimin e sektorit bujqësor e ushqimor ;  42 million US$ te dhena nga qeveria gjermane kryesisht në funksion të përmirësimit të sektorit të shëndetsisë dhe ujit të pijshëm ; etj.

Rezultatet e para pozitive u shfaqën që në fillim të periudhës 1993–95. Largimi i ushtarëve italiane të operacionit « pelikan » në  dhjetor 1994 ishte shenjë e qartë e mbarimit të periudhës së emergjencës dhe fillimit të një periudhe stabiliteti e rritjeje ekonomike. Kjo u shfaq në shumë tregues : rritje ekonomike 9.6% në 93 dhe 13.4% ne 95; rënie evidente e inflacionit nga 236% ne 92, ne vetem 6 % ne 95; rritje e lehte e eksporteve (+ 29% ne 95 në raport me vitin 92).

Në përgjithësi, përsa i përket indikatorëve kryesorë makroekonomikë, Banka Botërore dhe FMN-ja ishin të kënaqur për respektimin e kritereve të tyre të axhustimit strukturor : kontroll i masës monetare dhe të deficitit buxhetor, eleminimi i hiper inflacionit, papunësi në rënie, përqindje këmbimi të lekut me devizat e tjera te stabilizuar, cmime të liberalizuara, etj. Edhe bujqësia, e quajtur “motori i zhvillimit”, me rritjen e saj prej 18.5% në 92 dhe 13.2% ne 95 deshmonte per kete fillim te ringritjes se ekonomise shqiptare, qe gjithsesi afishonte shifra kaq te larta dhe per faktin se baza e krahasimit ishte periudha me e keqe e saj, vitet 90-91.

1996-97 : Skemat financiare piramidale – shembja e shtetit

Shqipëria arriti megjithatë që brenda pak vitesh (1992-1996) të ishte e suksesshme në reformat e saj strukturore makroekonomike në konformitet të plotë me rekomandimet e FMN-së. Por, në mënyrë që të realizonte objektivat themelore të reformimit të sistemit financiar në bazë të marrëveshjes me FMN të tilla si kontrolli i inflacionit, reduktimi i deficitit buxhetor, ristrukturimi i borxhit të jashtëm, krijimi i sistemit bankar me dy nivele,etj., Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave vepruan në drejtim të shtrëngimit të politikës monetare dhe buxhetore duke bërë që gjatë periudhës 1992-95 të kishte një ulje të konsiderueshme të ekspansionit të kredisë, të shpenzimeve publike, një zvogëlim të agregatit monetar në raport me PBB si dhe vështirësi në licencimin dhe fillimin e aktiviteti të bankave tregtare private.

Gjatë 1992-93 subvencionet për ndërmarrjet publike u zvogëluan nga 16% në 2% në raport me PBB, rritja e masës monetare u reduktua ndjeshëm, pagat reale u zvogëluan me 26%, sektori publik u reduktua me 2/3 e efektivave të tij, etj. Edhe Bursa e Tiranës që mund të ishte një element i rëndësishëm në qarkullimin formal të kapitaleve mbeti thjesht një gjest formal.

Këto “shtrëngime” si dhe mungesa e lindjes dhe zgjerimit të ndërmjetësuesve financiarë  bëri që të lindte një sektor financiar jo formal i madh. Kërkesa dhe orientimi masiv drejt këtij tregu joformal erdhi nga tre burime kryesore.

1) gjatë periudhës 1991-96 mbi 400 000 shqiptarë ose rreth 12% e popullsisë së vendit emigroi në masë drejt Greqisë dhe Italisë, duke dërguar në vend në formën e remitancave shuma kolosale parash që arrinin deri në 15-20% të PBB. Vlerësohet se gjatë kësaj periudhe hynë në Shqipëri mbi 1 miliard dollarë në këtë rrugë.

