“Arbëreshët, monumenti i lotit”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Libri i ri i Ylli Polovinës

Autori, studiues dhe publicist, por edhe diplomat, për arsye diturie, por edhe pune, ka vizituar shumë herë vendqëndrimet e arbëreshëve në Itali, në zonën e Kalabrisë, por edhe mbi të gjitha atë të Sicilisë. Njërën nga kjo përvojë njohjeje, të kryer në Kalabri, ai e ka rrëfyer në librin e tij më të fundit, “Arbëreshët, monumenti i lotit”. Janë 216 faqe dëshmi origjinale për jetën në Frashinjetë, Çivita, San Basile, Ungro, Firmo, Spezzano Albanese, San Giorgio Albanese, Corigliano Calabro, San Demetrio Corone, San Sofia d’Epiro.

Tre fragmente nga libri

Midis ylberit dhe arbëreshes Rina

Nuk është hera e parë që marrim rrugën për në Arbëri, në ato vise të Italisë së Jugut, të cilat për një arsye që del mbi të gjitha rregullat e emërtimit të territoreve, thirret kështu thjesht prej një ndjenje të fortë malli bashkëkombësish. Arbëri quheshin tërë trojet autoktone shqiptare pesëqind vite shkuar dhe arbër të gjithë paraardhësit tanë. Me gjuhën e vendeve të tjera, veçanërisht ato me rrënjë latine, këto hapësira thirreshin Albania dhe banorët albanë. Në të shqiptuarin e helenëve, në jug të gadishullit tonë, arbrit quheshin arvanitas, në atë kroate, në veri të tij, arbanas. Ata të shumtë që kapërcyen detet Adriatik dhe Jon, edhe pse fonetika e gjuhës italiane shqiptimin e fjalës origjinale të të mërguarve, pra tingëllimin “arbër”, nuk e kishte shumë komod dhe zyrtarisht prirej ta formulonte në “alban”, u shtrëngua ta ruante në formën që deshi dhe nguli këmbë diaspora e re e krishterë. Kjo ndodhi kështu sepse të porsaardhurit nuk bënë asnjë lëshim në formën se si quheshin, siç nuk bënë edhe për asnjë tjetër që e cilësonin shumë të rëndësishme për të ruajtur identitetin e tyre etnik. Deklaruan që në fillim se qenë arbër dhe në Itali ashtu u mbeti për qindra vite të tërë, deri sot. Dihet që me emrin e sotëm “Shqipëri” dhe “shqiptar” historikisht jemi thirrur më pas. Pesë shekuj të shkuara ky qe një emërtim i dytë, i cili dublonte të parin, por që për një mister akoma të paqartësuar deri në fund dhe në mënyrë bindëse, sa më shumë vite vraponin, u bë titullimi ynë i parë. Prej një ngazëllimi sa më shumë mes njëri- tjetrit i mëshonim emrit të ri, ndoshta të përkëdhelur nga një hamendje se fjala Shqipëri e shqiptar vinte nga “shqiponjë“ dhe se ne, jo pak vetëmburrës nga natyra, qemë banorë të “vendit të shqiponjave”, shtymë drejt mjegullës së mospërdorimit fjalët e bukura autoktone Arbëri dhe arbër. Këtë gjë nuk e bëri bota. Ajo edhe tani na thërret e regjistron në dokumente e libra, në harta e celuloid filmash, në edicione lajmesh nëpër radio e televizione, vetëm Albania dhe albanes. Të munduar nga ndjenja e dyzimit, pra që jemi shqiptarë por paraardhësit tanë që emigruan në Itali quhen me emrin origjinal e të