Aleksandër Xhuvani, shkencëtari që i dha aq shumë gjuhës dhe pedagogjisë shqipe

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ishte Mësues i Popullit, profesor e shkencëtar, gjuhëtar, pedagog dhe psikolog. Konsiderohet pedagogu më i shquar shqiptar dhe figura qendrore e arsimit kombëtar në gjysmën e parë të shekullit XX. Për shkak të kontributit të tij në ngritjen dhe zhvillimin e sistemit arsimor, Prof. Dr. Aleksandër Xhuvani mbajti epitetin “Mësues i mësuesve shqiptarë”…

…Nga viti 1905, kur botoi artikullin e parë në revistën “Albania” të Faik Konicës e deri në fund të jetës, vijoi me shkrime publicistike, gjuhësore, pedagogjike e letrare. Botoi shumë studime mbi veprat e letërsisë së viteve ’30. La një trashëgim të çmuar veprash gjuhësore, pedagogjike, teoriko-letrare. Në vitin 1941 përshtati “Historinë e Letërsisë Greke” për kurset e larta të liceut. Përpiloi Antologjinë e klasës së tretë të shkollave të mesme, Më 1946 botoi biografi letrare, artikuj për vepra të autorëve arbëreshë si Rondinella, Gavril Dara i Riu. Kreu analiza të hollësishme, përktheu e përshtati krijime letrare si “Jeta e Pirros” etj. Mes viteve 1946-1951 dha ndihmesë për zhvillimin e arsimit, në organizimin e drejtimin e jetës shkencore si drejtues i seksionit të Gjuhës e të Letërsisë të Institutit të Studimeve.

Jetëshkrimi

Aleksandër Xhuvani lindi më 14 mars të vitit 1880 në Elbasan. Mësimet para i mori në vendlindje ndërsa shkollimin e mesëm e kreu në Gjimnazin – Konvikt të Çotilit, asokohe në Vilajetin e Manastirit, (pjesë e Perandorisë Osmane ndërsa sot fshat në Maqedoninë Greke). Studimet e larta i kreu në fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Athinës, 1903-’06. Në gusht të 1906 shkoi në Napoli ku u njoh me L. Gurakuqin, dhe nisi të japë gjuhë shqipe në Shën Mitër Koronë. Me shpalljen e kushtetutës të Perandorisë Osmane kthehet në atdhe, 1908.

Mori pjesë në Kongresin e Elbasanit (1909) dhe me hapjen e Normales së Elbasanit qe mësues dhe më vonë drejtor i kësaj shkolle. Në këtë kohë ai iu fut punës për hartimin e tekstit shkollor të gramatikës shqipe. Më 25 mars 1910 qe bashkëpunëtor i Lef Nosit në hapjen e revistës “Tomorri”. Shkolla Normale u mbyll pas ekspeditës ndëshkimore të Shefqet Turgut Pashës në verën e vitit 1910. Në këtë kohë, Xhuvani largohet për në Kairo ku formohet shoqëria bashkimi me dr. Mihal Turtullin, inxh. F. Shirokën dhe av. Çajupin. Emërohet redaktor i gazetës “Shkreptima”. Gazeta mbyllet në vitin 1911 dhe A.Xhuvani shkon në Aleksandri, ku emërohet si sekretar i shoqërisë “Vëllazëria”. Kthehet në atdhe dhe riemërohet drejtor në Normale, më tej gjendet herëmbashere në Shkodër gjatë punimeve të KLSH. Në vitin 1918 është iniciator i krijimit të shoqërisë kulturore-letrare “Qarku letrar i Elbasanit”. Në verën e vitit 1920 ishte kryetar i Kongresit Arsimor të Lushnjës, që mori një sërë masash për organizimin e arsimit kombëtar dhe vendime për përcaktimin e terminologjisë shkollore. Gjatë viteve 1920-1922 punoi në Këshillin e Epërm Arsimor të Ministrisë së Arsimit. Kthehet drejtor i Normales në vitet 1922-1929. Në vitin 1929-1933 shkon sërish në Ministrinë e Arsimit dhe pas vitit 1933 deri në vitin 1938 ai drejton shkollën Normale të Elbasanit. Nga 1938 deri më 1940 e gjejmë sërish në Ministrinë e Arsimit. Më tej kalon në Inspektorinë Qendrore, ku merret me përpilime tekstesh, shqyrtime dhe redaktime. Me vdekjen e njërit prej djemve të tij, Ptolemeut, ia diktoi kahjen e pasluftës kur edhe vajzat i martohen me Ramiz Alinë dhe Bilbil Klosin. Me marrjen e pushtetit nga partizanët u thirr në Ministrinë e Arsimit, ku nis nga puna për hartimin e teksteve dhe metodologjive të reja. Jo vetëm kaq, por u bë edhe anëtar i Komisionit Iniciator për formimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Nga janari i vitit 1947 deri në shtator 1953 punon si shef i Seksionit të Gjuhësisë dhe e të Letërsisë të Institutit të Shkencave. Këtu organizon jetën shkencore dhe dha ndihmesë të madhe në përgatitjen e kuadrove, sidomos në fushën e shkencave filologjike. Deri në vitin 1957 ishte anëtar i Presidiumit të këtij instituti. Në vitin 1953 zhvillohet Konferenca e Ortografisë, e cila kodifikoi drejtshkrimin e shqipes. Në vitin 1954 nën kujdesin e profesor Xhuvanit u realizua hartimi i “Fjalorit të Gjuhës Shqipe”. Më 1945 ai zgjidhet përfaqësues i popullit në Asamblenë Kushtetuese dhe më pas deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit Popullor. Vdiq më 23 nëntor 1961.