2) efekti i madh financiar dhe i sasive të konsiderueshëm të dollarëve apo markave gjermane që hynë në Shqipëri si pasojë e trafikut ilegal apo kontrabandës të karburanteve që shumë shqiptarë bënin me vendet e ish-Jugosllavisë të cilat në këtë periudhë lufte midis ish-republikave jugosllave i nënshtroheshin regjimit të embargos ndërkombëtare për karburantet. Shuma e tyre llogaritet në rreth 500-600 milionë dollarë.

3)në këto vite Shqipëria përftoi sasi të mëdha parash në formën e ndihmës së huaj duke u renditur si vendi i parë për sasinë e ndihmave financiare për banor në raport me të gjithë vendet e Evropës qendrore e lindore. E gjithë kjo pati një efekt të dukshëm tek niveli i të ardhurave dhe kursimeve të shumë shqiptarëve duke krijuar teprica të cilat mund të përdoreshin kollaj në tregun informal.

Në kushtet kur tregu formal i kredisë dhe mundësitë legale për investime ishin pothuajse të « tharë », ndërkohë që tregu informal ishte « plot me para », pronarët e bizneseve dhe qytetarët e thjeshtë ju drejtuan këtij tregu për plotësimin e nevojave dhe dëshirës për investime apo fitime. Në « ndihmë » të kësaj kërkese erdhën menjëherë disa « fondacione bamirëse » apo « kompani investuese » të cilat pranonin depozita, jepnin kredi si dhe ofronin interesa marramendëse për depozitat të cilat shkonin nga 10-50% në muaj. Kompanitë rentiere financiare nuk deklaronin burimin e të ardhurave të tyre, ndërkohë që nuk paraqisnin asnjë bilanc për kreditë apo interesat që jepnin. Ato mund të përdornin bankën shtetërore « Banka e Kursimeve » si dhe « Bankën Kombëtare Tregëtare » për depozitimin dhe tërheqjen e parave pa patur asnjë kontroll mbi llogaritë e tyre bankare. Megjithëse disa prej kompanive financiare vepronin si banka, aktiviteti i tyre financiar nuk i nënshtrohej ligjit dhe supervizionit bankar apo detyrimeve për licencë zyrtare, por konsiderohej thjesht si « marrëveshje e përbashkët ndërmjet një huadhënësi dhe një huamarrësi » ashtu siç parashikohej nga Kodi Civil i Shqipërisë.

Por, përtej fasadës investuese që më shumë përdorej si maskë publike, i gjithë sistemi funksiononte në bazë të skemës Ponzi. Thithja e depozitave mbulonte pagesën e interesave të jashtëzakonshme që varionin nga 100% deri në 600% në vit. Njerëzit depozitonin jo vetëm kursimet apo tepricat financiare të tyre në këto kompani, por shitën në mënyrë masive edhe shtëpitë apo prona të ndryshme me shpresën së shpejt do dyfishonin apo trefishonin paratë e tyre për të blerë të tjera akoma më të mëdha e moderne. Fshatarët shitën masivisht bagëtitë në mënyrë që të kishin para dhe ti depozitonin ato në firmat rentiere me shpresën se shpejt do të bëheshin të pasur. Në fillim të 1997, vlera totale e depozitave në firmat piramidale arrinte në 1.2 miliard dollarë, ose rreth 50% të PBB të vendit. Por, duke patur parasysh informalitetin e lartë të këtij aktiviteti si dhe pretendimet e mëvonshme të njerëzve që kishin humbur kursimet e tyre në këto skema piramidale, vlerësohet se shumat e depozituara e kalonin vlerën 1.8 miliard dollarë. Të vendosura kryesisht në Tiranë dhe zonat në jug të vendit të cilat kishin dhe përqindjen më të lartë të emigracionit dhe për pasojë të remitancave e parave të lira të disponueshme, këto kompani arritën të kishin si klientë të tyre mbi 2 milionë shqiptarë, ose rreth 70% të popullsisë së vendit.