qëmotshëm, me frymën mbajtur pezull nga emocioni hyjmë në ato territore, ku pas një gjysmë ore që kemi lënë pas qytetin e madh port të Tarantos, tabelat anë autostradës që shkon drejt jugut, në të majtë e në të djathtë, regjistrojnë emrat e fshatrave dhe qytezave arbëreshe. Quhen San Costandino Albanese, San Paolo Albanese, Civita, Falconara Albanese, Firmo, Frascineto, Lungro, Plataci, San Basile, San Benedeto Ullano, Santa Sofia d’Epiro, San Cosmo Albanese, San Demetrio Corone, Machia Albanese, San Giorgio Albanese, San Caterina Albanese, Spezzano Albanese, Vaccarizzo Albanese…
Në atë 27 nëntor 2009 në autostradë kalojmë disa syresh prej tyre, pa u ndalur. Për të hyrë në Arbëri ka shumë porta, por kësaj here kemi zgjedhur njërën, ndoshta më sugjestionuesen, atë që të çon në Frashinjetë dhe Çivita. Televizioni vendas paralajmëron se moti në jug do të ketë herë pas here shfrime shiu. Shkulma e tij e parë na zë pikërisht kur po i ngjitemi të përpjetës, atij mali ku në shpatullat dhe thellimat shkëmbore i rrinë si në foleza dy qytezat arbërore. Prej brylit të rrugës tej në horizont, në lartësi, me shpatullat e shtëpive të bardha pothuaj çikur me qiellin, mund të shihet Çivita. Praninë e afërt të saj e paraqesin edhe dy tabela-reklamash buzë rrugës, ku edhe menjëherë e ndalim makinën. Në to udhëtari ftohet në një restorant-piceri si edhe në hotelin “Foleja e shqiponjave”. Nisim të bëjmë fotografitë e para të takimit me Arbërinë. Kujdesemi që në objektiv të pamjeve, të cilat fiksojmë, të hyjë Çivita. Nga silueta ajo të jep përherë ndjesinë e një Kruje. Shiu papritur qetohet dhe na lë të çmallemi me pejsazhin. Çivita dhe Frashinjeta janë afër detit Jon, por atje ku kemi ndalur ai ende nuk shihet. E pengojnë shpinat e disa kodrinave. Duhet të ngjitemi më lart që e kaltëra e tij më në fund të feksë. Nuk duhet të vonohemi dhe hipim në makinë. Ndërsa motori i saj u vu në lëvizje ngjau një çudi. Mbi kurorën e kodrave në të majtë, prej andej ku duhej të gjendej deti Jon, u shfaq një ylber. Dukej i dridhshëm, i brishtë, i prishëm nga çasti në çast. Dhe në të vërtetë mbajti jo më pak se njëzetë sekonda, por arrita me një frymë t’i bëj pesë pamje. Tashmë isha i ngazëllyer. Ai ylber mbi Arbëri qe një shenjë e mirë. Dukej sikur me atë shirit të shumëngjyrshëm donte të na bashkonte ne shqiptarët me bashkëkombësit tanë të vjetër. Kur thonë se po ta kapërcesh një ylber të jesh vajzë bëhesh djalë përse ato çaste të mos na ngrohte dëshira që duke e kaluar brezin e ndritshëm që na u shfaq tamam para portave të Arbërisë, nga shqiptarë do të bëheshim arbëreshë. Në të dy qytezat Frashinjetë dhe Çivita kemi shumë takime pune, të paktën pesë dhe të gjitha duhen kryer brenda asaj pasditeje dhe mbrëmjeje. Do të shkohet në Bibliotekën “Bellusci” dhe ideatorit e njëkohësisht pronarit të saj, studiuesit Papàs Antonio Bellushi, për kontributin e shquar