Coronavirusi/ Atë e bir në karantinë, “Tirana e Re” në ankth

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Gazeta “Fjala” në një reportazh në zonën e “Tiranës së Re”, pranë rrugës “Irfan Tomini” ku jetonin atë e bir të prekur nga coronavirusi. Çfarë thonë banorët dhe Inspektoriati i Shëndetit që izoloi dhe dezinfektoi barin dhe bilardon në pronësi të dy të prekurve. Mbyllen shkollat dhe pezullohen të gjithë aktivitetet dhe tubimet. Spitali Infektiv kthehet në karantinë.

Nga Alessia Selimi

Prej dy ditësh, rruga “Irfan Tomini” ka marrë tjetër pamje. Pak njerëz shihen trotuareve. Të shumtit pikasen dritareve, me sy kureshtarë, që kërkojnë të dinë diçka më tepër. Padyshim, të sigurohen për jetën e tyre. Ankthi ndihet në ajër, fill pas publikimit të lajmit se janë identifikuar dy personat e parë të infektuar me koronavirus në Shqipëri. Ndihet porsa sheh fytyrën e një taksisti, kamerieri, shitësi e farmacisti.

Ata e dinë tashmë se në këtë rrugë gjenden bizneset e V.K dhe P. K,përkatësisht 54 dhe 28 vjeç. I riu raportohet se ka udhëtuar nga Firence (Italia) drejt Shqipërisë më 26 shkurt, përmes pikës Doganore të Muriqanit, dhe se ka infektuar më pas të atin. Gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar, ndërkohë që familjarëve të tjerë u janë marrë mostrat për të kryer analizat. Nuk përjashtohet mundësia se babë e bir mund të kenë patur kontakte rastësore me persona të tjerë. Këta të fundit mund të jenë pikërisht taksisti, kamerieri, shitësi e farmacisti i sipërpërmendur.

“Është situatë vërtetë kritike. Por, jam i detyruar të punoj. Nuk gëzoj të ardhura të mjaftueshme sa për t’u mbyllur në shtëpi. Kam një familje për të ushqyer”-shprehet Arjan Brahimi, 46 vjeç, i cili punon prej katër vitesh tashmë si taksist. “Trafiku është rënduar kaq shumë! Padyshim, fill pasi u komunikua se janë identifikuar dy persona të prekur nga koronavirusi”-thotë ai, duke shtuar se brenda ditës nuk kanë qenë të paktat raste kur i është dashur të dërgojë studentë drejt stacioneve tëautobuzëve.Pak metra më tutje, fare lehtësisht, pikaset një burrë shtatlartë, me dy qese të mbushura plot me ushqime. “Nënës sime i kam thënë që të mbyllet brenda në shtëpi dhe të mos presë askënd për vizitë. Kështu ka vepruar. Ndërkohë, siç më shihni, kam filluar tëmarr masa paraprake”-thotë Agron Lumani, 66 vjeç.

Ndërkohë i jemi drejtuar bizneseve të të prekurve, që prej së largu shihen ende hapur. Nuk ka gjurmë klientësh, por vetëm 5-6 punonjës të Bashkisë Tiranë. Në një rreze aspak të largët, ata kanë krijuar një rreth të ngushtë. Diskutojnë jo të qetë. E megjithatë, kur u afrohemi heshtin si të jenë duke ndjekur ndonjë rregull të pashkruar gjëkundi. Njëri prej tyre thotë se janë në pritje të punonjësve të Inspektoriatit të Shëndetit Publik,  për të ekzaminuar dhe realizuar kampione, pikërisht në lokalet e V.K dhe P.K. “Ne jemi këtu vetëm për të parë se çfarë po ndodh rreth e rrotull. Por, mund të them se jemi në pritje të inspektorëve të Shëndetit Publik. U takon atyre konkluzioni nëse bizneset në fjalë mund të cilësohen ose jo si vatra të koronavirusit në Shqipëri”-thotë punonjësi i Bashkisë Tiranë.