Në një vend të varfër si Shqipëria, ku rrogat mesatare në këto vite varionin në intervalin 50-150 usd/muaj, ku papunësia ishte në nivelet 20-30%, dhe ku mbi 60% e popullsisë jetonte në zonat rurale me një parcelë të vogël toke në dispozicion, kompanitë rentiere u shfaqën si « pionieret e kapitalizmit që po realizonte ëndrrën e shqiptarëve për të jetuar më mirë dhe fituar më shumë ».  Fundi i skemave piramidale u çfaq në 6 mujorin e dytë të 1996, kur ato filluan të ndjejnë vështirësi në pagesën e fitimeve, dhe në pamundësi që të shtonin numrin e klientëve filluan të ofrojnë interesa marramendëse që varionin nga 30-100% fitim në muaj.

Ndërkohë shqetësimi për aktivitetin e tyre u bë publik. FMN dhe Banka Botërore paralajmëruan direkt dhe indirekt qeverinë shqiptare për rrezikun që paraqisnin këto kompani rentiere. BSh e kishte paralajmëruar disa herë qeverinë shqiptare « për natyrën piramidale » të këtyre firmave. Edhe Ministri i Financave, në tetor 1996 paralajmëroi publikun për rreziqet që paraqiste kjo veprimtari financiare. Por, qeveria shqiptare bëri veshin e shurdhët, ndërkohë që presidenti shqiptar që priste rizgjedhjen e tij në fillim të 1997, në përgjigje të fjalëve të përhapura se « firmat rentiere po qarkullonin para në interes të mafias italiane », u shpreh në mbrojtje të tyre duke thënë se « paratë e shqiptarëve ishin të pastra e të ndershme ».

Në 10 janar 1997, BSH vendosi që të limitonte tërheqjet ditore të këtyre kompanive nga bankat ku ato kishin llogaritë tyre, duke fiksuar një tavan ditor prej 300 000 usd. Në 18 janar u arrestua menaxherja e fondacionit « Sudja » që ishte dhe kompania rentjere më e madhe në vend. Disa ditë më vonë, « Vefa » dhe « Kamberi » njoftuan se do bllokonin pagesat e interesave dhe kapitalit për një periudhë 3-6 mujore duke shkaktuar një klimë të fortë dyshimi dhe paniku për gjithë depozituesit e tyre. Në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit shpërthyen revoltat. Në 26 janar u bllokuan depozitat e « Popullit » dhe « Xhaferit » në të cilat u gjendën vetëm 250 milionë dollarë, shumë më pak se detyrimet e tyre reale ndaj publikut. Në javët në vazhdim të gjitha firmat rentiere u mbyllën duke deklaruar se « kishin falimentuar totalisht » dhe i gjithë vendi u përfshi nga protesta të dhunshme, kaosi dhe krimi.

Lexo edhe :  "Tërheqin blerës me të ardhura të larta"/ Pse po ndërtohen shumë vila në Tiranë?!

Revolta ekonomike e qindra-mijë shqiptarëve që kishin humbur totalisht jo vetëm paratë e tyre, por dhe ëndrrën për pasurim e mirëqenie të shpejtë, u kthye shpejt nga revoltë ekonomike në revoltë politike. Shumica e zyrave të policisë dhe kazermat e depot e ushtrisë u sulmuan duke u vjedhur dhe djegur. Me miliona automatikë dhe armë të tjera të rënda u përhapën në gjithë vendin. Shteti u shemb dhe grupe të ndryshme kriminale filluan të kontrollojnë qytete dhe zona të tëra të vendit. Dhjetëra-mijëra njerëz u larguan nga Shqipëria si refugjatë në drejtim të Italisë apo Greqisë. Mbi 1500 njerëz u vranë apo humbën jetën nga trazirat dhe kaosi, ndërkohë që me mijëra të tjerë u plagosën. Qeveria dha dorëheqjen dhe Parlamenti u shpërnda duke ja lënë qeverisjen e vendit një qeverie të unitetit kombëtar. Ekonomia shqiptare që deri në këtë vit kishte patur rritje ekonomike të lartë e të qëndrueshme, në 1997 njohu një « rritje ekonomike negative» prej – 7%.