albanologjik do t’i jepet një letër përgëzuese nga Nënkryeministri i Shqipërisë dhe Ministri i Punëve të Jashtme. Po ashtu Muzeut Etnografik të Frashinjetës do t’i dhurohen tre ikona të krishtera ortodokse shqiptare. Një mesazh tjetër përgëzimi nga funksionari i lartë i Tiranës, nënkryeministri, në Çivita do t’i dorëzohet redaksisë së revistës “Katundi Ynë”, e cila në janar 2010 mbush dyzetë vite jetë të vyer… Por autori i këtyre radhëve ka intimisht edhe një dëshirë tjetër, një si grishje dhe trazim që e mban fshehur, por nuk e tulat dot. Do të takojë Rinën. Rina është e motra e Papàs Antonios, prej disa vitesh e ve dhe që banon bashkë me të vëllanë, edhe ky për shkak të profesionit të priftit ortodoks, i pamartuar. Me Rinën dhe Papàsin kemi njëmbëdhjetë vite që takohemi dhe shihemi, flasim në telefon dhe shkëmbejmë ndonjë mesazh. Kur në 1998 hyra për herë të parë në shtëpinë e Bellushëve vëlla e motër, Antonio më magjepsi menjëherë me frymën kombëtariste që kishte. Më pas do të studioja shumë libra të arbëreshëve e do të kuptoja se bashkëkombësit tanë qenë dy herë rilindës, se ata jo vetëm patën mbështetur Rilindjen Shqiptare, por u kishin dhënë jetë edhe Rilindjes së tyre, asaj Arbëreshe. Shumë gjëra këtej janë dhe nuk janë si në anët tona. Pa atë shtresën viskoze të pesëqind viteve osmane gjithçka në historinë e sjelljen e tyre është si vetë e folura që kanë, gjuhë tërësisht muzikale, plot togfjalësha të butë edhe kur i duhet të shprehë një zemërim. Ka shumë vetëpërmbajtje, tepër delikatesë, mjaft figurshmëri poetike. Sa shumë perëndimorë kemi qenë! Kur hymë në Frashinjetë rrugica për në Bibliotekën “Bellusci”, e cila në një pjesë të ndërtesës është edhe banesë e vëlla dhe motrës Antonio e Rina, na bën një surprizë. Papàs ka dalë në mes të saj i veshur me rrobat e priftit të lartë të Kishës Bizantine Lindore, të asaj që ne e thërresim Kisha e Krishterë Ortodokse. Sipër siluetës së tij, në parmakët e një ballkoni që sheh dhe var kangjellat dhe vazot e luleve mbi rrugë, është nderur i madh një flamur i kuq me në mes shqiponjën e zezë. Nën erën gufuese të asaj maje mali ai fërkon palët e mëndafshta pothuaj gati mbi supet e Antonio Bellushit. Arbëreshi i njohur, një nga kombëtaristët më të mëdhenj që ka Arbëria, por pse jo edhe Shqipëria e të gjithë shqiptarët, duket sikur atë flamur e mban në duar, tamam si në pamjet që në kujtesën tonë vijnë prej çetave të Rilindjes. Rina rri pak më mbrapa të vëllait, saktësisht tek pragu i derës. U afrohemi dhe në një përqafim të gjatë e të gëzuar i nderim duart njëri-tjetrit. Pak çaste dhe tashmë unë e di çfarë do të ndodhë. I njoh mirë që të dy. Në fillim dëgjohet zëri i bukur i Rinës, ku çdo tingull është pjesë e thirrmë e shpirtit. Ajo nis të këndojë. Është himni ynë kombëtar. Ai, i cili që në vargun e parë thotë “Rreth flamurit të përbashkuar, me një dëshirë e një qëllim”.

