Mjeku i Urgjencës në QSUT, Ilir Allkja ka njoftuar përmes një videoje në Facebook se është vetëkarantinuar. Ai thekson në video se ka vizituar pa veshjen speciale tre pacientë, të cilët sipas tij, rezultuan më pas pozitivë me koronavirus.
Mjeku bën thirrje për pajisjen e mjekëve me veshjen speciale, ndërsa shpjegon se ata po dërgohen në rastet e dyshimta me vetëm një maskë kirurgjike.
“Po shërbejmë me vetëmohim. Unë sot jam i vetëkarantinuar deri sa të verifikohet gjendja ime shëndetësore pasi dje kam vizituar tre pacientë me koronavirus, pa veshjen speciale. Më dëshpërim kam konstatuar se njësia e Koordonimit të Urgjencave na dërgojnë pa veshjet speciale në raste që na i paraqesin dhe neurologjike apo gastroentorologjike, por kemi konstatuar se janë raste me koronavirus. Kemi shkuar atje me maske kirurgjike ndërkohë që duhej të shkonim me veshje të posaçme. Kam një thirrje për kolegët e Koordinimit të Urgjencave Mjekësore dhe drejtorin: Kërkoni dhe pyesni nëse pacientët kanë temperaturë dhe simptoma të koronavirus. Ju lutem na nisni me veshje speciale për çdo rast të dyshuar. Ju lutem na nisni veshjen speciale për çdo rast të dyshuar, veshjet vlejnë shumë më pak se sa jeta jonë”, shprehet ai.