Thelbi dhe elementët kryesorë të reformave : nga shteti drejt tregut

Në këtë konteks ekonomik e social, Shqipëria gjatë dekadave 1990-2010 realizoi reformat drastike drejt vendosjes së ekonomisë së tregut. Përballë dy alternativave te mundshme ne rritmin dhe gjeresine e reformave : “tranzicion gradual” apo “terapi choc-u”, Shqipëria ndoqi rrugen e tranzicionit radikal duke privilegjuar konceptin e “shkaterimit krijues” dhe liberalizimit të gjerë në të gjitha fushat. Sipas mbështëtesve të kësaj teorie në qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 1992, masat në lidhje me stabilizimin dhe liberalizimin si dhe sigurimi i një rritje ekonomike të konsiderueshme mund të bëhej automatikisht e pa ndërhyrjen e shtetit, nëpërmjet  fuqizimit të strukturës ekonomike si pasojë e zhdukjes së  shpejtë dhe masive të operatoreve ineficentë. Mekanizmat e tregut kishin kështu mundesinë, që « me një goditje të vetme » të siguronin një allokim efikas të burimeve dhe ta conin ekonominë drejt një rritjeje të qëndrueshme. Por realiteti shqiptar i viteve të mëvonshme dëshmoi për rezultate të kundërta me keto konstatime. Shume sektorë e degë jetike të ekonomisë u shkatërruan e braktisën pa patur mundësi që të rikuperohen, qoftë dhe për një periudhë afat-mesme.

Mbështetësit e variantit apo politikave neoliberale, u pozicionuan që në fillim në favor të “Terapisë së choc-ut” dhe efekteve të menjëhershme që do sillte “shkatërrimi krijues”. Sipas tyre, masat stabilizuese-liberalizuese dhe rrikthimi në rritjen ekonomike të vendit mund të ndodhnin automatikisht pa ndërhyrjen e Shtetit, por falë përzënies nga tregu të operatorëve inefikas dhe përmirësimit të strukturës ekonomike e institucionale. Futja “me një goditje të vetme” e mekanizmave të ekonomisë së tregut do të sillte një allokim më të mirë të burimeve financiare e prodhuese duke e cuar ekonominë drejt rritjes së qëndrueshme. Sipas tyre, roli i Shtetit duhej të ishte i limituar duke u përqëndruar vetëm në favorizimin e këtij “shkatërimi krijues” dhe krijimin e infrastrukturave të tregut. Cdo gjë tjetër do krijohej e evoluonte nën ndikimin e forcave të tregut.

Grupimi tjetër politik, shprehej në favor të një zgjidhje më “gradualiste e regulacioniste” duke preferuar një ritëm reformash më të ngadaltë e të “kontrolluar nga lart”. Sipas tyre, fillimisht duhej të ndërtoheshin institucionet që garantonin mbrotjen sociale dhe punësimit dhe pastaj të vazhdohej me reformat ekonomko-financiare radikale për ndryshimin e strukturës së ekonomisë. Shteti nuk duhet të tërhiqej nga jeta ekonomike, por thjesht duhet të ndryshonte modalitetet e ndërhyrjes në të. Ekonomia mund të vazhdonte edhe shumë vite të zhvillohej nëpërmjet egzistencës në nivele të barabarta të sektorit privat dhe atij publik.