Veprimtaria

Punoi për njësimin e gjuhës letrare të folur e të shkruar, për një gjuhë letrare të përbashkët për gjithë popullin shqiptar. Drejtoi hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimorë (1949, 1951, 1954, 1956) që zgjëruan gjithnjë e më shumë rrethin e çështjeve që çelën rrugën për njësimin e plotë të drejtshkrimeve të gjuhës shqipe më vonë. Më 1956 botoi posaçërisht librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”. Vetë ai kreu një punë me vlerë për pasurimin e gjuhës sonë letrare, sidomos për përpunimin e terminologjisë të mjaft degëve të dijes sidomos të gramatikës, të letërsisë dhe të shkencave pedagogjike. Ndihmoi shumë në veprimtarinë, që nisi të shtjellohet në vendin tonë pas çlirimit në fushën e terminologjisë, drejtoi punët e para që u bënë për terminologjinë shkollore. Shtjelloi dhe një veprimtari kërkimore të gjerë e të frytshme në fusha të ndryshme të gjuhës shqipe. Qe ndër studiuesit e parë të fjalëformimit, të morfologjisë e të sintaksës. Hartoi punime e studime për kategori e çështje të ndryshme të gramatikës. Mund të përmenden punimet për pjesoren e paskajoren, monografia “Parafjalët”. Hartoi, në bashkëpunim me Eqrem Çabejin dy trajtesat “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe (1962), të cilët karakterizohen nga vështrimi i gjerë, sinkronik e diakronik, nga pasuria e madhe e të dhënave, e vëzhgimeve dhe e mendimeve që pasqyrojnë njohuritë e thella të Xhuvanit për leksikun e gjuhës shqipe e sidomos leksikun popullor. Bëri një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të K. Kristoforidhit (1961) dhe i dha këtij fjalori një jetë të re. Një ndihmesë të mirë i ka dhënë leksikologjisë shqipe dhe teorisë e praktikës së leksikografisë sonë me shkrime e punime të ndryshme me artikuj e recensione, ndër të cilat mund të përmenden “Kritikë mbi fjalorë të shqipes” (1934) “Çështja e fjalorit të gjuhës shqipe” (1957).

Nëntëmbëdhjetë vite pas vdekjes, më 1980, u botua vëllimi i parë i “Veprave” të Aleksandër Xhuvanit me 6 vëllime, nën kujdesin e Akademisë së Shkencave. Ky libër është një nga literaturat më të vlefshme për këdo që merret me studimin e gjuhës shqipe.

Pedagogjia

Aleksandër Xhuvani u mor me trajtimin e çështjeve më të rëndësishme dhe më thelbsore pedagogjike, të lidhura ngusht me nevojat për ngritjen e nivelit shkencor të arsimit dhe të shkollës shqipe. Punimet dhe veprat e tij pedagogjike dhe psikologjike u shkruan dhe u botuan në kohën kur në Shqipëri kishte nevojë shumë të madhe për vepra të tilla në gjuhën shqipe.

Pedagogjia sipas Aleksandër Xhuvanit, është shkencë dhe art i edukatës me rëndësi shumë të madhe shoqërore dhe kombëtare. Ajo ka lidhje të ngushtë me shkenca tjera, sidomos me psikologjinë, etikën, fiziologjinë, sociologjinë, logjikën etj. “Psikologjia pra bashkë me Logjikën e me Moralin (shkruan Xhuvani) na japin rregullat e edukatës dhe janë bazat themelore të Pedagogjisë, pa të cilat ajo nuk ban punë”

Të fundit

Kundër Ramës/ Sot opozita del në protestë

Partia Demokratike do të dal sot në protestë kundër qeverisjes se Kryeministrit Edi Rama. Opozita paralajmëron bllokim rrugësh dhe...

Sot protesta e opozitës/ Zbardhet ‘skenari’ dhe rrugët që do të bllokohen!

Opozita do të zhvillojë sot në orën 17:00 protestën e radhës, të cilën e quajnë mosbindje civile. Për herë të parë pas gati një viti mes protestuesve...

Aeroplani përplaset me shtëpinë në Brazil, humbin jetën të gjithë pasagjerët në bord

10 persona janë vrarë dhe më shumë se një 12 të tjerë janë plagosur pasi një aeroplan i vogël u rrëzua në një shtëpi...

Nuk ka ndryshim në kursin e monedhave të huaja/ Sa këmbehen sot, euro, dollari dhe paundi

Sot, më 23 dhjetor 2024, në tregun valutor, dollari amerikan blihet me 93.7 lekë dhe shitet 94.8 lekë. Euro sot blihet me 98 lekë, ndërsa...

Lajme të tjera

Web TV