Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare Petraq Kolevica.
Ai do të kujtohet si artist për vëllimet e tij me poezi lirike dhe bisedat me Lasgush Poradecin e Mitrush Kutelin, dhe si arkitekt i ndërtimeve me frymë modernist në Tiranën e para viteve ’90.
Shkrimtari, përkthyesi dhe arkitekti i njohur, Petraq Kolevica është ndarë nga j eta në moshën 89-vjecare. Lajmin e bëri të ditur Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, UPT, në Tiranë. Universiteti Politeknik në mesazhin ngushëllues e cilëson arkitektin, mjeshtër të modernizmit në Shqipëri. Kolevica u lind në Korcë dhe aty kreu shkollën fillore dhe gjimnazin.
Studimet për inxhinieri ndërtimi i kreu në periudhën 1952-1957 në Universitetin politeknik të Tiranës dhe pas diplomimit, punoi shumë vite si inxhinier dhe arkitekt.
Gjatë gjithë veprimtarisë si arkitekt ai u mundua të projektonte ndërtesa moderne dhe funksionale, si godina e sanatoriumit, pallatet pranë rrugës së ambasadave dhe bashkëautor i Muzeut Kombëtar.
U kritikua shumë herë për ndikime të huaja nga partiakët e asaj kohe.
Jetën e tij si inxhinier dhe arkitekt Kolevica e ka përmbledhur në librin “Arkitektura dhe diktatura”, ndërsa në botimet me emrin e tij numërohen një sërë krijimesh, si “Këngë nga koha e keqe”, “Të korrat e vona”, “Me Mitrushin” e “Lasgushi ma ka thënë”. Në trashëgiminë e përkthimeve Kolevica i dha lexuesit shqiptare poemën “Demoni” të Lermontovit, “Poezi gjermane dhe austriake”, dhe poezi klasike japoneze.