Menjëherë pas Rinës, më zërin e fortë burrëror, pason Papàs Antonio. Është një duet që të drithëron. Duke kënduar ndoshta me mijra herë zërat e tyre janë harmonizuar gjer në përsosmëri. Ose ndoshta motër e vëlla që nga fëmijëria e tyre ashtu i kanë pasur tingujt e shpirtrave. Në shtëpinë e Bellushëve, edhe pse prindërit e Antonio e Rinës qenë blegtorë e fetarë të thjeshtë, e folura dhe e kënduara arbërisht ishte rregull shumë i rreptë. Në kujtimet e Papàs mund të gjesh edhe një hollësi. Kur qe fëmijë po të fliste ndonjë fjalë italisht, në rast se herën e parë të “gabimit” kishte marrë një qortim, herën e dytë e priste hakërrimi i pëllëmbës. I ati nuk e përdorte shuplakën për asnjë lloj ndëshkimi, madje edhe ku fëmijët kishin bërë ndonjë faj të rëndë, por nuk e falte harrimin e gjuhës arbërore. Këtu qe i ashpër, pothuaj i vrazhdë. Ai nuk e donte harrimin e gjuhës sepse e dinte që bashkë me të binin të shkërmoqura dhe bëheshin pluhur e hi të tëra zakonet e mëmëdheut të tyre, të gjitha këngët. Shuheshin njëra pas tjetrës vallet, fjalët e urta, emrat e zogjve, frytet e pemëve, ritet e lindjes dhe të vdekjes, si punohej me pendën e drurit, çfarë fjale të ëmbël duhej të zgjidhje për t’ia shprehur ngrohmën e zemrës vajzës që doje. Para se të merrja vesh çfarë rregulli të rreptë kishte në Frashinjetë dija vetëm një ngjarje të ndodhur në një qytezë të madhe të arbëreshëve, jo në Kalabri, por në Sicili, në Piana degli Albanesi (Hora e arbëreshëve). Këtu një mbledhës i folklorit, tek kalonte në një rrugë buzë një shtëpie, kishte dëgjuar se si e ëma nuk i jepte ujë fëmijës së saj të mitur në rast se nuk e shqiptonte mirë në arbërisht togfjalëshin “Dua ujë!” Studiuesi i tronditur e kishte ndjerë vogëlushin të qante me dënesë e të lutej për të shuar etjen. Kur u futëm në studion e Papàs Antonio Bellushit, atje ku ndodhen tryeza e punës, televizori, kompjuteri dhe disa nga shumë librat e shkruar prej tij, zëri i magjeps i Rinës nis një këngë tjetër. Është “himni” i arbëresheve, “Moj e bukura Moré”, ato vargje që thonë “Moj e bukura Moré/Si të lash e më s’të pash/ Si të lash, si të lash…”. Shtëpia e dy Bellushëve nuk është vetëm biblioteka, por gjithçka tjetër. Është pothuaj një muze, ka dhoma të tëra plot objekte që nga kostumet arbëreshe e deri tek enë e sende të jetesës së përditshme. Aty nuk mungojnë dokumente dhe harta. Madje edhe një kthinë e vogël ku ndodhen dy tezgjahe dore të Rinës, është pjesë e këtij muzeu të madh. Ndërsa ajo punon përditë në vegjë këndon me dhjetëra këngë. Në shpirtin e zërin e saj Rina ruan një thesar të tërë të krijimtarisë gojore të arbëreshëve. Në sallën e madhe të bibliotekës ndodhen me mijëra libra, të gjitha revistat e zgjimit dhe të realizimit tonë kombëtar, që prej “Drita” nga Shqipëria, “Albanezul” nga Rumania, “Flamuri i Arbërit” nga Italia (koleksion që nis që prej botimit të parë më 1883). Këtu janë të gjithë numrat e revistave “Zgjimi” dhe “Katundi Ynë”. Kanë një vend të veçantë, të lidhura me shumë kujdes, gazetat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Dielli” dhe “Illyria”. “Kjo bibliotekë është tata e mama ime”, shqipton Papas Antonio me zërin e tij të qëndisur me një ton karakteristik këndues, pak nga ndikimi i kulturës së retorikës rilindëse dhe me siguri pjesërisht edhe prej ushtrimit të ritit të krishterë të meshës në kishën e Frashinjetës “S.S. Maria Assunta”. “Këtu vijnë studiues, vijnë nxënës nga shkollat. Dera është e hapët, kushdo vjen e lavdëron të zot. Jemi si në një zemër”…