Reformat ekonomiko-financiare të ndërmarra gjatë periudhës së tranzicionit në Shqipëri, të para në evolucionin e tyre,  mund ti shprehim si më poshtë : Politikë monetare restriktive, të shoqeruar me krijimin e një banke qëndrore të panvarur; nxitjen dhe krijimin e disa bankave tregëtare operative të nivelit të dytë; zgjerimin në pergjithesi të shërbimeve bankare dhe eleminimin e exedentit financiar të trashëguar; Politike buxhetore rigoroze, të realizuar nëpërmjet suprimimit të sistemit të subvencioneve shtetërore; ndërtimin i një sistemi të ri fiskal dhe tatimor si dhe kontrollin rigoroz të inflacionit; Liberalizimi i tregut të brendshëm të kapitaleve, ku spikasin masat e vendosjes së konvertibilitetit real të monedhës kombëtare; krijimi i një tregu eficent kapitalesh, krijimi i bazave të nevojshme juridike për funksionimin e tregut të kapitaleve si p.sh. hapja e bursës,etj.; Liberalizimi i tregëtisë së jashtme, nëpërmjet suprimimit të monopolit shtetëror mbi tregëtinë e jashtëme; braktisjen e sistemit të tregetise me klering, mbështetjen e sipermarjes private në këtë fushë,etj.; Rritja e ofertës se brendshme, të përqëndruar kryesisht në reformën e cmimeve dhe elemenimin e rritjes fiktive të tyre si pasojë e mungesës se ofertës se brendshme në sasinë e kërkuar nga tregu; nxitjen e prodhimit industrial e bujqësor, etj.

Momentet më kryesore të arritjeve të shënuara gjatë kësaj periudhe në kryerjen e reformave, mund të konsiderohen: Heqja e monopolit të tregtisë së jashtme në vitin l991 (liberalizimi i tregtisë dhe i sistemit të këmbimit). Në vitin 1994 u hoqën subvencionet dhe kontrolli mbi shumicën e çmimeve të produkteve (për bukën kjo u bë në vitin 1996). U miratua një ligj liberal për investimet e huaja dhe që nga korriku i vitit l996, sipërmarrësit e huaj ishin të lirë të blinin tokë. Privatizimi i banesave, krijimi i tregut imobilar, liberalizimi i pagave në sektorin privat të sapokrijuar, lejimi i këmbimit valutor. Por ndërkohë u lejuan, u nxitën dhe lulëzuan institucione financiare (skema piramidale) të palicencuara. Privatizimi, miratimi i ligjit nr. 7512, datë 10.08.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë dhe veprimtarive private të pavarura”. Transferimi i pronës së dyqaneve të vogla dhe njësive të shërbimit tek punonjësit e tyre në mars 1991, privatizimi i tokës në vitet 1991-1993 dhe privatizimi i banesave në vitin 1993. Privatizimi i mëtejshëm në këtë periudhë nuk ka qenë aq i lehtë, për shkak të mungesës së blerësve me reputacion vendas, shitjet nëpërmjet tenderëve demonstruan prirje favorizimi (komisionet e privatizimit u politizuan në mënyrë të tejskajshme) dhe letrat me vlerë të shpërndara filluan të zhvleftësohen me shpejtësi.

Elementet kryesorë të tranzicionit ekonomik shqiptar

Recesioni post-socialist, i shprehur në të gjitha shifrat dhe fenomenet negative të dhëna më lart, sidomos për periudhën 1990-1992; Stabilizimi Makro-ekonomik; me asistencën e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe organizmave e institucioneve të tjera donatore e partnere të zhvillimit, Shqipëria adoptoi një program rrigoroz të stabilizimit makroekonomik. Si pasojë e kësaj politike, Shqipëria arriti të garantonte : një rritje ekonomike te qendrueshme (me perjashtim të vitit 1997 kur ndodhi kriza e madhe e quajtur “kriza e piramidave”); nje kontroll rigoroz të inflacionit duke e mbajtur atë në nivelet 2 – 4 %; ulje progresive të deficitit buxhetor në raport me PBB; (iv) kontroll te borxhit të brendshem e të jashtëm; etj.; ndryshim dhe rikompozim institucional.