Lexo edhe :  “Mirënjohëse atyre që më zgjatën dorën”, Parashqevi Simaku kalon Krishtlindjen mes miqve

Në lokal ndodhet një burrë në moshë dhe dy të rinj, njëri prej të cilëve rezulton të jetë punonjës dhe tjetri qiraxhi. Rruga ishte braktisur nga makinat kur fotografja e gazetës “Fjala”, Jona Kazani, u përfshi në një debat të padëshiruar me to. Shkak, një fotografi e shkrepur në çast, për të treguar pikërisht ambientin në fjalë. Janë të frikësuar. U lexohej qartazi në fytyrë. “Na lini të qetë! E kuptoni që po dhunoni të drejtat tona!”-revoltohet njëri prej tyre. Kur i pyesim nëse janë takuar me dy të prekurit, marrim përgjigje të stepur. Punonjësi thotë se e ka takuar 28-vjeçarin përpara një jave, veçse nuk preferon të shtjellohet më tej. Ai po shkëmben çelësat e lokalit. Duket se, të rinjtë kanë vendosur ta mbyllin, ndonëse ia behin inspektorët e Shëndetit Publik. Dy prej tyre, të cilët diç po flasin me punonjësit e Bashkisë Tiranë, mbajnë veshur jelekë fosforeshentë. Me maskë dallohet vetëm një specialist, që nuk vonon të mobilizohet. Teksa ne po i drejtohemi edhe njëfarmacie  fare pranë, ai po dezifekton lokalin, si në ambientet e jashtme ashtu dhe të brendshme.

“E takova ekzaktësisht para 7 ditëve dhe më tha se ishte me temperaturë. Ç’ironi! Ta mendosh që unë guxova të bëja humor me situatën, duke i thënë se mos ndoshta vallë është prekur nga koronavirusi”- shprehet ndërkohë një kalimtar. Kur i shqetëson ndonjë simptomë, si temperaturë apo kollë, qytetarët e përgjegjshëm të rrugës “Irfan Tomini” e ndalin vrapin pikërisht tek dy farmaciste të reja në moshë. Ato vetë janë të mbrojtura, mbajnë maskë të bardhë dhe doreza në duar. Pohojnë se identifikimi i dy personave të prekur nga koronavirusi, ka sjellë një numër të madh njerëzish në dyert e farmacisë së tyre. “Ka patur mjaft raste kur qytetarët janë ankuar për dhimbje koke, kollë e temperaturë, por jo raste me temperaturë shumë të lartë”-pohojnë ato, teksa një burrë rreth të 50-ave po u kërkon alkool. Dukshëm i informuar, se dezinfektimi i duarve është i domosdoshëm për parandalimin e infeksionit.Dhe dukshëm i kundërt me një tufë burrash që kalojnë ditët e tyre brenda një ofiçine. Edhe pse kjo e fundit s’është më larg se 30 metra nga lokali, bilardoja dhe lavazhi i të prekurve nga koronavirusi, ata duken se nuk janë në dijeni të situatës që ka alarmuar një pjesë të mirë të kryeqytetit, ku po shtohen dita ditës njerëz me maska.

Të fundit

Fermerët shqiptarë me mbështetjen më të ulët në rajon! Shkurtohen me 5% fondet

Që nga fillimi i vitit, kur hyri në fuqi buxheti 2024 fondet për bujqësinë janë shkurtuar sistematikisht. Në aktin...

Seuli: Ukraina ka zënë rob një ushtar koreano-verior

Agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut tha se ka konfirmuar që një ushtar i Koresë së Veriut, që ka luftuar në anën e...

Zbulohet një mashtrim i ri që synon kompanitë e “Facebook”

Ekspertët e Kaspersky kanë zbuluar një mashtrim të ri phishing që synon kompanitë që promovojnë faqet e tyre në rrjetin social Facebook. Mashtruesit dërgojnë emaile...

Rregulli i artë i blerjes së gjelit të detit

Jemi shumë pranë festave dhe amvisat kanë nisur furnizimin me ushqimet e nevojshme për të pasur një darkë të bollshme e të shëndetshme për...

Dielli ynë mund të ketë pasur dikur një binjak. Çfarë ndodhi me këtë vëlla yjor?

Shumë yje në galaktikën tonë ekzistojnë në çifte, por Dielli ynë është një përjashtim i dukshëm. Tani shkencëtarët po gjejnë të dhëna, se dikur...

Lajme të tjera

Web TV