Lexo edhe :  “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” vazhdon të magjepsë me versionin e plotë në italisht

Tragjedia e Xhuzepe Bafës

Më 13 janar të vitit 2000 udhëtonin drejt Brindisit dy avokatë italianë. Quheshin Xhuzepe Bafa dhe Françesko Perrota. I pari ishte një arbëresh i njohur, të paktën që atë çast kur studioja e tij në Kozenca mori përsipër mbrojtjen e palës shqiptare në ngjarjen e tragjedisë së Otrantos, ndodhur të Premten e Shenjtë të vitit 1997, 28 mars, ku u mbytën në përplasje me anijen ushtarake italiane “Sibilla” mbi njëqind shqiptarë të hipur në anijen “Kateri i Radës”. Xhuzepe dhe kolegu i tij Françesko shkonin për të marrë pjesë në seancën gjyqësore të radhës. Rrugës makina e tyre doli nga superstrada dhe u përplas. Vdiqën në vend Xhuzepe Bafa dhe Françesko Perota. U plagos Mikelanxhelo Ruso, bashkëpunëtor i të dy avokatëve. Ngjarja në fillim u njoftua nga teleteksti i RAI-t, por më pas nuk u transmetua me fjalë apo figurë nga asnjë edicion kryesor lajmesh të televizionit italian, përfshi tre rrjetet kryesore kombëtare. Të nesërmen ishte “La Repubblica” që në rubrikën “Shkurt” e bënte publike ngjarjen me titullin “Taranto, 2 avokatët humbasin jetën”. Në mbititull rrinte dyfjalëshi që e kategorizonte ngjarjen si “aksident rrugor”. Në të njoftohej po ashtu se, ndërsa ishin nisur nga Kozenca, incidenti u kishte ndodhur në superstradën Taranto-Grotalie. Mes heshtjes së përgjithshme u tregua e ndjeshme edhe “Il Messaggero”. Hapi një copëz hapësire, sa për dy radhë, edhe ajo në rubrikën informative “Shkurt”. Në masmedian kombëtare italiane gjithçka për këtë ngjarje dridhëse ishte “shkurt”. Vetëm me pak fjalë, fare pak. Por nuk kishte heshtur një gazetë rajonale, me qendër Firencen dhe që shitej nëpër disa pika edhe në qytete të tjera të vendit, kryesisht nëpër stacione trenash. Ishte “La Nazione”, e përditshme e lidhur me mjedise të qendrës së djathtë, atë kohë strukturë politike në opozitë. Në fillim të vitit 2000 në qeverisje vijonte koalicioni Ulliri i qendrës së majtë, formacion politik që ishte në pushtet edhe në ditën tragjike të 28 marsit 1997. “La Nazione” kishte kryer një gjë krejtësisht të veçantë: një ditë para se të humbte jetën avokati Xhuzepe Bafa dhe bashkëpunëtorët e tij, i kishte botuar këtij një intervistë. Arbëreshi, i zgjedhur edhe kryetar i Urdhrit të Avokatëve të qytetit të Kozencës, i kishte deklaruar gazetarit Xhovani Morandi se anija italiane “Sibilla” atë natë të lemerishme të 28 marsit kishte shkelur ligjet ndërkombëtare detare dhe i ishte afruar më shumë nga sa i lejohej anijes shqiptare. Madje pati thënë se njerëzit e anijes ushtarake italiane as që ishin munduar të shpëtonin shqiptarët që po mbyteshin. Vetëm pak nga ata që qëndronin mbi kuvertë ja dolën fizikisht dhe notuan drejt luftanijes, kishte saktësuar. Më vonë pati lënë nga pas edhe fjalët rrëqethëse “kam frikë se mos më vrasin”. Tani që vdekja e tij kishte ndodhur “La Nazione” shkrimit funebër i jepte titullin më gërmëmadh të faqes së saj të parë: “Mallkimi i Sibilës”. Pas këtyre fjalëve thërriste si kujë nëntitulli: “Vdes avokati i shqiptarëve. E kishte deklaruar “Kam frikë për jetën time”. Në brendësi të gazetës, një treçerek faqe speciale, titulli i dytë i shkrimit përsëriste që në krye fjalët e dhimbshme të njëzetë e katër orëve më parë: “Di sekrete, kam frikë”: vdes njeriu i çështjes Sibila”. Në radhët e fundit, në një përpjekje për të qenë edhe brenda por edhe duarjashtë këtij denoncimi shungullues, gazetari me emrin Xhovani Morandi shkruante se pas kësaj vdekjeje familjet e viktimave ishin shprehur me fjalët e dëshpëruara “Bafa qe e vetmja edhe e fundit shpresë jonë…Tani le të jenë të kënaqur”. Ai vetë mendonte se incidenti i daljes nga rruga dhe i përplasjes kishte ndodhur ose nga asfalti i lagur prej shiut të asaj dite ose thjesht nga shpejtësia e madhe me të cilën po e ngitnin makinën. Ky kishte qenë edhe varianti zyrtar i ngjarjes.