Reformat institucionale dhe mireqeverisja kane qene në fokus të të gjithë zhvillimeve të periudhës së tranzicionit, megjithatë duhet pranuar se rritmi dhe eficenca e tyre nuk ka qenë në nivelin e kërkuar sidomos në fushën e zbatimit të ligjeve dhe ekonomise informale; Ristrukturimi mikro-ekonomik, nepermjet te cilit jane bërë politika mjaft të gjera e aktive në fushën e privatizimeve, nxitjen e biznesit privat vendas, eleminimi i barrierave të biznesit, stimulimi i investimeve të huaja e vendase, liberalizimi i tregëtisë dhe shkëmbimeve, etj.;Integrimi rajonal e europian, nëpërmjet ndërrmarjes së një sërë reformash të rëndësishme ekonomik, sociale, politike e institucionale në kuadër të plotësimit të kushteve të integrimit dhe përafrimin me BE.

Dilemat për të ardhmen e ekonomisë shqiptare

31 vjet mbas “shock therapy” dhe ndërtimit të “ekonomisë së tregut” është e qartë se po shkojmë drejt “mbylljes” së një cikli të rëndësishëm të tranzicionit “nga plani te tregu”. Kemi zbatuar me rigorozitet recetat e FMN-së dhe Bankës Botërore për privatizimin e ekonomisë dhe hapjen e saj, jemi treguar ortodoksë në çështjen e ekuilibrave makroekonomikë, jemi fokusuar te rritja ekonomike si treguesi i vetëm i suksesit e performancës së politikave ekonomike e qeverisjes. Kemi ndërtuar një model ekonomik të tranzicionit, një profil të vetë ekonomisë shqiptare që me të mirat dhe defektet e tij u bë “lokomotiva” që na tërhoqi deri në fund të dekadës së dytë të këtij tranzicioni radikal, ndoshta nga më radikalët në gjithë grupin e vendeve të Europës Qëndrore e Lindore. Por, duket se kohës dhe përmbajtjes së këtij modeli i erdhi fundi, në kuptimin që shumë nga elementët dhe energjitë e tij e arritën maksimumin e tyre dhe tashmë rezultojnë të ezauruara për një periudhë tjetër 10-20 vjeçare në të ardhmen. Si një shoqëri konsumi, Shqipëria e ka të bazuar ekonominë e saj kryesisht tek aktivitetet e shërbimeve dhe të tregtisë.

Kriza aktuale ekonomiko-financiare globale më shumë se sa ndikimi direkt i saj në ekonominë apo financat shqiptare, na evidentoi dhe disa probleme thelbësore me natyrë strukturore : sa e qëndrueshme është rritja jonë ekonomike? A kemi modelin e përshtatshëm ekonomik për të garantuar rritmet e kësaj rritjeje në vitet që vijnë? A kemi një ekonomi të strukturuar me të cilën mund të shkojmë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm afat-gjatë? A kemi një fuqi punëtore me kualifikimin e duhur profesional për tju përgjigjur sfidave të reja të zhvillimit në kuadrin e efekteve të globalizimit dhe kërkesave të revolucionit 4.0?

Garantimi i rritjes së qëndrueshme nënkupton faktin se sa do të jemi ne në gjendje që të gjejmë e identifikojmë “burime të reja që ushqejnë rritjen ekonomike” apo dhe « zëvendësuesit » e disa prej burimeve aktuale të rritjes që në periudha afat-shkurtër e afat-mesme pritet të kontribuojnë shumë më pak se deri tani.

  • Si do ta ngushtojmë deficitin e lartë tregtar dhe atë të pagesave? Si do ta ristrukturojmë hapësirën rurale shqiptare ku mbizotërojnë akoma mini-fermat bujqësore dhe tendenca drejt një tregu toke aktiv, apo ngritjes së kooperativave është akoma e ulët?, Si do ta zhvillojmë, ristrukturojmë e modernizojmë biznesin shqiptar që dominohet nga bizneset shumë të vogla familjare dhe reflekton elementë arkaikë e informalë? Cilat janë politikat më të mira strukturore që na konvergojnë me ekonominë evropiane ku synojmë të integrohemi? Cilët do jenë sektorët që do përbëjnë « motorin » e ekonomisë shqiptare në vitet në vazhdim?, Turizmi?, Bujqësia dhe agro-industria?, Energjia? Industria?, Infrastruktura?, Arsimi? Ekonomia e dijes?, Shërbimet?, Zhvillimi i biznesit të vogël e të mesëm?, etj.

