Zbardhet shkaku i vdekjes së stjuardesës 24-vjeçare shqiptare.
Ngjarja ndodhi pak pasi avioni ishte ulur në aeroportin Stansted në Angli.
Mediat angleze raportojnë se Greta Dyrmishi, 24 vjeç, ishte pjesë e ekuipazhit të Air Albania.
Një gjykatë në Essex dëgjoi sot se si Dyrmishi po udhëtonte nga Tirana për në Essex më 21 dhjetor, kur humbi ndjenjat papritur. Ndihma e parë dhe frymëmarrja artificiale nuk e sollën dot në jetë. Dy ambulanca dhe një ekip urgjence iu përgjigjën këtij rasti.
Michelle Brown, mjekja ligjore e zonës, tha se vdekja e Gretës do i nënshtrohet një hetimi të plotë dokumentar.
Mjekja Brown tha: “24-vjeçarja ishte pjesë e ekuipazhit të kabinës në një fluturim nga Shqipëria. Avioni ishte në pistë kur ajo u duk se humbi ndjenjat dhe mori ndihmën e parë bazë”.
“Dhjetë minuta më vonë nuk kishte puls dhe nisi procedura me CPR. Mjekët e trajtuan atë dhe konfirmuan se kishte ndërruar jetë.
Një autopsi pas vdekjes zbuloi se shkaku i vdekjes ishte Sindroma e Vdekjes së Papritur e të Rriturve”.
“Në kohën e incidentit, ajo ishte në pjesën e përparme, pranë dyerve të një avioni në aeroportin Stansted.
Kompania Air Albania reagoi thuajse një javë pasi lajmi tragjik u publikua nga mediat angleze.