Cikli prej katër shkrimesh i Xhovani Morandit në “La Nazione” u mbyll më 17 janar. I fundit mbartte me vete titullin e thekshëm “Çështja Sibila, provat nuk kthehen”. Në të vihej në dukje se prokurori i Brindisit, Leonardo Leone De Kastris, ngulte këmbë se provat materiale të admiraliatit italian ishin të censuruara dhe në to qe ndërhyrë. Kështu ai deklaronte se nga një cikël fotosh të një filmi dy prej tyre ishin prerë, se po ashtu ishte ndërhyrë në pjesën e filmuar të ngjarjes, të cilën e kishte kryer një marinar i Sibilës. Gjithnjë sipas De Kastris, në film qenë lënë vetëm 6 sekonda pamje dhe më pas, në shirit, kishte vetëm errësirë. Ndërhyrje prej zyrave të admiraliatit, i përgjigjej prokurori i Brindisit gazetës “La Nazione”, ishte kryer edhe në regjistrimet e zërave e urdhrave të dhëna para, gjatë dhe pas incidentit. “Zërat më parë ishin të pastër dhe më vonë u janë futur zhurma”, deklaronte prokurori. Po kështu autori i shkrimit, Morandi, ngulte këmbë se sipas Leonardo Leone De Kastris, të dy admiralët që u morën në pyetje, kishin prirjen për t’iu shmangur përgjigjeve të drejtpërdrejta dhe se e përjashtonin përgjegjësinë e tyre. Gazetari shtonte se kishte ndodhur edhe një fakt tjetër, të cilën për nga rëndësia e zbardhjes së tragjedisë së Otrantos të 28 marsit 1997, e konsideronte “me vlerën e një perle”. De Kastris i pohonte se admirali me emrin Bateli në ditët pas mbytjes kishte mbledhur oficerët, të cilët natën e incidentit qenë në centralin operativ dhe u kishte dhënë direktivat se si duhej të vepronin më pas. Por “perla” e vërtetë ndoshta ishte zbuluar një ditë më parë, më 16 janar, kur në “La Nazione” kapiteni i marinës italiane Anxhelo Luka Fosko pati pohuar atë që për tre vjet me radhë asnjë oficer i lartë italian nuk donte ta shqiptonte dhe për të cilën gjë dyshohej: anija italiane Sibila kishte marrë urdhër t’i afrohej “Katerit të Radës“ deri në takim fizik. Kjo donte të thoshte edhe “gjer në përplasje”.