Duket se ka ardhur plotësisht koha që të jemi sa më të qartë në objektivat themelore të zhvillimit dhe modelit të rritjes për 10-20 vitet në vazhdim. Këtë mangësi e bën akoma më të rëndë edhe fakti se forcat kryesore politike janë në antagonizëm të vazhdueshëm ndërmjet tyre ndaj konceptit të një « strategjie kombëtare të zhvillimit » të përgatitur me  konsensusin politik e shkencor të nevojshëm dhe e respektuar nga të dyja palët.

Rritja ekonomike për një vend si Shqipëria mund të nxitet në tre mënyra : nëpërmjet borxheve dhe kredive nga jashtë; nëpërmjet eksporteve të lëndëve të para dhe disa produkteve të gatshme; nëpërmjet ristrukturimit ekonomik, diversifikimit të produkteve dhe adoptimit masiv të teknologjive të reja. Dy mënyrat e para gjykohet se janë më të lartë risku dhe jo shumë të qëndrueshme” në raport me të tretën. Ta mbështesësh rritjen pothuajse vetëm tek investimet apo kreditë  e huaja, gjë që ne na pëlqen ta përmendim shpesh si “kulmin e suksesit të çdo qeverie” do të thotë të ushqesh iluzionin e një jetese dhe zhvillimi përtej mundësive të tua konkrete, do të thotë të jesh i varur shumë nga flukset, “devijimet” dhe “kapricot” e shpeshta të tregjeve financiare ndërkombëtare, do të thotë të prodhosh një rritje ekonomike jo shumë reale të mbështetur në monedha të fuqishme e të mbivlerësuara të cilat sintetizojnë një strukturë ekonomike e konsumi larg realitetit tonë.

Edhe rritja ekonomike e bazuar ekskluzivisht tek lëndët e para dhe eksporti i tyre apo “eksporti i punës” kur është fjala për sektorin me fason vlerësohet si jo e qëndrueshme në periudha afat-mesme, sidomos për shkak të fluaktuacioneve të mëdha të çmimeve të tyre në tregjet ndërkombëtare. Kriza e tanishme që preku rëndë ekonominë shqiptare, është një dëshmi më shumë e këtij konkluzioni. Ndërkohë, mënyra e tretë, që sipas shumë shembujve pozitivë në mjaft vende të botës, ka prodhuar një rritje konstante afat-gjatë është “promovimi i produkteve të përpunuara dhe ofrimi i shërbimeve moderne”. Duke parë zgjerimin e tregjeve ndërkombëtare dhe kërkesës për produkte të përpunuara si dhe efektet pozitive që ato japin në rritjen e punësimit të brendshëm, nga shumë qendra e institucione të specializuara duhet që vendet si Shqipëria të bëjnë politika specifike rritjeje ekonomike me këtë fokus.

Të fundit

Mot i paqëndrueshëm/ Sërish reshje shiu në disa zona të vendit!

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ka njoftuar se ditën e Enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të...

Berisha ankohet tek DASH dhe BE: Më vodhën!

Partia Demokratike i ka dërguar një raport mbi zgjedhjet e 11 Majit faktorit ndërkombëtar. Në një konferencë për shtyp, Sali Berisha tha se raporti...

Horoskopi i ditës së enjte, 22 maj 2025

Dashi Dite mjaft pozitive dhe e mbushur me momente te lumtura kjo e sotmja për te dashuruarit. Do ndani çdo mendim dhe emocione me atë...

Tottenham thyen “mallkimin” pas 17 vitesh dhe fiton trofeun e Europa League ndaj United

Tottenham i është kthyer fitoreve të  trofeve duke fituar pas 41 vitesh nga hera e fundit turneun e Ligës së Europës, të tretin në...

Lajme të tjera

Web TV