Më shumë se një vit më pas, më 28 mars 2001, në Vlorë u zhvillua rituali i dhimbshëm i pjesëtarëve të familjeve të viktimave të katër viteve më parë. Përkujtimi i jetëve të humbura u bë si edhe përherë: prej molit të qytetit u hodhën në det tufa me lule. Sipas gazetave, kësaj radhe kishte ndodhur për herë të parë edhe nderimi i kujtimit të avokatit Xhuzepe Bafa. Nga po këto gazeta vetëm një muaj pas vdekjes së tij, qe mësuar se vetë komisioni parlamentar i politikës së jashtme i Kuvendit për arbëreshin i kishte propozuar Presidentit të Republikës një dekorim, por asgjë e tillë nuk kishte ndodhur, madje as edhe ndonjë vlerësim më i thjeshtë. Ndërkohë qeveria shqiptare emëroi një avokate emigrante në Bari si të ngarkuar të plotfuqishme të saj për ta ndjekur gjyqin. Në Brindisi u gjallërua një organizatë italiane joqeveritare me emrin “Vëzhguesi i Otrantos” dhe nëpërmjet një radioje nuk mungoi asnjëherë ta denonconte aktin e anijes ushtarake italiane “Sibilla” si një krim të vërtetë. Në pasditen e 13 prillit 2001 në Romë, në Pallatin e Ekspozitave, u shfaq pjesa dramatike “Pasaportat”. Autor i saj si edhe regjisor ishte Korrado Veneciano, një profesor i njohur italian i të folmes së aktorit si edhe autor i mjaft librave të kësaj fushe, aktualisht pedagog në Akademinë Dramatike “Silvio D’Amico” me seli në Romë. Veneciano e kishte këtë ndjeshmëri edhe sepse pati lindur në Leçe, pra tamam atje ku edhe zbarkonin dramat e klandestinëve. Pesë aktore profesioniste, mes tyre edhe Paola Riçi, bashkëshortja e Venecianos, luajtën shqiptarët e natës së 28 marsit. Shikuesit e shumtë, midis tyre edhe autori i këtij shkrimi me detyrë ato çaste si Sekretar i Parë i Ambasadës Shqiptare në Romë, i tronditi atë mbrëmje zhurma e dallgëve të detit, kërcitjet e trupit të imtë të anijes “Kateri i Radës”, aktoret që citonin një për një emrat e të mbyturve, prej cilit qytet shqiptar vinin, çfarë profesioni kishin, sa vjeç patën mbushur ato çaste, ç’ëndra ua ngrohnin zemrat para se trupat tua ftohte vdekja dhe uji i akullt i detit. Kjo shfaqje dhe trupa e saj dramatike më vonë u ndihmua të shkonte në Vlorë, Durrës dhe Tiranë. Këtu spektakli i dhimbshëm u shfaq në sallën teatrore të Akademisë Shqiptare të Arteve. Pas tre vitesh. vetëm në pranverë të vitit 2003, autoritetet e larta shqiptare bënë gjestin e shumëpritur: Presidenti i ri i vendit, Alfred Moisiu, e dekoroi pas vdekjes avokatin arbëresh Xhuzepe Bafa.

Koriliano Kalabro: Pallati (Hotel) Kastrioti

“Ajo që ndodhi në mbrëmjen e 29 nëntorit 2009 qe rendje duke na u marrë fryma, ndërsa një muzg kokëfortë për të na hequr dritën e nevojshme të shijimit dhe fotografimit të plotë të “Palazzo Castriota” ngutej të binte sa më shpejt mbi fushën e madhe në të cilën vendbanimet italiane me ato të shqiptarëve të pesë shekujve më parë rrinë gati puthitur, të ndarë vetëm nga pak minuta distancë me makinë. Kur Koriliano Kalabro (Corigliano Calabro) u shfaq në horizont kishte formën dhe imazhin më mbresëlënës, më të jashtëzakonshëm, më imponuesin e imagjinuar. Qyteti rrinte mbi një kodër të lartë. Qe një pamje e ngjashme me kalanë e Gjirokastrës apo të Beratit. Dukej sikur këto dy qytete si me magji qenë zhvendosur një çast aty, në tokën e italianëve. Kur hymë në qytet, duke iu ngjitur të tatëpjetës së tij, disa banorët vendas të cilët i gjetëm pranë një bar-i, shumica të moshuar, para se të na përgjigjeshin se ku ndodhej hoteli më i ri i qytetit të tyre një çast u menduan. Më në fund sqaruan se gjendej në majë, pranë Kështjellës Dukale, një masivi muresh dhe bedenash që i rrinin si kurorë kodrës së madhe të Corigliano Calabros. U ngjitëm me shpejtësi në kulm të qytetit-kala, por tashmë rrugët u bënë shumë të ngushta, pothuaj të pamundura për të ecur aq lirshëm sa të fitonim betejën me natën që në atë fund vjeshte vraponte më shpejt se ne. Kur më në fund e braktisëm makinën dhe duke u ngatërruar nëpër ato rrugica të pafund zgjodhëm më mirë të ecnim në këmbë, pikërisht kur shpresa po na fikej dhe lajmi për ekzistencën e një pallati tjetër të Kastriotëve në Itali na dukej se kishte qenë vetëm një ëndërr a trillim interneti, “Palazzo Castriota” u shfaq i madh përballë nesh. Na u duk tamam si një mik i shtrenjtë që nga maja e kodrës ndërsa na ndiqte me sy si mundoheshim ta gjenim, për të na bërë një surprizë kërceu prej andej drejt e në rrugë, para këmbëve tona. Kështjellën-hotel e kishin mbështjellë tufa dritash të lëshuara ngrohtësisht nga disa projektorë. Thirrëm të tre nga entuziazmi a ndoshta nga një mall që nuk e përmbanim dot. Nga lodhja e rendjes dihatnim të tre dhe tabelën në hyrje të shkallëve të larta, me në qendër të madhe një shqiponjë me dy krerë dhe fjalët “Palazzo Castriota” njëherësh e lexuam dhe e përkëdhelëm me dorë. Në mbishkallë, në hyrjen e hotelit, tek porta e xhamtë sërish qe gdhendur butë një shqiponjë dhe disa shenja të stemës së Kastriotëve. Pas qelqeve të saj u gjendëm në një bar luksoz, quhej Salla Don Çezare. Kur i afruam recepsionistes ajo vuri buzën në gaz. Qe një vajzë shumë e bukur, një nga ato që kur flasin u krijohet një gropëz e ëmbël në faqe. I themi se jemi në udhë e sipër për t’u kthyer në San Demetrio Corone, qytezë arbëreshe, ku na prisnin të paktën tre takime pune dhe se deri aty kishim ardhur me një frymë, sepse hoteli mbante emrin e heroit më të dashur që në historinë tonë, të shqiptarëve, kishim. Vajza gëzua që ishte vërtet ashtu, pra që hoteli i tyre mbante shenjën e një njeriu shumë të famshëm dhe iu përgjigj butësisht pyetjeve tona të shkurtra. Quhej Antonieta Veronese dhe tha se drejtoresha thirrej Gloria Borgo. E gjitha u zhvillua në dy apo tre minuta. Nxitonim. Kur dolëm jashtë “Palazzo Castriota” dukej akoma më shumë i ndriçuar nga projektorët. Kur të hipur në makinë më në fund u gjendëm në këmbët e Corigliano Calabros sipër mbi kështjellë ai pallat u bë i smerald. Shkëlqente si një gur i çmuar”.

Të fundit

Elegante e strikte në veshje/ Seti i ri fotografik i Melania Trump si Zonja e Parë e SHBA

Melania Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë dhe me këtë rast ka realizuar një fotosesion si Zonja e...

Ndalohet 42-vjeçari izraelit, Gjykata gjermane kishte lëshuar urdhër ndalimi për mashtrim

Si rezultat, në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë, u ndalua shtetasi 42-vjeçar Roy Garin, me kombësi izraelite dhe shtetësi kanadeze, i shpallur...

Jetonin të vetmuar/ Detaje tragjike nga vdekja e dy vëllezërve të moshuar në Mallakastër

Zbardhet ekspertiza për vdekjen e dy vëllezërve  Sabri dhe Novruz Velaj 90 dhe 85 vjeç  të cilët u gjetën të vdekur një ditë më...

Përmbytjet në Durrës, përfundon procesi i evidentimit të dëmeve/ Janë prekur 476 banesa!

Përfundon evidentimi i objekteve te prekura nga përmbytjet e fundit në Durrës. Sipas kryebashkiakes Sako janë identifikuar 476 banesa te dëmtuara, pronarët e te...

Cilat ushqime janë të sigurta për t’u ngrënë pas datës së skadencës?

Një gjë e rëndësishme që konsumatorët të kenë parasysh është se shënimi i datës së skadencës nuk ka asnjë lidhje me sigurinë e produktit,...

Lajme të tjera

Web TV